Është lindur në vitin 1873, në Vushtrri. Hasani është me origjinë nga
treva e Drenicës (Polaci) dhe rrjedh prej një familjeje të pasur.
Të
parët e tij kanë pasur mbiemrin Berisha, por me largimin e gjyshit të
tij nga Polaci familja mori mbiemrin e fshatit të origjinës (Polaci).
Kur
Hasani u zgjodh deputet në kuvendin turk (vitet 1908-1912) ai ndryshoi
mbiemrin dhe u quajt Hasan bej Prishtina. Flitet se mori këtë mbiemër
mbasi ishte prishtinasi (shqiptari) më i pasur në të gjithë kohërat,
duke pasur pasuri në Selanik, Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Vushtrri,
Drenicë, etj. Ai ka qenë njohës i mirë i gjuhës gjermane, frënge, turke e
sllave.
Hasan Prishtina ka kryer studimet e larta për shkencat
politiko-juridike në Selanik dhe në Stamboll, në gjuhën frënge. U martua
me Igballen Qerreze, me të cilën nuk pati fëmijë dhe mbeti pa
pasardhës. Falë aktivitetit të tij të shquar politik është cilësuar
ideolog i luftës kundër pushtuesit të huaj.
Ka qenë i zgjedhur
deputet në parlamentin turk, për tre herë me radhë, të cilin e përdori
si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare shqiptare. Realisht,
Hasan Prishtina, shenjat e para të mospajtimit me xhonturqit i shfaqi
pas kongresit të alfabetit të shqipes në Manastir, i cili mori një
vendim Solomon, të dëmshëm për të ardhmen e kombit shqiptar, ndaj sapo
filloi kryengritja e vitit 1910 në Kosovë, lëshoi thirrjen e kongresit
të dytë të Manastirit, i cili, realisht, u drejtua nga personalitetet
ndjekës besnikë të Hasan Prishtinës. Ky kongres e vendosi fatin e
alfabetit të kombit tonë.
Duhet saktësuar se Hasani, për mëvetësinë e
Shqipërisë Etnike, ishte i lidhur me qarqet ushtarake vjeneze që nga
viti 1904, dhe një javë para se ta shpallte kushtrimin për “Revolucionin
Shqiptar Çlirimtar”, në Parlamentin Turk, kërkoi përkrahjen diplomatike
të Vjenës e më vonë edhe të Anglisë e të fuqive të tjera evropiane për
shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në Hasan Prishtinën kemi
trinomin e “luftëtarit”, “të dijetarit” dhe “të pasurit” në shërbim të
mbrojtjes së tërësisë e të lirisë së atdheut Shqipëri.
Më datën 11
janar 1912, duke folur në dhomën e deputetëve në parlamentin osman, ai
bëri një diskutim të ashpër në favor të çështjes shqiptare dhe për
aprovimin e programit të kryengritjes, ku kryesore shtroi problemin e
kufijve të Shqipërisë, krijimin e administratës shqiptare, problemin e
Flamurit Kombëtar, ligjërimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, krijimin
e qeverisë me shqiptarë, etj. Deputeti i Kosovës Hasan Prishtina, më 11
janar 1912, shpalosi edhe njëherë në parlamentin turk kërkesat
kombëtare të shqiptarëve, dënoi ashpër mohimin e të drejtave kombëtare
të shqiptarëve, shkeljen e të drejtave kushtetuese dhe foli për terrorin
e pashembullt të ushtruar mbi popullsinë shqiptare në trevat shqiptare
si dhe kërcënoi qeverinë turke me një kryengritje të re, nëse nuk
plotësoheshin kërkesat kombëtare të shqiptarëve.
Pas këshillimeve,
që u zhvilluan ndërmjet Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, më 12 janar
1912, u vendos të mbahej një takim i një grupi personalitetesh të jetës
politike shqiptare, i njohur si “Kuvendi i Taksimit”, ku u dha betimi
për organizimin e Kryengritjes gjithëshqiptare për autonominë e gjithë
Shqipërisë. Në muajin janar të vitit 1912, Hasan Prishtina u përpoq të
bindte Asim beun, ministrin e Jashtëm të Perandorisë Osmane, se ishte në
interesin e shtetit osman që qeveria të deklaronte zyrtarisht kufijtë e
Shqipërisë.
Duke shpresuar të gjente mbështetje në Londër, Hasan
Prishtina iu drejtua së pari konsullit britanik në Shkup, duke i
deklaruar se shqiptarët kishin vendosur “me ba nji lëvizje t’armatosun
kundra sundimit turk”. Konsulli i njoftoi Hasan Prishtinës se vendi i
tij nuk kishte interesa në Ballkan, prandaj as nuk do ta kundërshtonte
dhe as nuk do ta përkrahte kryengritjen kundërosmane të shqiptarëve.
Kujdes të veçantë udhëheqësit e kryengritjes i kushtuan qëndrimit të
Perandorisë Dualiste. Hasan Prishtina hyri në lidhje edhe me
kryekonsullin austro-hungarez në Selanik, Kral. Edhe Vjena nuk premtoi
ta ndihmonte kryengritjen shqiptare, por kërkoi që lëvizja kombëtare
shqiptare të mbetej në kuadër të një lëvizjeje paqësore e kufizuar me
kërkesa kulturore, arsimore dhe ekonomike.
Kur patriotët Ismail
Qemali, Luigj Gurakuqi, etj, nisën rrugën e vështirë e të lavdishme të
shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, ai u bë nismëtar dhe mori
përsipër organizimin e kryengritjes në krahinën e Kosovës, së bashku me
Bajram Currin dhe Isa Boletinin. Hasan Prishtina pa vonuar do të kthehet
në kryeselinë historike të Kosovës, në Shkup, vuri kontakte me
përfaqësuesit e VMRO-së bullgare për luftën çlirimtare të përbashkët,
kurse nga Anglia kërkoi ta përkrahte kauzën kombëtare shqiptare të
lirisë. Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina doli në kështjellën e Shqipërisë,
në Drenicë dhe e lëshoi kushtrimin e Kryengritjes së Përgjithshme.
Kushtrimi bëri jehonë në mbarë vilajetin e Kosovës, kurse sukseset në
front Hasanit ia hapën “Portat” e Prishtinës.
Në Drenicë e në
Prekaz, Hasani mblodhi parinë e këtyre vendeve (krahinave) për të lidhur
besë në luftën për interesat kombëtare. Flitet se kur erdhi në këto
anë, më 12 maj 1912, ngriti për herë të parë flamurin e pavarësisë në
fshatin Vesekov të Shalës së Bajgores.
Më 21-25 maj 1912, me
nismën e Hasan Prishtinës, në Junik, Gjakovë, është mbledhur një kuvend i
posaçëm, ku u lidh besa për rifillimin e kryengritjes përgjithshme për
autonominë e Shqipërisë, gjë e cila ndikoi që më 17 korrik 1912 qeveria
xhonturke të japë dorëheqjen.
Më 21-22 korrik 1912, së bashku me
Bajram Currin, kanë shkuar në Prishtinë, ku prezantuan programin e tij
politik prej 14 pikash, i njohur me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës”,
në thelbin e të cilit ishte autonomia e Shqipërisë dhe bashkimi i
Shqipërisë Etnike.
