Saturday, January 5, 2013

Historia e emigrantit që mbërriti ilegalisht në SHBA dhe që fitoi trofeun e shumëlakmuar të “Dancing ëith the Stars”

 Mund të kishte zgjedhur të martohej në Hollivud, por zgjodhi një amerikane me origjinë nga Dibra e Madhe. Mund të jetonte në Beverli Hills, por zgjodhi familjen në Konektikat


Është pa diskutim shqiptari më i suksesshëm për vitin 2012. Me fitoren e spektaklit më të shikueshëm të Amerikës “Dancing ëith the Stars” bëhet shqiptari i parë që fiton një trofe të tillë në shtetin më të fuqishëm të botës me një popullsi mbi 300 milionë banorë dhe shikueshmëria në natën finale kishte kapur rekordin e 32 milionë teleshikuesve. Dhe ky është Tony Dovolani nga Prishtina. Djaloshi kosovar me shpirt shqiptari thotë në intervistën e tij të parë për mediat në Shqipëri se këtë fitore ua ka dedikuar të gjithë shqiptarëve në 100-vjetorin e Pavarësisë. “U ndjeva më i lumturi në botë që fitova këtë trofe pikërisht në ditën e Pavarësisë me 28 Nëntor”. Ishte një punë e përkushtueshme disavjeçare për të ardhur te nata e suksesit të madh. Ky trofe është si sakrifica shumëshekullore e popullit shqiptar për të ardhur më 28 Nëntor të vitit 1912 ku burrat e kombit me Ismail Qemalin në krye ngritën flamurin në Vlorë. Prandaj për mua do të mbetën dy data të shënuara në kujtesën time, si data të shpirtit sakrificës që fitohet gjithçka”. Do të shprehej i entuziazmuar, balerini shqiptar nga Kosova për gazetën “Shqip”. Një shqiptar që ka provuar gjithçka për të ardhur deri te suksesi. E ka filluar jetën emigrante që pjatalarës dhe për të përfunduar në ëndrrën e gjithsecilit, në jetën hollivudiane vetëm në sajë të pasionit të tij të madh për vallëzimin. Dy herë kampion bote e bën pa diskutim si rekordmenin e parë shqiptar që njeh një sukses të tillë. Megjithëse me gjithë këto trofe dhe famë botërore ai asnjëherë nuk u kujtua nga autoritetet shqiptare dhe kosovare, të cilët janë më të interesuar për performancën e artistëve komercialë shqiptarë. Megjithëkëtë padrejtësi ai kurrë nuk mban mëri për askënd, sepse thotë e bëj për shpirtin tim kuqezi dhe për gjakun e heronjve shqiptarë, me të cilët krenohet kudo edhe me miqtë e tij më të famshëm hollivudianë. Shqiptari nga Prishtina arriti të trajnojë me vallëzimin e tij artistë të mëdhenj, si Richard Gere, Jenifer Lopez, Ëill Smith, Sara Evans, Suzan Luci, e sa e sa të tjerë deri te Melissa Recroft me të cilën ndau edhe trofeun e fundit të këtij viti.. Ky është kampioni absolut, Tony Dovolani, i rritur me ndjenja të larta patriotike në sajë të edukimit të familjes së tij që dhanë gjithçka për pavarësinë e Kosovës.

 Intervistoi: Marko Caka

Tony, së pari ju falënderoj për intervistën tuaj për lexuesit shqiptarë dhe dua të filloj me origjinën tuaj?
Edhe unë ju falënderoj që më jepni mundësinë të flas për gazetën “Shqip” dhe për lexuesit, bashkëkombës të mi. Unë kam lindur dhe jam rritur në Prishtinë, por me prejardhje jam dibran. Në Amerikë kam ardhur në prill të vitit 1989. Ardhja ime këtu ka qenë për shkak të azilit politik, ngaqë babai dhe xhaxhallarët e mi ishin të aktivizuar në politikë. Dhe për arsye të përndjekjes dhe zhdukjes si familje nga serbët u larguam nga vendi ynë.
