Tuesday, January 1, 2013

Për rrjedhjen e informatave sekrete, fajtorë prokurorët

Një sërë rastesh me rrjedhje të informatave sekrete, e kanë shoqëruar Republikën e Kosovës përgjatë këtij viti, e të cilat rastet kanë dështuar qysh gjatë fazës së hetimeve. Çka është më e keqja se ndaj askujt deri më tani nuk është shqiptuar ndonjë masë për veprime të tilla. I tërë faji në këto raste bie mbi prokurorinë dhe prokurorët, të cilët e kanë pasur mundësinë ligjore që t’i mbyllin hetimet dhe t’i paralajmërojnë avokatët se çdo publikim i informatës përbën vepër penale.Koordinatorja e Task-forcës Anti-korrupsion në Prokurorinë e Shtetit dhe prokurore në Prokurorinë Themelore të Prishtinës (me reformën në sistemin prokurorial – 2013), Drita Hajdari, ka thënë se hetimet edhe nga natyra janë konfidenciale dhe duhet të mbrohen, sepse publikimi i tyre e dëmton procesin e hetimeve.
“Hetimet nga natyra janë koefidenciale, mu për arsye që të mbrohet hetimi, rrjedhja e dëshmive, e provave dhe të gjitha këto janë për arsye që të mos pengohen hetime. Mirëpo, keni vërejtur me siguri se ne prokurorët zakonisht gjatë ndonjë lënde hetimore të heshtim, nuk japim informata, sepse vetë informatat që dikush është në pyetje të hetohet mund t’i dëmtojë hetimet, sepse ai person alarmohet, ai e di që është nën hetim dhe i jepet mundësia me i fshehë provat, të ndikojë në dëshmitarë apo për ndonjë shkak tjetër”, ka thënë prokurorja Hajdari, për Kosovapress.
Ajo ka shtuar se përderisa gjatë fazës së hetimeve prokurorët kanë heshtur, këtë situatë e kanë shfrytëzuar avokatët dhe, në këtë rast prokurorja Hajdari i fajëson prokurorët, të cilët e kanë pasur mundësinë që më anën e ligjit t’i mbrojnë hetimet, por që nuk e kanë bërë.
Sipas saj, ligji ia mundëson një prokurori të rastit që t’i mbyllë hetimet dhe t’i lajmërojë avokatët se rrjedhja e çdo informate nga hetimet e këtij rasti përbën vepër penale për zbulim të informatës sekrete.
“Në anën tjetër, derisa ne kemi heshtur për aktivitetet tona hetimore, kanë folur avokatët dhe ata kanë zbuluar informatat të cilat i kanë dëmtuar hetimet. Kështu që, unë këtu po i fajësojë prokurorët që kanë lejuar avokatët t’i zbulojnë provat, sepse ne kemi mundësi ligjore t’i mbyllim hetimet dhe ta njoftojmë avokatin se çdo zbulim i rrethanave dhe fakteve të rastit paraqet vepër penale të zbulimit të fshehtësisë, të informatës zyrtare, sepse ato janë informata zyrtare të cilat hetohen gjatë procedurës”, ka thënë ajo.
Sipas Hajdarit, më e keqja që po ndodh sot është që një rast të procedohet nën presion publik, gjë që nuk është e lejueshme as në botën bashkëkohore.
Ajo ka thënë se kanë pasur raste kur janë ballafaquar edhe me dezinformata që avokati qëllimisht ka dezinformuar opinionin, në mënyrë që klienti i tij të paraqitet si lloje viktime, duke e orientuar opinionin publik kah atij i ka konvenuar.
Ndonëse ka pasur raste që janë bërë publikime të informatave sekrete, ajo ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë masash, pasi që prokurorët e rastit nuk kanë marrë masa parandaluese ndaj avokatëve për mbylljen e hetimeve dhe çdo publikim në atë rast, sipas saj, do të përbënte vepër penale për ta.
Edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, konsideron se publikimi i informatave sekrete gjatë fazës së hetimit të një rasti e pengon procesin dhe vërtetimin e gjendjes faktike.
“Mund të them se nuk është në rregull dhe paraqet një shqetësim sa i përket fazës së hetimit, që mund ta pengojë në vërtetimin e gjendjes faktike të mëtutjeshme”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se sipas Kodit të Procedurës Penale, deri në momentin kur ngrihet aktakuza organi i ndjekjes, në këtë rast prokuroria, është e obliguar që palëve t’jua japë të gjitha provat dhe materialet që u shërbejnë në kuptimin e përgatitjes së mbrojtjes për fazat e mëtutjeshme të procedurës penale.
Por nga ana tjetër, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se rrjedhja e informatave sekrete gjatë fazës së hetimit të një rasti tregon për brishtësinë e këtyre institucioneve.
“Rrjedhja e informatave nga këto institucione të drejtësisë flet për brishtësinë e këtyre institucioneve dhe mungesën e përgjegjësisë nga ana e zyrtarëve, të cilët do të duhej ta kontrollonin çdo informacion dhe çdo sekret i cili duhet të qëndrojë përbrenda këtyre institucioneve. Është e pashpjegueshme se si në rastet e caktuara, ende pa filluar një procedurë hetimore, në procedurë paraprake merren deklaratat e ndryshme, të cilat do të duhej të shërbenin si burim dhe si prova kruciale në një proces gjyqësor, të dalin ato në media ende pa i parë palët, pa i parë mirë ndoshta as vetë prokurori i rastit, dhe krejt kjo pra ndikon që proceset e ndryshme gjyqësore, të cilat ende nuk fillojnë, në start të shkatërrohen. Është dëm i madh që u bëhet këtyre institucioneve të drejtësisë, por në fakt, me vetë fajin e këtyre institucioneve, të cilat lejojnë rrjedhjen e informatave të cilat janë shumë të rëndësishme për të gjitha proceset gjyqësore”, ka thënë ai.
Ai ka marrë si shembull rastin e Hotel Grandit në Prishtinë, ku Behgjet Pacolli ka ofruar dëshmi dhe dëshmitë e tij kanë dalë në publik, e të cilat kanë mundur t’i krijojnë hapësirë të gjithë atyre që potencialisht kanë mundur të jenë të inkriminuar në këtë rast, pasi që, kur ata e dinë se çka ka dëshmuar Pacolli apo ndokush tjetër ndaj tyre, ata pastaj dinë se si të mbrohen.
Sipas Musliut, kjo mund të rregullohet që mekanizmat e kontrollit të punës në polici, në prokurori dhe në gjykata, të cilët duhet ta shtojnë efikasitetin në mënyrë që secili zyrtar mund të inkriminohet në institucionin e vet duke lëshuar informata pa pasur miratim zyrtar nga ana e atyre që janë thirrur për këtë, duhet të ndëshkohen të gjithë këta zyrtarë, pasi që vetëm atëherë do të arrihet që të ngitet niveli i përgjegjësisë dhe niveli profesional i këtyre institucioneve. /Telegrafi/
 

No comments:

Post a Comment