Në programin prej 14 pikash, të Hasan
Prishtinës, kërkohej t’i njiheshin Shqipërisë të drejta të gjera
kombëtare siç ishin: emërimi në Shqipëri i nëpunësve të aftë që njihnin
gjuhën dhe zakonet e vendit; kryerja e shërbimit ushtarak në Shqipëri e
në Maqedoni, me përjashtim të kohës së luftës; zbatimi i ligjit të
maleve për krahina të caktuara; armatosja e shqiptarëve me armë moderne;
hapja e shkollave reale e bujqësore, në programet e të cilave do të
përfshihej edhe mësimi i gjuhës së vendit; lejimi për hapjen e shkollave
private në Shqipëri; hapja e shkollave teologjike moderne në përputhje
me nevojat e vendit; mësimi i gjuhës së vendit në shkollat fillore,
qytetëse dhe në gjimnazet; zhvillimi i tregtisë, i bujqësisë, i punëve
botore dhe ndërtimi i hekurudhave; zbatimi i organizimit të krahinave,
ruajtja e zakoneve dhe e traditave të vendit; shpallja e faljes së
përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit e lëvizjes kundërqeveritare;
zhdëmtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara; nxjerrja në gjyq e
pjesëtarëve të kabinetit të Haki e Said pashës.
Më 24
korrik 1912 këshilli i ministrave i Turqisë formoi komisionin për të
biseduar për të ardhmen e Shqipërisë në kornizat perandorake osmane.
Bisedimet vazhduan deri më 9 gusht 1912. Kërkesat kryesore që i mbrojti
Hasan Prishtina mund të sublimohen në këto pika: “Të njifen zyrtarisht
kufijtë e Shqipërisë; autoritet civile e ushtarake të kenë kombësi
shqiptare; ushtria shqiptare te shërbejë në Shqipëri e të jetë komanda
prej oficerëve shqiptarë; veprimet zyrtare në Shqipëri të bëhen në
gjuhën shqipe”. Programi prej 14 pikash iu dorëzua komisionit qeveritar
më 9 gusht, duke i deklaruar atij që, në rast se brenda dy ditëve ky
program nuk do të pranohej, atëherë forcat kryengritëse do të marshonin
drejt qendrës së vilajetit, Shkupit. Hasan Prishtina, që ishte ithtar i
programit radikal të lëvizjes, shpresonte se pikat e përfshira në
marrëveshjen e arritur me qeverinë osmane më 18 gusht do të shënonin
“hape të mëdha kah independenca e jonë”.
Më 9 gusht 1912, Hasan
Prishtina ka shkuar në Ferizaj, ku ishte Mehmet pashë Tetova (Dërralla),
për të gjallëruar më tej luftën për çështjen kombëtare. Më 17 gusht
1912, informoi “Shtabin Kryesor të Kryengritjes” dhe opinionin botëror
se: “kërkesat e pranuara nga qeveria janë ato të propozuara nga e gjithë
Shqipëria”, e më 18 gusht urdhëroi të shpërndaheshin kryengritësit.
Këtu e vlen të saktësojmë faktin se në ditën e shpalljes së pavarësisë
së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, Hasan Prishtina foli në seancën e
Parlamentit Osman, në Stamboll, dhe kërkoi nga kabineti qeveritar
veprime ushtarake të shpejta për ta shpëtuar Shqipërinë nga okupimi dhe
masakrat gjenocidiale të ushtrive të “Aleancës Ballkanike”, të
përkrahura nga pesë fuqitë e mëdha, kasap të Shqipërisë: Rusia, Anglia,
Franca, Italia dhe Austro-Hungaria.
Gjatë rrugës së
kthimit nga Stambolli në atdhe, Hasan Prishtina, do të kapet nga ushtria
serbe dhe do të dërgohet në burgun e “Kalemegdanit”, ku ishin sjellë
edhe disa krerë të kapur në Shkup e gjetkë në Kosovë, midis të të cilëve
edhe shërbëtorë besnikë, të Serbisë, të cilët më vonë do të shpërblehen
me pensione të përjetshme. Hasani u mbajt i burgosur deri në muajin
prill 1913, së bashku me Idriz Seferin, Sahit Hoxhën, Nexhip Dragën etj.
Vlen të theksohet se serbët arrestuan 13 ndër krerët e kryengritjes së
26 tetorit 1912, e cila po i paraprinte shpalljes së pavarësisë. Hasan
Prishtina, pas lirimit nga internimi në pranverë të vitit 1913, përmes
Vjenës e Triestes arriti në Vlorë për të dhënë kontributin e nevojshëm
në ngritjen e shtetit Shqipëri.
Në kabinetin qeveritar të Ismail
Qemalit, Prishtina është caktuar fillimisht ministër i Bujqësisë, pas
Pandeli Cales që ishte ministri i kabinetit të parë qeveritar në këtë
funksion. Gazeta “Shqypnia e re” njoftoi se Hasan Prishtina jep
dorëheqjen nga qeveria e Vlorës dhe niset për Elbasan, kurse gazeta
“Përlindj’ e Shipëniës” shpall se “Hasan beg Prishtina jep dorëheqje nga
ministër i Bujqësisë”. Ai është larguar nga ky post dhe është emëruar
ministër i Brendshëm në vend të Esad Toptanit, më 5 shtator 1913, detyrë
të cilën e kreu deri në 20 nëntor 1913. Në historinë e Shqipërisë nuk
është anashkaluar fakti që Hasan Prishtina ka bashkëpunuar me patriotët e
tjerë nga Veriu i Shqipërisë për të organizuar masat popullore për
çlirimin e trojeve shqiptare nga zaptuesit e huaj. “Ndërsa Hasan
Prishtina caktohej në shtator ministër i qeverisë së Vlorës, Bajram
Curri, Isa Buletini, Elez Isufi, etj. u ngarkuan me organizimin e
kryengritjes në vend (në vitin 1913-H.L.)”.
Pak ditë pas krijimit të
qeverisë nga Esad Toptani, çuditërisht Hasan Prishtina besoi te fuqia e
Toptanit dhe “dezertoi” nga qeveria e Ismail Qemalit, duke u bashkuar
me Esadin. Kjo tërheqje përputhet me kohën kur Mufid Libohova ishte
pranuar në KNK, kundër dëshirës së Ismail Qemalit dhe Prishtina me Vehbi
Dibrën ndodheshin në Durrës, nga ku ai paraqiti dorëheqjen
telegrafikisht. Për këtë akt dhe mbështetjen që ai i ka dhënë Pashait
Toptanas, shkroi edhe gazeta pro esadiste: “Esad Pashë Toptani duke
folur për gazetën “Il giornale d’Italia”, të 14 kallnuerit 1914, kur
kishte thirrë konsullin e Italisë, në Durrës, është shprehur se: “Pëlqej
plotësisht fjalimin që bëri në emër t’im Hasan beu, ish deputet i
Prishtinës, më 8 të këtij muaji” .
Më 21 shkurt 1914, ka qenë në
përbërje të delegacionit shqiptar (19 vetë gjithsej, të kryesuar nga
Esad Toptani) që shkoi në Gjermani për t’i dorëzuar kurorën mbretërore
Vilhem von Ëied-it. Hasan Prishtina u caktua ministër i
Postë-Telegrafëve në kabinetin e formuar nën kryesinë e Turhan Pashë
Përmetit. Shkarkimi Esad Toptanit nga detyra solli ndryshime në
kabinetin qeveritar, sikurse qe lirimi Hasan Prishtinës, më 28 maj 1914,
zëvendësuar në detyrë nga Mit’hat Frashëri, ndërsa Esadi u zëvendësua
nga Aqif pasha.
Në këtë kohë serbo-malazezët dhe grekët vazhdonin
masakrat ndaj popullsisë në rajonet kufitare e deri në brendësi të
vendit. Grekët gjendjen e mundshme të Shqipërisë e dinin më mirë se
kryeministri Turhan Pasha, sepse Shqipëria kishte 400 priftërinj
ortodoksë, të cilët vullnetarisht ishin agjentët lajmërues të
mitropolitit Jakovi, dhe, me anën e këtij, dhe të ministrit të Greqisë,
Baratasit.
Hasan Prishtina, i mbështetur nga Bajram Curri e Isa
Buletini nuk ka qenë në një mendje me Mehmet pashë Dërallën e disa
kosovarë të tjerë për të bërë ujdisje me kryengritësit e revoltuar
kundër Ëied-it.