A mund të na e thoni si e nisët karrierën për t’u bërë një balerin profesional dhe pastaj një yll i vallëzimit amerikan?
Dëshira për kërcim më ka lindur që fëmijë, pra kur im atë më kuptoi që në moshën 3-vjeçare se kisha talent dhe ëndërronte që do të bëhesha një balerin i vërtetë. Më shikonte që doja të kërceja vazhdimisht në shtëpi, atëherë më dërgoi në ansamblin “Shota” të Prishtinës, dhe që aty nuk iu ndava kërcimit si valltar. Kjo gjë më shoqëroi edhe në Amerikë. Në fillim me anë të disa filmave doja të imitoja artistët e mëdhenj të vallëzimit, dhe që aty më lindi ideja se jeta ime do të jetë vetëm me dancing.
Po largimi juaj për në tokën e premtuar si u krye, a erdhët me vizë apo ilegalisht?
Unë nuk kam ardhur me vizë, por babai asokohe kishte pasaportë diplomatike, sepse ishte diplomat në ish-RF të Jugosllavisë. Ishte prilli i vitit 1989 dhe situata ishte shumë e rëndë, në prag të luftës. Ardhja e Millosheviçit nisi të eliminonte politikanë që nxisnin ndarjen e Kosovës në republikë të vetme. Dhe një shënjestër ishte edhe familja e jonë e madhe e Dovolanëve, ku me xhaxhain në krye Muharrem Dovolani, dha gjithçka nga shpirti i tij duke mbledhur fonde në përkrahje të luftës së Kosovës. Atëherë kur jeta e familjes sonë ishte vënë në rrezik, vendosëm të largoheshim nga Kosova. U paraqitëm në ambasadën amerikane për vizë, por nuk na e dhanë, sepse akoma nuk bindeshin që kishim probleme në Kosovë me regjimin millosheviçian, sepse ky regjim sapo kishte nisur të nxiste konfliktin etnik në Jugosllavi. Por, ne nuk u dorëzuam me kaq, morëm rrugën e arratisë duke përshkuar disa shtete europiane si Austri, Zvicër, Gjermani dhe Meksikë. Pastaj nga Kalkuna e Meksikës kemi mbërritur në anën tjetër ku na priste babai ynë. Jemi dorëzuar në një kamp refugjatësh, në kufirin amerikan dhe që aty na sollën për t’u regjistruar në zyrat e emigracionit në Nju Jork. Falë disa shkrimeve në gazetat e asaj kohe, ku shtjellohej historia e përndjekjes së babait tonë nga regjimi millosheviçian, autoritetet amerikane u bindën për të pranuar azilin politik të familjes sonë.
Në çfarë moshe ishit atëherë?
Isha 15 vjeç, kur nisa të kërkoj punë. Në fillim punova si pjatalarës në restorant. Dhe një ditë në restorantin tonë kalon një shpërndarës i fletushkave me reklama i një shkolle vallëzimi, që promovonte talente për karrierë brilante. Pashë kuzhinierin që tërhoqi një fletushkë dhe unë nga kureshtja e pyeta se për çfarë ishte dhe ai më sqaroi se është një shkollë që prodhon talente. I thashë se jam i interesuar për këtë dhe ai më dërgoi te studioja ku u regjistrova. Që aty pasioni im nisi të marrë udhë. Mund të them që këtu nisi karriera ime, pra së pari si nxënës dhe më vonë si mësues në trajnimin e të rinjve. Më vonë garova në kompeticionet e mëdha të vallëzimit, pasi kisha fituar një përvojë dhe me disa trofe kombëtare. Në vitin 1998 përfaqësova SHBA-në në kampionatin botëror të vallëzimit. Doja të përfaqësoja Shqipërinë, por atëherë nuk kisha një bazë dhe sponsorë, pastaj vendosa ta bëj për Amerikën.
A bëtë ndonjë kërkesë që ta përfaqësonit Shqipërinë?
