Thursday, January 3, 2013

Koktejet e frutave përmbajnë më shumë sheqer se Coca-Cola

Koktejet e frutave përmbajnë më shumë sheqer sesa një gotë e Coca-Cola-s, bëhet e ditur në një studim të fundit. Pijet nga frutat deri më tash janë konsideruar si zëvendësim apo alternativë e duhur për pijet e gazuara, mirëpo, sipas studimit, ato mund të jenë 10 herë më të ëmbla sesa Coca-Cola.
Ananasi, mango, apo në përgjithësi koktejet e frutave, përmbajnë më se shumti sheqer, 36,75 gr në 250 ml, që është e barabartë me shtatë lugë sheqer, derisa sasia e njëjtë e Coca-Cola-s përmban 26,5 gr sheqer.
“Koktejet e pemëve janë të mira për shkak të përmbajtjes së vitaminave dhe përmbajtjes tjetër që kanë brenda vetes. Mirëpo, po ashtu, mund të përmbajnë edhe nivel të lartë të sheqerit dhe të kalorive, kështu që duhet pasur kujdes me sasinë që e fusni në organizëm”, ka deklaruar Richard Lloyd, drejtor i shoqatës për mbrojtjen e konsumatorëve “Which?”.
“Sado që kujdeseni për dhëmbët tuaj, sheqeri mbetet sheqer. Në kombinim me pijet e ndryshme që fitohen nga agrumet, prapë se prapë mund t’i bëjë dëm dhëmbëve tuaj”, ka thënë ndërkaq, dentisti Paul Diss.
Gjatë hulumtimit janë testuar 52 kokteje frutash dhe është konstatuar se kanë përmbajtje më të madhe të kalorive sesa një gotë 250 ml e Coca-Cola-s, që ka 105 kalori. /Dukagjini.com

No comments:

Post a Comment