Në shumë dokumente të ndryshme të asaj periudhe
rezulton se Prishtina ka qenë i një mendje me grupin e parisë kosovare,
Bajram Curri, Qerim Begolli, Xhemal Prishtina dhe rininë intelektuale
kosovare si Rexhep Mitrovica, Bedri Peja, Beqir Vokshi, kapiten Hadush
Kastrati, etj., se: “duke iu mbështetur politikës italiane do të fitohej
Kosova e robëruar nga Jugosllavia”. Kjo shpresë duket se i bashkoi ata
me italofilët dhe në atë kohë jashtëzakonisht të vështirë, i shtuan
radhët e kundërshtarëve brenda për brenda Krahut Kombëtar.
Në korrik
1914, mblodhi parinë e Dibrës, ku kërkoi të përgatitet kryengritja
kundër Serbisë dhe pastaj nga Dibra kaloi në Lurë për të vazhduar
misionin e tij. Në fillim të viti 1915 mori pjesë në kuvendet në Bicaj
dhe në Kullë. Më 13 shkurt 1915 organizoi prerjen e linjave telegrafike e
telefonike në malet e Korintikut dhe mori përsipër organizimin e
drejtimin e luftës së lumjanëve kundër serbëve në kufi e mbas kësaj
drejt Prizrenit. Në periudhën në vijim ka kaluar në Has dhe më vonë në
Shkodër, gjithnjë duke u përpjekur për zgjidhjen e çështjes kombëtare.
Në bashkëpunim me Bajram Currin, Hoxhë Kadriun (Kadri Prishtina) e shumë
atdhetarë të tjerë kanë kontribuar për të krijuar komitetin “Mbrojtja
Kombëtare e Kosovës”, me përfaqësuesit e tyre në Romë dhe në Shqipëri.
Në vitin 1919 ky komitet e caktoi Prishtinën kryetar të delegacionit në
konferencën e paqes në Paris, ku kërkoi bashkimin e Kosovës me
Shqipërinë.
Ka qenë pjesëtar i grupi organizator të kongresit të
Lushnjës, në vitin 1920, dhe pjesëmarrës në këtë kongres. Në korrik të
vitit 1920, ka tentuar të siguronte nga Italia fqinjë (D’Annuzio) një
vapor me armë, por Zogu ndërhyri te kryeministri Sulejman Delvina dhe
nëpërmjet Sejfi Vllamasit e Xhemal Naipit, të mbështetur nga forcat
ushtarake në vend, nuk lejuan shkarkimin e vaporit në Shëngjin, duke
lënë kështu popullsinë kosovare pa armë.
Në vitin 1921, është
zgjedhur deputet i Dibrës në Parlamentin Shqiptar. Më 16 tetor 1921,
kur dha dorëheqjen qeveria e Iliaz Vrionit ka qenë në Vjenë së bashku me
Mehdi Frashërin (në atë kohë ky ishte ministër i Punëve Botore) dhe ka
shprehur habinë kur ka dëgjuar se ky kabinet po zëvendësohej nga
kabineti qeveritar i Pandeli Evangjelit, mbasi aty ai është shprehur se
priste që kabineti të bëhej me Gurakuqin dhe Merlikën (Mustafa Krujën).
Të pranishmit e kanë kuptuar se ai kishte dijeni të plotë për zhvillimet
politike që po ndodhnin në Shqipëri.
Më 7 dhjetor 1921, ka krijuar
kabinetin qeveritar duke pasur në përbërje: Hoxhë Kadrinë në postin e
ministrit të Drejtësisë, Fan Noli-ministër i Jashtëm, Luigj
Gurakuqi-ministër i Brendshëm, Ahmet Dakli-ministër i Financave, Haki
Tefiku-ministër i Punëve Botore, Kristo Dako-ministër i Arsimit dhe Zija
Dibra-ministër i Luftës. Krijimi i kësaj qeverie solli reaksion të madh
në vend. Komentet janë të ndryshme e kontradiktore, por një gjë është
fakt se ish-ministrat, deputetët, funksionarë të qeverisë dhe patriotë
të krahut opozitarë, të shoqëruar nga kapiten Osman Gazepi, në krye të
një kompanie xhandarmërie, janë nisur për në Elbasan, pa dijeninë e
qeverisë së Hasan Prishtinës.
Ndërkohë Bahri Omari dhe
Sali Vuçitërna i dërguan njoftim A. Zogut në Mirditë. Kjo lëvizje
alarmoi qeverinë, e cila urdhëroi marrjen urgjente të masave për të
kapur këtë grup gjallë ose vdekur. Në krye të grupit për marrjen dhe
zbatimin e masave është vënë Hoxhë Kadriu, i cili krahas detyrës së
ministrit të Drejtësisë kryente edhe detyrën e zëvendësministrit të
Punëve të Brendshme. Ministri i Brendshëm i kabinetit qeveritar, Luigj
Gurakuqi, ishte jashtë vendit.
Në mbështetje të qeverisë ishin
gjithashtu edhe forcat e Murat Kaloshit nga Dibra dhe ato të Sali Ohrit
(nipi Aqif Elbasanit) të cilët rrethuan deputetët e qeveritarët në të
përpjetën e Kërrabës së Vogël. Falë ndërhyrjes së major Banush Hamdiut
dhe guximit të Riza Cerovës, i cili u dha ultimatum forcave të Demir
Alisë të hapnin rrugën, u zgjidh paqësisht konflikti ndërmjet vetë
shqiptarëve.
Kabineti qeveritar i kryesuar nga Hasan Prishtina
ndërmori një reformë në Ministrinë e Brendshme, por kjo u prit me
protesta e demonstrata nga populli i Tiranës, gjatë së cilës u hodhën
parulla “poshtë agjentët e Italisë”. Ndërkohë protesta shpërthyen në
shumë zona të vendit dhe Hasan Prishtina nuk vonoi të jepte dorëheqje më
12 dhjetor 1921, pra pas një jave qeverisje. Ndër veprimet e para të
qeverisë së Prishtinës ishte shkarkimi A. Zogut nga detyra e komandantit
të operacionit në Mirditë, por ai nuk iu bind vendimit të qeverisë.
Gjatë kësaj kohe një grup deputetësh, përfshirë Shefqet Vërlacin, Sejfi
Vllamasin, Bajram Fevziun, etj. morën vendim dhe caktuan më 10 dhjetor
Banush Hamdiun komandant të Përgjithshëm të Fuqive Kombëtare, për t’iu
kundërvënë qeverisë së Hasan Prishtinës.
Vendin e qeverisë së
Hasan Prishtinës e zuri kabineti qeveritar i drejtuar nga kryeministri
Idhomene Kosturi, duke pasur në kabinet këshilltarët e ministrave
(ministra asnjanës), i cili pati për mision mbajtjen e qetësisë për të
dy palët deri në vendosjen e legalitetit. Kuptohet se edhe në këtë rast
dora e Zogut shtrihej që larg. Një javë pas formimit të qeverisë së
Kosturit, A. Zogu u kthye në Tiranë në krye të ushtrisë së rregullt dhe
bllokoi të gjithë rrugëdaljet e kryeqytetit, duke kërcënuar me forca
ushtarake. Në këtë rast Zogu përfitoi nga rasti të rimerrte pushtetin
dhe deklaroi: “Qeveria e Idhomene Kosturit e kreu misionin e vet për sa i
përket mbajtjes së qetësisë, dhe, për sa i takon guximtarëve të
grushtit të shtetit, gjykimi i tyre i takon Parlamentit”.
Më 16
dhjetor 1921 ish-ministrat dhe deputetët u rikthyen në Tiranë dhe më 22
dhjetor u hap parlamenti. Në këtë mbledhje Prishtina është shprehur se
“shqiptarit nuk mund t’i mbyllet goja as nga dyfeku dhe as nga topi”.