E bëra një kërkesë, por më duket se kërkesa ime nuk vajti në vendin e duhur, se ndryshe besoj se do kishin reaguar pozitivisht. Por unë nisa të përfaqësoj Amerikën dhe pas një pune shumë të lodhshme dhe të gjatë, arrita të fitoj dy botërorë rresht, në 2005-‘06 për ngjyrat e Amerikës. Dua ta theksoj se ka qenë një kampionat shumë i vështirë me konkurrentë të fuqishëm, saqë në trofeun e dytë ishte akoma më e vështirë për ta mbrojtur. Një vit, para se të fitoj dy titujt botërorë, kishte filluar karriera ime në Hollivud me disa kërkesa në film, si me Richard Gere dhe Jennifer Lopez ku më ftuan edhe në rolin e trajnuesit të tyre. Pastaj si kampion bote më erdhi një ftesë nga Anglia për në spektaklin e suksesshëm reality, “Dancing ëith the Stars”, dhe e refuzova ngaqë isha plot me angazhime dhe kontrata të firmosura në Amerikë. Por, në sezonin tjetër e pranova ftesën e tyre që do të më shoqëronte për 14 sezone rresht me shumë tituj të nënkampionit dhe të kampionit në fuqi. Është një nga eksperiencat më të veçanta të jetës sime që kulmojnë me famën time në Amerikë dhe në Britaninë e Madhe. Duke pasur partnerë artistët më të famshëm të këtyre dy vendeve me karrierë brilante në botën e artit dhe të sportit.
Jeta juaj kaloi në shumë vështirësi, por pastaj gjithçka ndryshoi. A mund të na thoni sesa e vështirë është të hapen dyert për një artist?
Amerika është një vend interesant që ofron karrierë për të gjithë pa dallim. Nëse punon ta jep mundësinë të ecësh përpara sado që të jesh i huaj. Mbase në vendet e tjera nuk ekziston shpesh ky rregull. Këtu në Amerika nuk ecën me të njohur, pra me mik, por nëse punon dhe arrin nivelin e duhur, ata respektojnë gjithë sakrificën tënd. Këtë nisa ta ndiej që kur arrita suksesin e parë, kur fitova botërorin dhe dyert filluan të hapen vetë dhe shumë lehtë, sepse këtu vlerësuan çmimet dhe punën që më kishte çuar deri te trofeu. Për mua si shqiptar, në “Dancing ëith the Stars” në Angli në fillim u shqetësova se me anë të emrit më dinin për italian. Por unë u thashë se nuk jam as italian e as grek, por jam me gjak shqiptari. Të njëjtën gjë m’u desh të bëj edhe në SHBA. Unë vazhdoj ta besoj se ne kemi vetëm një flamur. Mund të më japin shumë flamuj, por në shpirtin tim kam vetëm një dhe ai është kuqezi. Më kujtohet një natë gjatë garimit në spektaklin “Dancing ëith the Stars” të vitit 2006 marr babanë në telefon dhe i them me shiko sonte, sepse kam një surprizë për ty dhe për gjithë shqiptarët. U paraqita me kostumin kuqezi me shqiponjë për të treguar se jam shqiptar dhe se e dua me shpirt flamurin dhe kombin tim. Kjo ishte një përgjigje ndaj atyre që fshiheshin pas talentit të tyre dhe nuk tregonin identitetin e tyre, pra origjinën e tyre shqiptare. Doja t’u tregoja të gjithë atyre që kishin shitur flamurin e tyre për një grusht para, sesa i shtrenjtë është dhe që është derdhur gjak për ta gëzuar sot të lirë dhe të pavarur.
Kjo që bëtë ishte në periudhën kur Kosova kërkonte pavarësinë e saj dhe për këtë gjest patriotik a kishte reagime?
Po, kishte, madje shumë reagime sidomos nga serbët, të cilët më thoshin se veprimi juaj me ngjyrat e kombit shqiptar është një propagandë politike dhe provokuese. Por unë nuk u tremba aspak, dhe nisa ta përsëris edhe herën tjetër duke përdorur një bluzë me flamurin e Kosovës, për t’u thënë të gjithëve se jam kosovar dhe kërkoj të drejtën time legjitime, të pavarësisë së shtetit tim. Kjo ishte një çështje shumë e rëndësishme jo vetëm për ata që janë në Kosovë, por për të gjithë shqiptarët kudo, duke pasur parasysh audiencën e televizorëve të rëndësishëm amerikanë dhe britanikë anembanë botës. Për këtë marr me mijëra mesazhe nga shqiptarët dhe shumë miq të vendit tonë për suportin ndaj pavarësisë së Kosovës.
