Tuesday, January 1, 2013

Mustafa: Nuk i besohet deklaratave të Thaçit e Jahjagës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për Telegrafin ka thënë se loja e Serbisë me Platformën për Kosovën, paralajmërimi i Rezolutës për Kosovën, flet se ata dëshirojnë të kthehen atje ku e la Miloshevici. Ndërsa, duke folur për proceset e brendshme, gjegjësisht për marrëveshjen Thaçi-Mustafa-Pacolli, kreu i LDK-së ka thënë se shkelja e kësaj marrëveshje nga PDK është një sinjal shumë i keq për të ardhmen. Sipas tij, mashtrimet nuk u shërbejnë marrëdhënieve të mira dhe interesit të vendit, prandaj edhe reformat janë vështirë të realizohen me logjikën e mashtrimeve dhe ndërskamcave.Kryetari i LDK-së, njëherësh edhe kryetar i komunës së Prishtinës ka folur për Telegrafin edhe sa i përket politikës së jashtme. Ai ka thënë se politika e jashtme gjatë 2012 nuk kishte adresim të qartë.
Ndërkaq, për gjendje në veri ka thënë se vazhdon të jetë e rëndë dhe jashtë kontrollit të institucioneve.
Telegrafi: Zotëri Mustafa, jemi në fundvit. Si e vlerësoni vitin 2012, zhvillimet politike, skenën politike?
Mustafa: Ishte një vit me shumë ngjarje. Viti i konvertimit të Republikës së Kosovës në Kosovë me fusnotë në raportet regjionale, viti i shkuarjes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, ICO, dhe përmbylljes formale të procesit të pavarësisë, vit i fillimit të dialogut politik me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve, vit i shumë aferave të rënda korruptive, vit i shkeljes së Marrëveshjes së liderëve politik dhe Rezolutës së Kuvendit të Kosovës nga PDK
Telegrafi: I jeni përgjigjur negativisht kërkesës së Qeverisë për t’u përfshirë në dialogun me Serbinë. Pse?
Mustafa: Ekziston një Rezolutë Kuvendit të Republikës së Kosovës, cila përcakton kornizat dhe modalitet e zhvillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta ka autorizuar Qeverinë, që ajo të jetë bartëse e dialogut, kurse LDK, si parti opozitare, do të luaj rolin e saj në Kuvend, përmes anëtarëve të saj në komisionet përkatëse dhe drejtpërsëdrejti në seanca plenare.
Telegrafi: A janë duke shkuar në drejtimin e duhur bisedimet me Serbinë? A do të duhej Qeveria e Kosovës të kishte më shumë qëndrim dhe kërkesa/kushte në këtë dialog?
Mustafa: Bisedimet, siç po duket nga jashtë, janë në fillimin e tyre. Tani po trajtohen temat që është dashur të përmbyllen në bisedat teknike. Unë dyshoj se do të rezultojë diçka e mirë nga ky dialog. Loja e Serbisë me Platformën për Kosovën, paralajmërimi i Rezolutës për Kosovën, flet se ata dëshirojnë të kthehen atje ku e la Millosheviqi. Ne duhet ta mbrojmë rregullimin tonë kushtetues dhe nuk kemi asnjë arsye as të drejtë të lëshojmë pe.
Telegrafi: Si e vlerësoni politikën e jashtme të Kosovës?
Mustafa: Gjatë këtij viti ishim dëshmitarë të shumë deklaratave kundërthënëse për pranim apo mospranim të njerëzve përgjegjës nga Qeveria e Kosovës dhe të disa shteteve të cilat mohuan se e kanë pranuar Kosovën. Politika e jashtme nuk kishte adresim të qartë.
Telegrafi: Si e konsideroni gjendjen në veri të Kosovës? A po shkon veriu drejt autonomisë?