Pas kësaj deklarate Hasan Prishtina dhe deputetë të tjerë të Drinit
(Dibrës) u deklaruan të rrëzuar. Kjo qeveri ia la vendin qeverisë së
Xhaferr Ypit, më 24 dhjetor 1921, i cili riktheu Ahmet Zogun në postin e
ministrit të Brendshëm.
Kur u krijua qeveria e Xhaferr Ypit, Hasan
Prishtina e ndjeu rrezikun e Zogut, nuk u paraqit në qeveri për të dhënë
shpjegime për periudhën kur qe kryeministër, por u ngujua në shtëpi me
të shoqen dhe pesë persona besnikë të tij, me mendjen për të bërë
rezistencë të armatosur në rast të ndonjë veprimi nga forcat qeveritare.
Kur një grup xhandarësh të komanduar nga kapiten Hodush Kastrati shkoi
për ta marrë me forcë, ai u bëri të qartë atyre se ky veprim do të
sjellë gjakderdhje. Në këto kushte, ndonëse shtëpia u mbajt e rrethuar
nga xhandarët, qeveria (më mirë të themi A. Zogu ministër i Brendshëm) u
detyrua të largojë forcat, duke vënë kushtin detyrues që Hasan
Prishtina të largohej nga Shqipëria.
Në këtë rast Hasan Prishtina
bëri një gjest të lartë fisnikërie dhe shprehu karakterin e tij të
thellë demokrat, ndërkohë shmangu një gjakderdhje të parapërgatitur
ndërmjet shqiptarëve. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, më 22 dhjetor
1921, Hasan Prishtina ka kundërshtuar përbërjen e komisionit hetimor të
krizës ministrore me anëtarë Mehdi Frashërin, Maliq Bushatin dhe Bahri
Omarin (në këtë komision bënte pjesë edhe miku i tij Mustafa Kruja).
Më 10 janar 1922, i përkrahur nga Luigj Gurakuqi dhe Ramiz Daci, i ka
shkruar Bajram Currit, duke i kërkuar organizimin e kryengritjes për të
përmbysur qeverinë. Në mars 1922 Hasan Prishtina organizoi e kreu
veprime diplomatike dhe me forcën e armëve, në bashkëveprim me Bajram
Currin, Hoxhë Kadriun e të tjerë, për rrëzimin nga froni të Ahmet Zogu.
Është cilësuar si një nga drejtuesit e organizatorët kryesorë të
lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922, aktivitet të cilën e vazhdoi
edhe më vonë deri në vitin 1923. Pas kësaj, ashtu sikurse u ndodhi
deputetëve të sipërpërmendur dhe disa udhëheqësve të tjerë nga Kosova,
në vitin 1922, kohë kur qeveria shqiptare e kryesuar nga Ahmet Zogu dhe
Xhaferr Ypi lidhi marrëdhënie me Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, iu
hoq mandati i deputetit dhe filloi ndjekja për eliminimin fizik të tij.
Duke qenë në ndjekje nga ushtria serbe, madje edhe brenda territorit
shqiptar, ai bëri përpjekje, me gjithë Bajram Currin, të organizonin
kryengritje kundër regjimit serb në tokën kosovare. Kjo u tentua në
shkurt 1923, por kryengritja u shtyp dhe pasoja goditi mbi 3500
shqiptarë që u detyruan të largohen nga trojet e tyre dhe të marrin
rrugën e Turqisë.
Prishtina ka qenë përkrah Nolit e Gurakuqit në
ngjarjet e qershorit 1924 dhe një nga burrat më aktiv për zbatimin e
programit të qeverisë së Nolit. Më 26 shtator 1924, së bashku me Fan
Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, etj., mori pjesë në Lidhjen e
Kombeve në Gjenevë, duke kundërshtuar me fakte barbarizmin dhe
gjenocidin që ndiqte klika sllave e Beogradit ndaj popullit shqiptar, në
trojet e veta në Kosovë.
Pas dështimit të lëvizjes së qershorit
1924 dhe rënies së qeverisë së Nolit, u detyrua të largohet
përfundimisht nga toka shqiptare dhe të jetojë jashtë atdheut. Për 11
vjet rresht, ndonëse në mërgim, qëndroi deri në vdekje në krahun e
lëvizjes përparimtare për interesa kombëtare shqiptare, i ndjekur
njëherazi nga serbët dhe nga qeveria e Zogut. Me largpamësinë që e
karakterizonte u përpoq që çështjen e Kosovës ta lidhte e ta
bashkërendonte edhe me popujt e tjerë ballkanikë, për ta shpëtuar dhe
çliruar nga zgjedha e regjimeve shoviniste të huaja, duke propaganduar
fuqishëm krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të
vetëvendosjes, përjashtimit të çdo forme të hegjemonisë së njërit ndaj
tjetrit.
Në një intervistë dhënë një gazetari të fletores “Giornale
d’Italia”, më datë 8 dhjetor 1927, Hasan Prishtina ka vlerësuar
Traktatin e Zogut të lidhur me Italinë. Duket paradoksal fakti, por në
ketë mënyrë dhe me këtë veprim ai ndikonte në ekzaltimin e politikës së
armikut të tij, Ahmet Zogut.
Kritika, akuza e vlerësime për Hasan Prishtinën
Veziri turk e ka akuzuar si rebel që kërkonte t’i vinte zjarrin
Perandorisë Osmane. Është akuzuar për organizimin e një atentati ndaj
Ahmet Zogut në Vjenë, ku u vra një nga oficerët shoqërues të tij (Llesh
Topallaj).
Atdhetarizmi i tij nuk përligj largimin nga qeveria e
Vlorës dhe bashkimin e tij me Esad Toptanin. Kur ka qenë në mërgim
është ndihmuar prej italianëve me një shumë prej 30 000 lira italiane në
muaj, për të përballuar nevojat ekonomike. Mehdi Frashëri, në mbledhjen
e Këshillit Kombëtar, më 22 dhjetor 1921, e ka cilësuar “irredentist
shqiptar”, “ndoshta patriot”, por me një natyrë turbulluese që kërkonte
gjithnjë aventura.
Ka qenë nga patriotët më në zë në Kosovë, një nga
udhëheqësit kryesorë të lëvizjes patriotike. Ka qenë nga bejlerët më të
pasur të Kosovës, një pjesë të pasurisë e ka vënë në shërbim të
interesave kombëtare.
Gjysma e studentëve të shkollës normale të
Elbasanit kanë qenë nga Kosova dhe shumica e tyre është mbajtur me
shpenzimet e patriotit Hasan Prishtina. I përkrahur nga udhëheqësia e
klubit arsimor “Bashkimi” të Shkupit ai i dërgoi në Normalen e Elbasanit
38 nxënës nga Kosova shumicën me financim të tij. Së këndejmi,
rilindësi Josif Bageri, duke shkruar për kontributin e Hasan Prishtinës
për shkollën shqipe dhe lirinë e Shqipërisë, do të konstatojë: “Ky trim
biri i Shqipnis është shembull me veprat e tij kaq shumë shqiptarëve”.
Ka
menduar se nuk mund të ketë Shqipëri pa Kosovën dhe në këto kushte ka
rënë viktimë e propagandës italiane duke rrezikuar ekuilibrin e vendosur
në kongresin e Lushnjës. Është shquar për guxim të lartë në
veprimtarinë politike. Gjatë periudhës 1921-1924 Prishtina u shqua si
një politikan aktiv dhe guximtar për zgjidhjen e çështjes kombëtare.
Eqrem bej Vlora ka thënë se Hasan Prishtina ishte “i mençur, i
shkolluar, njeri me karakter e atdhetar i flaktë, ai punoi në mënyrë të
shkëlqyer për autonominë e vendit të tij, duke arritur, sidomos në këtë
periudhë të dytë dhe të fundit të Risorgimentos (Rilindjes) shqiptare,
të behet një nga personalitetet që zunë vend nderi në historinë
shqiptare”.