Duke pasur parasysh që shumë shtete të ndryshme të vogla dhe të panjohura në botë i vlerësojnë yjet e tyre që kanë famë botërore duke i emëruar ambasadorë nderi, në rastin tuaj, a keni pasur kontakte nga instanca të autoriteteve përkatëse kosovare që ju të jeni një ambasador nderi i Kosovës në këtë periudhë që shteti i saj i sapokrijuar po kërkon një njohje më të gjerë?
Këtë që po bëj këtu në Amerikë e bëj, sepse zemrën e kam shqiptare dhe për një shqiptari të madhe kundrejt asnjë shpërblimi. Nëse do më kërkohej një gjë e tillë, sigurisht që do e pranoj për Kosovën dhe mbi të gjitha për kombin tim. Për vendin tim jam i gatshëm ta bëj se e dua me shpirt.

A keni qenë ndonjëherë në Shqipëri?
Po, kam qenë në festivalin e vitit 2008. Ishte hera e parë që preka vendin mëmë dhe më pëlqeu aq shumë sa nuk ngopesha duke e parë. Kur mbërrita në Tiranë u mahnita dhe më dukej interesante që çdo gjë ishte shkruar në shqip, dhe kur shihja edhe njerëzit që flisnin vetëm shqip më gëzohej zemra. Pashë një arritje të madhe edhe me festivalin më të madh të këngës shqiptare, më zërat e bukur të këngës shqiptare. Më kishte bërë ftesë Elsa Lila me Petrit Becin që për mua janë njerëz shumë të mrekullueshëm dhe u jam shumë mirënjohës. Por nuk mund të lë pa përmendur edhe miken time, bilbilin e diasporës, Aurela Gaçe, që është përveçse një këngëtare e shkëlqyeshme, dhe një njeri i mrekullueshëm që e ka zemrën sa mali.

Ju keni pasur edhe një darkë personale me ish-presidentin Bill Klinton, a mund të na thoni se çfarë biseduat me të dhe çfarë përshtypje kishte për shqiptarët dhe Kosovën?
Është një takim i paharruar për mua. Ai është një njeri i mrekullueshëm dhe me një shpirt madh. Mbi të gjitha miku më i madh i shqiptarëve. Sigurisht që biseda jonë ishte e përqendruar tek origjina ime. Për Kosovën me fliste vazhdimisht dhe kishte një njohje të gjithanshme më mirë sesa një banor i Kosovës. Klintoni kishte rëndësi të madhe për pavarësinë tonë dhe ai më fliste për kontributin që duhet të japim të gjithë për Kosovën, si dhe domosdoshmërinë e njohjes së shtetit të saj nga të gjitha vendet. Për këtë ai ishte mjaft optimist se shumë shpejt do të ndodhte. Ai më foli për vendimin e tij që ndërmori kundër gjenocidit millosheviçian, si një vendim madhor e human dhe ndihej krenar që është pjesë e asaj fitoreje të madhe të çlirimit të Kosovës. Në bisedë, Klintoni ishte shumë interesant, dinte gjithë ato gjëra për shqiptarët dhe mendonte se shqiptarët historikisht kanë luftuar për paqe dhe kundër padrejtësive që u janë bërë. Ai më tha se ne tani duhet të luftojmë për veten tonë dhe të jemi më të bashkuar se kurrë. Duhet ta heqim atë ndarje që na e kanë imponuar fqinjët. Ai më tha: Nëse e dëgjoni në Amerikë që themi se si amerikanët nuk ka, ashtu duhet ta çmoni edhe ju njëri-tjetrin e të thoni që si shqiptarët nuk ka, sepse kjo trashëgon vlera të çmuara vëllazërimi.
