Thursday, January 3, 2013

Njerëzit e trashë jetojnë më gjatë

Me fillimin e vitit 2013 shumë njerëz kanë bërë plane se çfarë do të bëjnë gjatë këtij viti. Një plan mund të jetë edhe humbja e kilogramëve të tepërt. Megjithatë, ata edhe mund ta ndërrojnë idenë kur të shohin rezultatin e një studimi të ri.
Hulumtimi që është botuar në revistën e Asociacionit Mjekësor Amerikan, thekson se njerëzit me mbipeshë jetojnë më gjatë. Dhe nuk bëhet fjalë për studimin çfarëdo, por për studimin më të thellë që është bërë deri më tash rreth çështjes: Si ndikon pesha në jetëgjatësinë e njeriut?
Në këtë hulumtim janë marrë parasysh më shumë se 100 hulumtime të mëhershme, që përfshijnë 2.880.000 persona, si dhe 270.000 raste të vdekjes në botë.
Përndryshe, sipas parametrave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, peshë normale konsiderohet indeksi i masës trupore në mes të 18,5 dhe 24,9, derisa si personat me mbipeshë konsiderohen ata që indeksin e masës trupore e kanë në mes të 25 dhe 29,9 – ndërsa personat e trashë ata që indeksin e masës trupore e kanë 30 e sipër.
Hulumtimi ka trajtuar çështjen e jetëgjatësisë së njerëzve, çfarë gjendje shëndetësore kanë pasur në momentin kur kanë vdekur, dhe si e kanë vlerësuar ata kualitetin e jetës së tyre.
Njerëzit e plotë, sipas studimit, e kanë pasur për 5% shkallën më të ulët të vdekjes së parakohshme sesa njerëzit me peshë normale.
Kjo nuk është hera e parë që shkencëtarët kanë vërtetuar se mbipesha mund t’i ketë edhe përparësitë e saj. Rezultatet e ngjashme janë konstatuar edhe në një hulumtim të bërë në vitin 2005, mirëpo ato ishin marrë me dyshim nga qarqet shkencore. Një hulumtim i tillë ishte cilësuar si “bërllok”. /Dukagjini.com

No comments:

Post a Comment