Është shprehur se: “Luftën dhe kundërshtimin ndaj
copëtimit, do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi
im”; “Akuza, shpifje, kërcënime, rreziqe nuk më kanë frikësuar kurrë
deri më sot, e kundërshtarët e mi le të janë të sigurt se nuk do të më
frikësojnë as mbas sodit (…). Nderin tem si njeri e si shqiptar e çmoj, e
tham me krenari, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mua
n’idenë t’eme patriotike nuk ka muejtë as nuk do të muej me më shtrue
ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve. Ka me shtrue vetën
vdekja” .
Pesë vjet para martirizimit do të saktësojë: “Unë kam
një rrugë të caktuar para mejet, atë kam shkelë dhe atë do të shkelë
deri në vdekje, rrugën e indipendencës ma të plotë të tan Shqipnisë!”
Gazeta “Lirija”, duke publikuar deputetët e zgjedhur në të katër
vilajetet bën të ditur se janë zgjedhur: “Në Prishtinë: Fuad Pasha,
myfti Hafëz Mustafa efendiu, Hasan beu nga Vuçiterni”.
Gazeta
“Bashkimi i Kombit”, duke komentuar kontributin e Prishtinës për
zhvillimin e arsimit kombëtar ka shkruar :”…bleu një togë abetare për të
dhuruar…kudo që vajti, me këdo që foli ky burrë i ditur dhe i zgjuar
bëri një përshtypje fort të madhe…Ai hapi një shkollë në Moravë, një
shkollë tjetër në Gjilan dhe një tjetër ndë Pozeran. Përveç këtyre kanë
gjetur pesë djem të varfër nga ato vise të cilët do t’i dërgojë në
shkollë Normale të Elbasanit edhe do t’i përmbajë vetë…Pastë shëndet dhe
jetë të gjatë ky mëmëdhetar i vërtetë që rron jo për vete por për
kombin, po edhe kombi do të vijë koha që të ngrejë përmendore këtyre
burrave që kanë bërë dhe bëjnë kurban pasjen edhe jetën për të mirën e
mëmëdheut” .
Gazeta “Bashkimi i Kombit”, duke komentuar
përpjekjet e Prishtinës për mbrojtjen e alfabetit latin të gjuhës shqipe
ka cituar thëniet e tij: “Sado që kundërshtimet për shkronja të shenjta
janë shumë të rrebta, dituria dhe e drejta e poshtërojnë padijen dhe
shtrembërimin. Unë sa të rrojë do të përpiqem për diturinë edhe për
atdheun, për mbrojthtësinë e vendit tonë…” . Po kjo gazetë, shkroi; “Dy
javë më parë i çkëlqyeri Hasan bej Prishtina lajmëroi shkollën Normale
me tejshkrim se nisi 16 çuna. Këto lajme u përhapën si një shkëndijë
elektrike në të gjithë anët e Elbasanit dhe një gas i madh pushtoi
zemrat e të gjithë shqiptarëvet”.
Në vitin 1910 Hasan Prishtina u
bë tribun i fjalës së zjarrtë në mbrojtje të shqiptarëve që po
masakroheshin barbarisht nga Xhavid pasha (fjala në parlamentin turk më 3
prill, ku përmenden Gjakova, Blaca, Luma e Peja) dhe nga Shefqet Turgut
pasha për veprimet e të cilit ai kërkoi më 4 prill thirrjen në
parlament të kryeministrit për të dhënë shpjegime.
Më 11 qershor
ai proteston në parlament për nivelin e ulët të mësuesve të shkollave
fillore ndërsa më 7 dhjetor ka debatuar ashpër me kryeministrin turk për
gjendjen e rëndë dhe padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar nga
politika reaksionare e xhonturqve. Në një replikë me kryeministrin,
gjatë këtij debati, ai është shprehur: “Nuk kërkonj asnjë
pozitë…Megjithatë, mendoj që në qoftë se një kabinet, cilido qoftë ky,
që vjen në fuqi, nuk heq dorë nga kjo politikë dhune e terrori, dhe në
qoftë se nuk pranon si vijë politike bazë, atë të bërjes për vete të
popullit dhe të krijimit të kënaqësisë së përgjithshme, atëherë ai nuk
ndjek një vijë veprimi që përputhet me interesat e atdheut. Meqenëse
përpjekjet e mia janë përqendruar të gjitha në këtë fakt, e quaj si
detyrë që ta përsëris vazhdimisht këtë”.
Tre ditë më vonë ai ka
debatuar përsëri ashpër me kryeministrin Haki pasha, duke e kërcënuar
se: “Sikur të kishte një qeveri me regjim konstitucional, pa dyshim sot
Sadrazemi duhet të ishte në gjykatore të lartë”.
Papajtueshmëria e
tij ndaj qeverisë xhonturke ka vijuar me ashpërsi edhe në vitin 1911,
sikurse përmenden rasti për protestën e tij lidhur me regjistrimin e
popullsisë, ku për interesa të shtetit në përfitim të taksave për një
banorë regjistrohen fiktivisht dhjetë vetë, gjë për të cilën “populli i
Kosovës ka marrë dallgë dhe është revoltuar në kulm,…populli ka të
drejtë t’i kundërshtojë,…qeveria po ua shton taksat, duhen pasur
parasysh jo vetëm interesat e qeverisë dhe të thesarit të shtetit por,
përpara së gjithash, duhet të kemi parasysh të drejtat e popullit,…në
Kosovë, për shkak të regjistrimit të tanishëm ka lindur një pakënaqësi
jashtëzakonisht e madhe” .
Për veprimtarinë tepër aktive të Hasan
Prishtinës, në prag të shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë kanë
shkruar shumë gazeta të asaj kohe. Gazeta “Lirija e Shqipërisë” në
artikullin “Shqipëria e Re” shkroi: “…Ky zotni më parë deputet i
Prishtinës qe një nga më të naltit përfaqësonjës të kombit shqiptar i
cili trimërisht i mbronte të drejtat shqiptare në parlament të Turqisë.
Këto vepra e përpjekjet e tija për dërgimin e 40 e ca djelmve nga Kosova
në shkollën normale të Elbasanit, shkrimet e botimet e tij në gazeta në
gjuhët turqisht, të gjitha për të mirë të Shqipërisë, si kundër edhe
dalja e tij kryengritës në Kosovë e rritën kaq shumë emrin e tij sa
arriti të jetë Hasan Prishtina një nga më të mëdhenj atdhetar…” . Po kjo
gazetë, njoftoi se: “Hasan Prishtina (pasi ka mundur të dalë nga
burgjet serbe) më 16 korrik, të shtunën, ka ardhur nga Trieste në Vlorë,
së bashku me Ismail Qemalin”.
Gazeta bën me dije se “Hasan be
Vuçiterni, i njohur deputet i vjetër në parlament të Turqisë,…ishte
mbajtur pesë muej në kështjellë të Beogradit”.
Në vitin 1920,
rezulton të ketë qenë me qëndrim në Vjenë, nga ku, më 7 janar, i ka
shkruar mikut të vet Sotir Kolea, që t’i bëjë të ditur konferencës së
Paqes masakrat e serbëve ndaj popullit shqiptar në krahinën e Kosovës.
Të
nesërmen e caktimit në postin e kryeministrit ka nxjerrë urdhrin e
parë, më 8 dhjetor 1921, ku ka theksuar: “Mbas dorëheqjes së shkëlqesisë
së tij Qazim Koculi formimi i kabinetit m’u ngarkua mua. Duke u
mbështetur në atdhedashurinë e popullit këtë barrë të rëndë e mora mbi
vete. Shpëtimi dhe përparimi i atdheut varet në qetësinë e
bashkëveprimit të të gjithë bashkatdhetarëve. Pra, ju lutem që të mbani
qetësinë dhe rregullin plotësisht. Ligji duhet të mbahet njësoj për
gjithë nënshtetasit. Ky është urdhri im i parë që u jepet”.