A ju shprehu ndonjë ide se ka ardhur koha për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm?
Ai nuk mund të shpallë asnjë gjë, dhe askush tjetër që është jashtë trojeve tona. Klinton më ka thënë se vullneti duhet të jetë vetëm i shqiptarëve, duhet ta duan njëri-tjetrin dhe pastaj të kërkojnë bashkimin në një trung të vetëm. Dhe këtë aspiratë askush nuk mund të na e ndalë.
Të vijmë te jeta juaj personale, ku jetoni tani?
Jetoj në shtetin e Konektikatit. Aty kam familjen dhe nëse nuk je afër familjes nuk je askush. Pastaj ky shtet, që është shumë afër Nju Jorkut, më pëlqen shumë, sepse është vendi më i përshtatshëm për shkollimin e fëmijëve të mi.
A ju pengon distanca e Los Anxhelosit me vendbanimin e familjes suaj në Konektikat?
Jo, aspak, unë jam në Los Anxhelos vetëm në kohën e shoë-ut gjatë dy sezoneve në vit, dhe pjesën tjetër jam pranë familjes sime në Konektikat. Producentët më kanë ofruar shtëpi në Beverli Hills, por unë nuk pranoj ta transferoj familjen, sepse jemi mësuar të qëndrojmë pranë familjeve tona dhe të afërmve tanë. Nuk dua që fëmijët të mësohen me jetën hollivudiane. Nuk dua që të jetojnë jetën e filmave, por të ndiejnë realitetin e përditshëm që nesër të jenë të fuqishëm dhe t’i përballojnë vetë situatat e jetës. Prandaj kam zgjedhur Nju Jorkun si vendi më i rëndësishëm i gjithë botës, me shumë përzgjedhje multikulturore. Dua që fëmijët të njohin të gjitha kulturat e popujve të ndryshëm, në mënyrë që ata të krahasojnë se sa e çmueshme është kultura shqiptare.
Fama juaj nuk ka ndikuar aspak në zgjedhjen e njeriut të jetës suaj, që bashkëshortja juaj të jetë shqiptare brenda tradicionales.
Po, bashkëshortja ime është një shqiptare nga Dibra e Madhe dhe familja e saj ka emigruar në Staten Island. Shumë më pyesin të çuditur sesi e kam marrë gruan shqiptare dhe se unë jam artist e puna më lidh më shumë me jetën hollivudiane. Ndërsa unë u përgjigjem prerë, që edhe artistët e meritojnë të zgjedhin njeriun e zemrës së tyre. Dhe aq më mirë kur është nga vendlindja, sepse na bashkon e njëjta gjuhë dhe të njëjtat tradita e kulturë.

Meqenëse suksesi juaj ka prekur Hollivudin dhe jeni shumë i famshëm, a është e vështirë të ruhet familja në distancë duke marrë shkas edhe nga eksperiencat e hidhura të artistëve të mëdhenj?
Për ne shqiptarët burri është koka e familjes dhe gruaja është qafa. Gruaja duhet të vlerësohet për vlerat e saj, për kujdesin e familjes dhe të fëmijëve. Bashkëshortja ime është shtylla, shpirti i familjes, që jep gjithçka që ajo të jetë e shëndoshë dhe e paprekshme. Unë jam krenar për të. Mua si bashkëshort më duhet që të çmoj vlerat e saj dhe ta ngre në piedestal për këtë sakrificë, për edukimin e fëmijëve të mi, së pari me moralin e lartë të shqiptarit. Unë dua që gruaja ime t’i rrisë vetë fëmijët, dhe jo me dado, sepse kurrë nuk do të jenë ata që janë tani. Ata flasin shumë mirë shqip dhe sillen me traditat shqiptare. Janë shumë të sjellshëm dhe vlerësojnë cilindo bashkëmoshatar të tyre. Të gjitha këto në sajë të edukimit të bashkëshortes sime, Linës. Gjithashtu fëmijët e mi mësojnë me programin e gjuhës shqipe në sajë të “DigitAlb” të “Top Channel”. Ky kanal i ka ndihmuar shumë që ata të mësojnë gjuhën drejtshkrimore, si dhe kulturën shqiptare. Në fillim e kishin fjalën e tretë në shqip, pak më vonë fjalën e dytë në shqip, dhe tani çdo fjalë në shqip. Pra janë të interesuar që të kenë gjithçka në shqip.
