Tuesday, January 1, 2013

Floriana, një vit plot suksese

Floriana Garo, prezantoi tre netët e Festivalit të Këngës në RTSH me Enkel Demin.
Ky prezantim në muajin e fundit ishte mbyllja e një viti të tërë plotësisht të suksesshëm për vajzën e bukur.
Ishte pikërisht ajo përfaqësuesja e Shqipërisë në ‘Miss World 2012’, e cila udhëtoi në Kinë dhe erdhi që nga skaji i kontinentit tjetër, vërtet pa një çmim, por e zgjedhur shpesh si protagoniste nëpër kronikat e artikujt e përgatitur për konkursin e bukurisë nga gazetarët e huaj.
E bukur, 1.80 e gjatë, e arsimuar: ka mbaruar studimet e larta për Marrëdhënie Ndërkombëtare në City College of New York dhe ndjek një master aktualisht në këtë fushë (është dhe drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë në Akademinë e Shkencave, një detyrë e përkohshme, por që i shton pikë në rezultatet e vitit), me pjekurinë e një 25 vjeçareje që dallon mes vajzave 20 vjeçare që dominojnë konkurset e bukurisë, me anglishten e përkryer të një vajze që ka jetuar që prej moshës 15-vjeçare në SHBA dhe me një karrierë si fotomodele dhe prezantuese.
Ndoshta të njëjtat gjëra kanë peshuar edhe ata që e zgjodhën si prezantuesen e Festivalit, krah Enkel Demit.
“Oferta m’u bë nga drejtuesit e TVSH-së, të cilët e kishin diskutuar edhe me drejtuesit e ABC News dhe kishin rënë dakord për mua. Me sa kam marrë vesh unë, drejtuesit e TVSH-së kishin vendosur direkt dhe nuk kishin konsideruar vajza të tjera për prezantim, kështu që jam ndjerë mirë për këtë. Kjo përvojë ka qenë më e bukura për mua në fushën e televizionit dhe kam shijuar çdo moment. Keli ka qenë një partner i mrekullueshëm në prezantim, shumë mbështetës, korrekt dhe inkurajues dhe unë jam ndjerë shume komode. E kisha bindur veten që të jepja më të mirën sepse po realizoja ëndrrën time në atë skenë”, ka thene per mediat shqiptare  Floriana Garo, e cila ka pasur një vit me të vërtetë të suksesshëm. /Indeksonline/




No comments:

Post a Comment