Dy
nga ministrat e tij, Luigj Gurakuqi (ministër i Brendshëm) dhe Fan Noli
(ministër i Jashtëm), kur u krijua kabineti ishin jashtë Shqipërisë, gjë
e cila është e provuar me dokumente arkivore. Sipas dokumenteve të
dosjes, në gjuhën frënge është paraqitur kabineti qeveritar i H.
Prishtinës, ku bëjnë pjesë: Luigj Gurakuqi (ministër i Brendshëm), Zija
Dibra (ministër i Luftës), Hoxhë Kadriu (ministër i Drejtësisë), Koço
Tasi (ministër i Financave), Kristo Dako (ministër i Punëve Botore),
Haki Tefiku (ministër i Arsimit Publik).
Më 11 dhjetor, ai i ka
paraqitur dorëheqjen Këshillit të Naltë, ku ndër të tjera ka shkruar:
“…Kabinetin u mundova me e krijue në mënyrë që të pëlqehej si prej
shkëlqesisë suaj ashtu dhe prej gjithë popullit tue zanë rrugën shumë
ankimeve që kanë pas shkaktue deri më sot një ftohtësi të madhe ndërmjet
krahinavet të ndryshme të atdheut e sidomos ndërmjet Jugës e Veriut.
Por një fuqi misterioze e cila me mjetet ma të ndryshme që ka përdor
gjithmonë për me mbajtun fuqinë qeveritare në dorë e për me bamun
shtetin shqiptar vegël interesash personale edhe këtë herë me
propagandat ma të turpshme e rrënimqare helmoi oficera e ushtarë, mësues
e nënpunës tue bamun me lanë detyrën e shenjt që ju ka ngarkuem shteti
mbi krye. Krijoi nji situatë aq të rrezikshme sa që shtrëngoi edhe
shkëlqesën tuaj me kujtue nevojën e dorëheqjes. I shtrohemi pra kësaj
nevoje dhe paraqis në duar të shkëlqesisë tuej dorëheqjen e kabinetit
t’im tue vajtue hallin e atdheut të dashur derisa ta shpëtojmë”.
Sipas një telegrami që Prishtina i ka dërguar Nolit, ku e fton të
paraqitet në detyrë, rezulton se Bajram Fevziu dhe Mustafa Maksuti
fillimisht kanë refuzuar dorëzimin e detyrës, (kur u caktua kryeministër
Koculi) gjë të cilën e kanë bërë me detyrim një ditë më vonë . Të dy
ishin kundër kabinetit qeveritar të kryesuar nga Hasan Prishtina.
Si
kundërshtar i rreptë i Ahmet Zogut, i është bashkuar protestës kundër
tij dhe ka nënshkruar dokumentin që thekson: “Mjerisht fjalët e
këshillat e qeverisë deri tashti nuk patën asnjë efekt mbi shpirtin
rebel të deputetit të Matit, z. Ahmet bej Zogollit, i cili me një fuqi
të lidhur pas tij për interesa personale ka vendosur për t’u bërë
diktator në Shqipëri…”.
Qeveria e Zogut nuk mund të pajtohet me
sjelljen e Hasan Prishtinës dhe vihet në ndjekje të tij për ta
arrestuar. Janë një numër i shumtë shkresash dërguar prefekturave të
vendit për këtë problem.
I ndodhur në këto kushte, në gusht 1922,
ai bëri përpjekje për t’u larguar nga Shëngjini por dështoi nga që
ndiqej këmba-këmbës prej forcave të xhandarmërisë. Në këtë ndjekje ka
marrë pjesë edhe majori Rexhep Shala (në atë kohë zëvendëskomandant i
regjimentit III në Shkodër), i cili më datë 4 janar 1923, nëpërmjet një
telegrami drejtuar Ministrisë së Luftës për organizimin e lëvizjes
antizogiste nga Hasan Prishtina e nipi Bajram Currit, Hysniu, shkroi:
“Lajmohemi nga Puka se Hasan Prishtina me Hysni Currin i kanë deklarue
popullit qarkut Kosovës për me i kapë pushkët e me i ra qeverisë edhe
ushtrisë qi gjindet ndër ato qarqe. Janë tue mshtjellë njerëz për me
pushtue Krumen. Sot u dërgue një kompani në Pukë edhe u morën masat e
duhuna” . I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme, e
cila më 9 janar urdhëron: “Përgatitni fuqitë dhe nisni në ndjekje të
rebelave…me doemos (ata) të zihen ose të vriten” . Këtë urdhër e ka
përcjellë edhe ministri i Luftës Ismail Haki Tatzati: “Hasan Prishtinën
me shokë ti xeni ose t’i vrisni në mos hyshin në dorë me çdo mënyrë. Ata
që kan guxue me i mbrojt apo arratisen me ta të ndiqen e të dënohen
sikur vet kryetarët…Operacioni të bëhet shpejt e i rrebtë…” .
Në
tetor të vitit 1923, prokurori J.H. Hima, në prokurorinë e përgjithshme
të Shkodrës, i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë vendimin e dënimit me
vdekje të Hasan Prishtinës, duke këmbëngulur në dërgimin e tij para
datës 23 tetor.
Në pamundësi për të shpëtuar nga ndjekjet e
pafundme, më 25 tetor 1923, Hasan Prishtina detyrohet të emigrojë jashtë
vendit. Sapo ka mbërritur në tokën italiane Prishtina vihet në kërkim
të materialeve luftarake për lëvizjen antizogiste. “Kam marrë premtim të
fortë për 50 milionë fishekë, 20 000 pushkë, 12 topa e materiale
luftarake”,-i shkroi ai Bajram Currit (në osmanishte), më 2 nëntor 1923,
nga Roma.
Shtypi italian, duke shkruar për Hasan Prishtinën,
evidentoi se: “Prej disa ditësh ndodhet në Romë Hasan bej Prishtina, ish
ministër shqiptar dhe aktualisht kreu i opozitës ndaj qeverisë së Ahmet
Zogut. Sikundër dihet, para disa muajsh, ai u dënua me vdekje, por
mundi të arratisej maleve nën mbrojtjen e çetave besnike të tij…Pamja e
rreptë dhe e qetë e Hasan beut nuk të le të kuptosh se ai ka qenë
protagonist ngjarjesh të stuhishme, aq më pak e tregon këtë e folura e
tij e matur dhe e kursyer prej diplomati”. Në janar të vitit 1924, Vjena
njoftoi legatën italiane në Tiranë se: “…ky person në kryeqytetin tonë
ka kontakte të vazhdueshme me ministrin tregtar sovjetik, të akredituar
pranë qeverisë sonë. Nga kjo kuptohet se atyre u paraqitet si
përfaqësues legal i një komiteti qendror të veprimit
shqiptaro-maqedonas, eksponenti kryesor i të cilit është Bajram Curri”.