Sa fëmijë keni?
Kam tre fëmijë, vajzën 7-vjeçare Luana, dhe dy binjakët 4-vjeçarë, Adrianin dhe Arianën.
Vihet re një tendencë patriotizmi me tradita të çmueshme për familjen. Nga e keni të trashëguar këtë?
Nga babai, pra nga prindërit, që i kam shumë fisnikë e patriotë dhe mbi të gjitha me vlera të larta edukative. Madje kur më pyesin se kush ka qenë idhulli im, unë u them se vetëm babanë kam pasur për idhull, se ai ka qenë gjithçka për mua. Ai është heroi im më i madh.
Tani ku jeton babai juaj?
Ai jeton në Sant Petersburg në Florida dhe ka një hotel të tijin. Po i përkushtohet vëllait të vogël 13-vjeçar, i cili është një talent i madh në sportin e notit. Këto ditë është kualifikuar në Junior Olimpic të Amerikës dhe të gjithë e vlerësojnë për talentin e tij të rrallë. Trajnerët e krahasojnë me Felpsin e ardhshëm, por unë kam dëshirë të madhe që ai të përfaqësojë Shqipërinë me flamurin shqiptar.
Është shumë e vështirë që ai të përfaqësojë Shqipërinë duke ditur se Amerika bën shumë për këtë sport edhe në stimulimin e tyre, duke i vlerësuar yjet e saj.
Di që amerikanët duan ta bëjnë për vete. Unë jam sponsori i tij dhe amerikanët janë të vetëdijshëm se kam bërë shumë për Amerikën. Prandaj edhe ëndrra e familjes sonë dhe e babait tim në veçanti është që Bexhet Dovolani, që ka emrin e gjyshit tonë, të bëhet një ditë kampioni olimpik me ngjyrat e Shqipërisë. Gjaku ynë është kuqezi. Të gjithë në familje e duam sportin. Edhe vajzat e kanë qejf gjimnastikën dhe golfin. Me këtë të fundit unë ushtrohem shumë dhe e pëlqej jashtë mase. Madje kam menduar që për Olimpiadën e Brazil 2016 të bëj një kërkesë pranë Komitetit Olimpik Shqiptar nëse mund të përfaqësoj Shqipërinë në golf. Dhe për këtë do të stërvitem shumë që ta përfaqësoj me dinjitet atdheun tim.

Tony, ju keni bashkëpunuar me shumë artistë të famshëm, a mund të na cilësosh ndonjë dhe si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me ta?
Jam me shumë fat që kam njohur nga afër kaq njerëz të rëndësishëm të artit botëror, ndërkohë që kur isha i vogël ishin në ëndrrën time. Për mua ishte interesante sidomos bashkëpunimi në filmin “Shall Ëe Dance” me Richard Gere, Jennifer Lopez, Stanley Tuçi, Suzan Sarandon, ku vazhdoj t’i ruaj miqësitë. Zoti Gere është një njeri i shkëlqyer. Ai, përveçse është një aktor i madh, ka një personalitet të lartë dhe të mrekullueshëm. Ai është shumë i dhënë për çështjet botërore dhe mjaft inteligjent. Kam mësuar shumë gjëra prej shumë artistëve të tjerë të mëdhenj. Më ka bërë përshtypje fakti që të gjithë ishin të interesuar të mësonin më shumë për shqiptarët dhe virtytet e tyre, saqë më vlerësonin duke krijuar shumë miqësi me mua. Dhe kjo më çudit, se çfarë i shtyn këta artistë të mëdhenj të mësojnë kaq shumë për vendin tim. Ata më kanë vlerësuar edhe për patriotizmin e madh që kam për Amerikën ashtu dhe për Shqipërinë. Miqësia me Richard Gere na ka afruar në shumë pikëpamje njerëzore. Ai njeriun e vë mbi gjithçka, edhe mbi fenë.
