Tuesday, January 1, 2013

Arsyetohet lirimi i Stresit

Arkimed Lushaj i njohur ndryshe si “Stresi” është liruar nga urdhri i arrestit të lëshuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, pasi Gjykata e Lartë në Tiranë, pas ankesës së avokatit mbrojtës, vendosi ta shfuqizojë këtë urdhër, duke e cilësuar të paligjshëm.
Arsyetimi i ndryshimit të masës së sigurisë nga “arrest me burg” në atë të “detyrimit për paraqitje”, sipas vendimit të Gjykatës është fakti se “Stresi” nuk është njoftuar nga Prokuroria për Krime të Rënda se ndaj tij ka një hetim dhe po caktohet masa e sigurisë “arrest me burg”. Sipas vendimit të zbardhur, prokurori duhet të njoftojë personin nën hetim nëse ndaj tij merret masa e sigurisë në mungesë.
Megjithatë, ky vendim krijon një precedent të rrezikshëm, sipas prokurorisë, pasi çdo person nuk mund të njoftohet që është nën hetim apo ndaj tij po caktohet një masë arresti.
Sipas Gjykatës së Lartë, prokuroria ka regjistruar emrin e shtetasit Arkimed Lushaj, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të sipërcituar. Kallëzuesi është Leonard Bombaj. Ndërkohë, më parë, shtetasja A.Xh., ka bërë kallëzim penal ndaj shtetasit Leonard Bombaj, duke e akuzuar për veprën penale të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë.
Sipas kallëzueses, kjo ka ndodhur për herë të parë në moshën 10 vjeçe dhe, më pas me të është abuzuar në mënyrë të vazhdueshme. Disa kohë më vonë, Bombaj ka bërë kallëzim penal ndaj babait të vajzës, duke pretenduar se ky shtetas e ka kanosur seriozisht për jetën.
“Shtetasja A.Xh., duke përfituar nga marrëdhënia me personin nën hetim Arkimed Lushaj, i ka kërkuar këtij të fundit ndihmë, për situatën e krijuar midis saj dhe shtetasit Leonard Bombaj, si dhe të vendimit të largimit nga qendra e fëmijëve, duke i kërkuar të hakmerret ndaj shtetasit Leonard Bombaj. Pretendohet nga kallëzuesi, se, më datë 22.08.2010, në banesën e tij kanë hyrë disa persona, midis tyre edhe personi nën hetim Arkimed Lushaj. Sipas pretendimeve të kallëzuesit, njëri prej personave ishte i armatosur. Ata i kanë bërë presion, duke pretenduar se, që të mos merrej vesh se ai e kishte përdhunuar dhe kishte abuzuar seksualisht në mënyrë të vazhdueshme shtetasen A.Xh. dhe, kjo çështje do të mbyllej, duhej t’u paguante shumën 20.000 euro”, transmetjnë mediat shqiptare vendimin.
Sipas saj, është pretenduar nga kallëzuesi se, nën shtrëngimin e personit nën hetim, kallëzuesi ka tërhequr një sasi prej 500.000 mijë lekësh. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e arrestit me burg. Sipas Gjykatës së Lartë, çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij./Indeksonline/

No comments:

Post a Comment