Hasan Prishtina u ndodh në Itali kur u vra Luigj Gurakuqi, madje ai ka
mbajtur fjalën mortore në ceremoninë e varrimit të atdhetarit Gurakuqi,
në Bari të Italisë, në mars 1925, ku ndër të tjera theksoi: “Një
atdhetar, idealisti i shquar shqiptar Luigj Gurakuqi ra dëshmor prej
dorës së një tradhtari, një krimineli, që është i shtyrë prej shumë
tradhtarëve për të kryer një krim kaq të shëmtuar e të dhimbshëm. Kjo
tragjedi helmoi gjithë zemrat e shqiptarëve nacionalistë të vërtetë dhe
gëzoi vetëm ca kriminelë, ca asasinë profesionistë, të cilët e quajnë
veten shqiptarë vetëm sa për t’u bërë vegla të vërteta të të huajve për
dëmin e shtetit dhe të popullit tonë të shkretë. Humbja e Gurakuqit
është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme për ne, por
edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbeten jashtë kufirit të
Shqipërisë së sotme dhe që sado që vuajnë nën grushtin e të huajve,
interesohen për fatin e saj njëlloj si ata që janë nën hijen e flamurit
kombëtarë. O Gurakuq, sot me qindra mijë shqiptarë të vajtojnë dhe
hedhin futën e zisë për ty! Qetësohu, se me të shpejtë trupin tënd me
një nderim të posaçëm do ta çojmë në atë vend ku je lindur, ku je rritur
dhe për të cilin ti re viktimë! O Gurakuq, me trup me të vërtetë vdiqe,
por me emër jo kurrë, se emri yt është shkruar në zemrat e shqiptarëve
të vërtetë, dhe historia e Shqipërisë emrin tënd do ta shkruajë me
shkronja të arta! Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të vrau! Ndofta
edhe prej nesh do të vriten, por të siguroj se idealin tënd asnjë forcë
nuk do të mundet të na e shuajë ose të na e pakësojë. Në këtë mënyrë
tradhtarët duhet ta dinë se do të na shtojnë e forcojnë parimet e tua të
shenjta. Do të vijë një ditë që monumentin tënd do ta ngrehim në
Shqipëri, atë ditë na e tregon gjaku yt i derdhur nër rrugët e huaja.
Sot përkulemi me një respekt të madh përpara trupit të shenjtë, e dikur
do të përulemi përpara atij monumenti! Eh, lamtumirë, o mik i madh, o
ndera e kombit tonë! Të jesh i qetë se shpagën tënde do ta marrim dhe
lulëzimin e Shqipërisë…tamam në caqet e idealit tënd do ta realizojmë”!
Në vitin 1927, Hasan Prishtina ka një angazhim më të madh në mbrojtje të çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi.
Tipike
është një letër që ai i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të
Lidhjes së Kombeve, sër Erik Drymmond, më 15 mars 1927, të cilit i lutet
që “të merren masa të tjera për të ndihmuar një popull të shtypur e të
torturuar”.
Këtu ai evidenton një popullsi të mjeruar prej një
milion banorësh, të cilët shtypen, nuk kanë shkolla amtare, po
shfarosen, vriten, plaçkiten e dëbohen nga trojet e tyre.
Në vitin
1928, Ahmet Zogu nuk mund të durojë më tej akuzat e luftën publike të
Hasan Prishtinës, prandaj dërgon në Vjenë agjentin Ibrahim Lisi për ta
vrarë.
Këtë ligësi të tij e demaskon gazeta “Ora e Shqipnisë”, e
cila shkroi: “…Më 4 të këtij muaji të tana fletoret e Vjenës e të
provincjes i dhanë nji alarm botës për këtë zbulim sensacional të nji
atentati të përgatitun e të subvencjuenuem nga presidenti i Republikës
Shqiptare. Sidomos “Neue Frei Presse” e fletorja e Seipelit “Reichsport”
atakuenë faret rreptas Ahmed Zogun dhe i hoqnë vërejten qeverisë së
tyne qi pranonte në Vjenë një konsull i cili zyrën e tij e kishte
shndrrruem në shpellë kompllotesh. Fletoret të gjitha u dalin zot
nacjonalistavet shqiptar e kërkojnë qi nën nji flamur zyrtar mos të
durohen në Vjenë asasinët e sikarët e Zogut”.
Gazeta austriake pati
shkruar, ndër të tjera: “Lisi ia hedh fajin presidentit të Republikës
Shqiptare, Ahmed bej Zogut, se ky bashkë me dy persona të tjerë e ka
shty me vra Hasan bej Prishtinën, i cili sot padyshim është nga
kundërshtarët ma të mëdhenj e ma të rrezikshëm të Zogut…”.
Gazeta
“Ora e Shqipnisë”, më 28 shkurt 1928 shkroi: “…bisha nuk është ngopur
ende. Gjaku që tash sa vjet po thith nga dejet e më të mirëve shqiptarë
nuk e ka shuar ende etjen e gjakpirësit president…Tiranët kanë etje për
gjak. Këtë herë Ahmet Zogu don të shkelë mbi trupin e Hasan Prishtinës”.
I betuar deri në vdekje si armik i Ahmet Zogut, Hasan Prishtina
deklaroi në gazetën “Ora e Shqipnisë”: “…Atë ditë qi për të mirën e
atëdheut hyëna në fushën e politikës, kam pranue edhe të gjitha ataket,
kundërshtimet, akuzat e shpifjet e atyne të cilët në veprimet e mia o do
të shifeshin, të gënjyëm, rrënimin e atdheut, o do të konsideroshin të
mërzitun, pengimin e realizimit të qëllimeve të tyre personale… Unë jam
kenë dhe jam prap sot anmik i rrebët i politikës jugosllave në Shqipni,
pse kam kenë dhe jam prap sot plotësisht i bindun qi interesat e atij
shtetit janë fare në kundërshtim me interesat e shtetit t’onë shqiptar…
Në vend të një kolltukut me turp në Stambollë preferova kryengritjen me
nder në malet e Kosovës. Akuza, shpifje, kërcnime, rreziqe nuk më kanë
frikësue kurr deri më sot e kundërshtarët e mij le të jenë të sigurtë se
nuk do të më frikësojnë as mbas sodit. Unë kam nji rrugë të caktueme
para mejet: atë kam shkelë dhe atë do të shkeli deri në vdekje-rrugën e
indipendencës ma të plotë të tanë Shqipnisë! Rrugën e trathëtisë as nuk e
kam shkelë as nuk do t’a shkeli kurrë edhe pse disave sot po u kande me
më quajt publikisht tradhëtor! Në kjoftë se këta kanë ngulë syet në
personen t’eme tue kujtue se unë trembem prej shpifjeve të tyne e do të
ndërroj rrugë, u diftoj kjartas se kanë gabue adresë. Nderin t’em si
njeri e si shqiptar çëmoj, e tham me kreni, nuk e le të përlyhet me
llumin e shpifjeve. Mue n’iden t’eme patriotike nuk ka mujtë as nuk do
të muej me më shtrue ari i tanë botës, por as mënia e të tanë armiqve!
Ka me më shtrue vetëm vdekja!” Në qershor 1928 gjyqi hetues i posaçëm ka
nxjerrë letër ndalimin për Hasan Prishtinën, ku thekson: “I
sipërpërmenduri është i pandehur për një çështje atentati, vepra e tij
është krim…mbasi u mor mendimi i Prokurorisë, u pa e nevojshme të
ndalohet për një kohë të pacaktuar; çdo ftues, polic o xhandar është i
detyruar ta sjellë në gjyq të Tiranës”.
Kryetari i Gjyqit Politik,
Shefki Shatku, ka vendosur: “…Kryesia e Gjyqit Politik që prej datës
shpalljes së këtij vendimi të pandehurit të lartpërmendur i jep dhjetë
ditë afat për t’u prezantuar para gjyqit. Në qoftë se nuk i paraqitet
gjyqit brenda këtij afati vërteton se nuk don t’i bindet ligjës dhe
kështu gjyqi do ta shikojë në mungesë, kanë me ju rrëzuar të drejtat
civile, ka me ju sekuestrue pasuria dhe në asnjë mënyrë nuk do të ketë
të drejtë ankimi mbi veprimet e kryera. Të gjithë xhandarët dhe policët
janë të detyruar në zënjën e tijë”.