A vazhdoni ta ruani edhe tani miqësinë me këta artistë të mëdhenj?
Absolutisht që po. Unë takohem dhe flas vazhdimisht me ta. Ata janë mjaft të thjeshtë dhe të lirshëm në komunikim. Edhe tani që fitova “Dancing ëith the Stars” vjeshtë 2012, të gjithë miqtë e mi, si: Richard Gere, Stanley Tuçi, Jennifer Lopez, Jamie Foxx, Ëill Smith, George Hamilton dhe artistë e producentë të tjerë të Hollivudit më dërguan mesazhe urimi dhe ndihen shumë mirë që unë kam sukses kudo. Ata janë mjaft miqësorë, sa të tjerët kujtojnë se për shkak të famës janë të ftohtë, përkundrazi ata më ftojnë për kafe dhe në darkat që shtrojnë. Ata më gjenden pranë edhe në çdo fillimsezoni të “Dancing ëith the Stars”, madje të ftoj në Los Anxhelos në sezonin tjetër, i cili fillon në shkurt, që të njohësh nga afër këta artistë të mëdhenj dhe të kuptosh shpirtin e tyre bujarë, sesa të thjeshtë janë dhe sa dashamirës të shqiptarëve dhe historisë se tyre.
A keni ndonjë ofertë për bashkëpunim nga producentë të ndryshëm të Hollivudit?
Oferta kam shumë, por kohë nuk kam aspak, sepse tani për tani kam një kontratë me “Dancing ëith the Stars” dhe me disa projekte të mia. Por kjo nuk do të thotë se i kam refuzuar përgjithmonë. Mbase më vonë në kohën e duhur nuk do të mungojë ky bashkëpunim.
Ju keni hapur edhe aktivitete të tjera biznesi në lidhje me profesionin tuaj, a mund të na tregoni më konkretisht?
Kam hapur katër shkolla të mësimit të vallëzimit së bashku me kolegun tim në shoë, Maksim Chmerkovskiy në Nju Jork e Konektikat dhe kemi projekte që ta shtrijmë në të gjithë Amerikën. Ka një interesim të paparë, sa të gjitha studiot janë të tejmbushura. Njerëzit duan të mësojnë të kërcejnë dhe kanë një dashuri të madhe për vallëzimet e ndryshme. Fama jonë na ka ndihmuar që të kemi mjaft sukses në këtë biznes.
Po shqiptarët, a kanë interes për vallëzimin dhe sa kontribut jepni ju për ta?
Kam shumë shqiptarë që janë të interesuar dhe suporti im nuk u ka munguar në inkurajimin e tyre. Ka edhe disa që nuk mendojnë se do shumë djersë për të arritur suksesin dhe harrojnë se unë kam 20 vjet që bëj këtë për të arritur suksesin. Pra asgjë nuk fitohet menjëherë po nuk derdhe djersë. Talenti është ndryshe me dëshirën. Nëse ti nuk ke dëshirë, pra nuk i ke vënë vetes objektiv për të realizuar diçka, as talenti nuk mund të bëjë asgjë vetëm. Duhet dëshirë, punë dhe përkushtim për të mos e ndërprerë këtë punë, më pas do të marrësh frytet e saj. Vetëm dembelët mendojnë se janë më të mirë se të tjerët. Në fillim kur e nisa nuk isha i mirë dhe humbja shpesh nëpër gara, saqë i thashë edhe babait, a mund t’i shkoj mbrapa dancit se nuk po shkoj mirë. Por ai m’u përgjigj: “Ti ke kokën dhe zemrën dhe në sajë të tyre do ia dalësh mbanë. Duhet vetëm të punosh vazhdimisht me shpirt gare dhe mendjekthjelltësi”. Dhe ai kishte shumë të drejtë për këtë, saqë sot ndihet krenar për mua.http://gazeta-shqip.com

No comments:

Post a Comment