Sipas një artikulli të gazetës
“Ora e Shqipnisë”, u bë e ditur se Hasan Prishtina dënohet “me vdekje
incontuniaciam (në mungesë),…se gjoja kishte organixue at komplot (është
fjala për një atentat të padeklaruar kundër Zogut-H.L.). Kjo asht hera e
pestë qi ky patrijot dënohet me vdekje” . Në këtë numër të “Ora e
Shqipnisë” Prishtina përgënjeshtroi lajmin se ka kurdisur komplot kundër
A. Zogut, duke u shprehur “ky lajm asht krejt i trilluem e nuk asht
tjetër veç se nji manovër e kjartë e Zogut me mujtë me çue në vend
qëllimet e veta”. Duke argumentuar përse Zogu vepron në këtë mënyrë,
Prishtina nuk nguron të akuzojë se “Ahmet Zogu, sikur jam i lajmuem nga
Shqipnia, nuk e ka hjekë ene mendimin me më largue këso jete nonse nuk i
duel herën e fundit nëpërmjet Ibrahim Lisit”.
Edhe në vitin
1929, ai i është drejtuar Lidhjes së Kombeve, duke protestuar për
gjendjen e mjeruar të shqiptarëve nën sundimin serbo-kroato-slloven,
ndërsa në vitin 1930 ka dërguar një memorandum në adresë të këtij
organizmi të lartë ndërkombëtar, duke hedhur poshtë deklaratën e
qeverisë jugosllave mbi gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe ndërkohë
kërkon dërgimin e një komisioni hetues. Edhe në vitin 1931, ai ka
protestuar për këtë problem, në emër të bashkatdhetarëve të tij në
Konstancë të Rumanisë.
Gjatë këtyre viteve të fundit në emigracion,
Hasan Prishtina ka banuar defenitivisht në Stamboll, por në janar 1933 i
ka kërkuar Drejtorisë së Policisë së Vjenës t’i miratohet leja për t’u
rikthyer sërish në kryeqytetin austriak. Autoritetet policore austriake,
duke vlerësuar ekspozimin e veprimeve të tij politike, nuk e kanë
miratuar lutjen e paraqitur.
Kryekonsulli shqiptar në Rumani ka
njoftuar më 16 mars 1933 Ministrinë e Jashtme se në Rumani Hasan
Prishtina “ësht’ konsideruar indezirabil”. Sa sipër ka kërkuar të jepen
të dhëna për pasaportën që mban, të dërgohet ndonjë fotografi, me qëllim
që të njihet dhe të kapet e të burgoset nga organet e Sigurimit në
Rumani . Të dhëna të tilla kanë dhënë konsullatat shqiptare edhe në
Greqi, Bullgari dhe Austri, të cilat kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e
Hasan Prishtinës. Më 23 qershor konsullata shqiptare në Vjenë ka
njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme se më 22 qershor 1933
autoritetet policore të Vjenës kanë dëbuar Hasan Prishtinën, i cili në
këtë periudhë lëvizte me pasaportë turke, lëshuar në emër të Hasan Ahmet
bej.
I ndjekur gjithandej, në fillim të korrikut Hasan Prishtina ka
ndaluar në Selanik, ku u ekzekutua në mesin e muajit gusht nga njerëzit
e Ahmet Zogut. Lidhur me këtë vrasje gazeta greke “Apogjevmatini”, duke
akuzuar bashkëpunimin Zogu-Jugosllavia, ka theksuar se “Kjo veprimtari e
tij qe nën vërejtjen e pafjetur të Jugosllavisë, që në personin e tij
shihte një armik të rrezikshëm të sigurimit në shtetin jugosllav.
Prandaj i binin pas kudo e kurdoherë në udhëtimet e tij në shtete të
ndryshme”. Një intervistë e papërfunduar e Hasan Prishtinës, dhënë
gazetës “Dajti”, shpreh qëndrimin e tij kundër Zogut, por ndërkohë edhe
paaftësinë për të kuptuar se çfarë ai po përgatiste për t’u rikthyer në
pushtet dhe dëbuar apo eliminuar fizikisht të gjithë kundërshtarët e
vet, kur ishte në Beograd.
Vrasja e Hasan Prishtinës
Në jetën e tij ka mundur t’u shpëtojë katër atentateve, është burgosur
dy herë nga serbo-malazezët dhe flitet se është dënuar gjashtë herë me
vdekje nga xhonturqit, Esad Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe
tri herë nga qeveria e Zogut.
Më 13 gusht 1933, vritet në Selanik
nga njerëzit e paguar prej Ahmet Zogut dhe qarqet shoviniste serbe. Për
këtë vrasje gazeta greke “Maqedonia e re”, shkroi: “Një vrasje tjetër që
u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan
Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes
“IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 28 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë
ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtina”. Artikulli përmbante
tekstin në vijim: Vrasja u krye në orën 2 mbas dite, më datë 13 gusht
1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me
tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur
mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin
e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI”
dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janupollo. Njeriu
me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu
kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në
trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të
turret me mizori të pa rrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre
plumba të tjerë, dy në krahëror dhe të tretën në kokë, si e shtënë
vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes.
Fill pas krimit të tij, vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së
mbledhur, që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku. Nga
tronditja ai ra në vitrinën e tregtores “Beharnae” të cilës ia dëmtoi
tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës “Paleon Patron” ku
u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në
banesën e mjekut z. Dukidhis, ku dhe iu dorëzua rojës së policisë. Por
nuk mundi t’i ikë egërsimit të turmës. Kalimtarët që e ndoqën dhe
banorët fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur identitetin e tij dhe as
motivet e vrasjes, të indinjuar prej egërsisë që tregoi vrasësi ndaj
viktimës, sa panë të vinte skuadra e policisë, u turrën edhe ata duke
thirrur: “Shqyejeni, shqyejeni vrasësin”.
Ndërsa polici më kot
përpiqej të shpëtonte atentatorin, turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta
grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit.
Do ta kishin çarë përgjysmë vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në
një tjetër shtëpi, në rrugën “Paleon Patron”, ku u strehua nga i zoti i
shtëpisë, i cili nxitoi t’u mbyllte derën e jashtme turmave të
zemëruara. Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri Z.Zografo,
dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të
policisë. Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në
Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia. Në orën 2.50 minuta
pas dite oficeri Sotiri nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e
njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe
gjuhën turke. Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve
politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte
komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të
vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet,-thotë atentatori,-m’i
tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjetë ditëve, kur po vinim prej
Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës
komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin, Ahmet Zogun.
Prishtina,-vijoi vrasësi,-më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim
dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të
tij, sepse jam pro regjimit të mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të
bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhtar.
Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregtar frutash,
ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u
njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ishte shpërngulur në
Nikea për hir të shlodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare.
Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kishte treguar për rininë,
vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe
Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtar kundër
xhonturqve. Mori pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e
vet për çështjen shqiptare”.
Deri në vitet 1960 Hasan Prishtina
konsiderohej si tradhtar në tekstet e historisë së Shqipërisë, por më
pas ai u rehabilitua. Në vitin 1977 eshtrat e të ndjerit u sollën nga
Greqia në Shqipëri dhe ai u varros në qytetin e Kukësit me një ceremoni
rivarrimi më 6 dhjetor.
Austriaku Herbert Urban, kolonel në pension,
biri i kolonelit Modestus Urban, mik nga afër i Hasan Prishtinës nga
viti 1905-1931, e përjetësisht, i kombit shqiptar, më 15 mars 1980, në
Vjenë, i ka dhuruar prof. Dr. Muhamet Pirrakut, kur ishte me studime
aty, disa mjete të përdorura nga Hasan beu, duke u shprehur se kam
“…shumë gjësende të Hasanit e të gruas së tij, Zonjës Igballe, amanet të
babait e të mëmës sime, për t’ia kthyer kombit shqiptar….!” Sot ato
“artefakte” ruhen në muzeun privat të Pirrakut, në Prishtinë.dukagjini.com
No comments:
Post a Comment