Mustafa: Gjendja vazhdon të jetë e rëndë dhe jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës. Është evidente prezenca shumë e madhe e MUP-it serb e të strukturave të tjera kriminele. Bashkësia ndërkombëtare, përpos Gjermanisë, nuk u adresua qartë kundër kësaj prezence dhe mbajtjes peng të veriut të Kosovës nga Serbia. Por kjo gjendje, asesi nuk e arsyeton faktin se Kosova duhet t’i jap autonomi veriut. Zaten qëllimi i Serbisë është ta bosnizojë Kosovën dhe ta bëjë një shtet jofunksional.
Telegrafi: Çfarë mendoni për Platformën serbe për veriun e Kosovës?
Mustafa: Është një pamflet krejtësisht i papranueshëm për Kosovën. Është vazhdimësi e letrave që përgatiste Akademie e Shkencave të Serbisë për Kosovën.
Telegrafi: Si e komentoni një koalicion të mundshëm PDK-AAK, për të cilën është folur së fundi?
Mustafa: Zhurma që po bëhet për këtë koalicion, mendoj se i tejkalon kufijtë racional. Doli se, në dy muajt e fundit, Kosova nuk e ka asnjë problem tjetër vetëm se kujt i takon të jetë Kryeministër i Kosovës. Ndryshimet në Qeveri janë procedura kushtetuese, ato nuk bëhen me pazare. Duhet të bie një qeveri për të ardhur tjetra. Koalicionet janë interesa politike, ato i bëjnë partitë duke i marrë përgjegjësitë e tyre. Por, mendoj se e vetmja zgjidhje e shëndetshme dhe demokratike për Kosovën është që qeveria e ardhshme të burojë nga zgjedhjet nacionale.
Telegrafi: Në gjithë këto zhvillime që kanë ndodhur, si e vlerësoni rolin e Kuvendit gjatë këtij viti?
Mustafa: Se çfarë Kuvendi kemi dhe se shumica e Kuvendit po kontrollohet nga Qeveria, doli më së miri në dy rastet kur deputetët e shumicës e lëshuan seancën e Kuvendit dhe e pamundësuan punën e tij, kur frikoheshin se do të humbin në vota. Është demokratike që opozita ta lëshoj Kuvendin, kur rrezikohet nga shumica, por vetëm te ne ndodhi që këtë ta bëjë pozita.
Telegrafi: Është folur shumë për liberalizimin e vizave dhe nuk u realizua, madje Kosovës nuk iu lejua as fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, pa i përmbushur edhe disa kritere. Si e vlerësoni këtë proces, kur mund të presim të lëvizim lirshëm pa viza?
Mustafa: Ka pasur shumë premtime edhe nga zyrtarët e Brukselit dhe sidomos krekosje nga qeveritarët tanë por, për fat të keq, në fund të këtij viti u pa se Brukseli vetëm sa po i shton kërkesat ndaj Kosovës për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Kosova duhet të përmbushë obligimet e saj themelore, por do të ishte korrekte që Brukseli të mos kërkoj më shumë nga Kosova sesa nga vendet e tjera që kanë kaluar në këtë proces.
Telegrafi: Si i vlerësoni mbarëvajtjen e ndryshimeve Kushtetuese e Zgjedhore. Çfarë përkrahni e çfarë jo në këto reforma?
Mustafa: Marrëveshja ndërmjet subjekteve politike me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan, Dell, për LDK-në ishte një hap ku ne kapërcyem mbi interesa partiake për të stabilizuar rrethanat në vend. Shkelja e kësaj marrëveshje nga PDK është një sinjal shumë i keq për të ardhmen. Mashtrimet nuk u shërbejnë marrëdhënieve të mira dhe interesit të vendit. Prandaj edhe reforma është vështirë të bëhet me logjikën e mashtrimeve dhe ndërskamcave. Por LDK do të insistojë që reformat të zhvillohen.
Telegrafi: LDK kërkon largimin e Jahjagës nga posti i presidentes. Pse? Nëse nuk tërhiqet Jahjaga nga posti i presidentes, si do të veproni në raport me këto reforma dhe ngjarjet në përgjithësi? Do të vazhdoni ta injoroni?
Mustafa: Nënshkruesit e marrëveshjes, Kuvendi i Kosovës që ka aprovuar Rezolutën e dalë nga kjo marrëveshje dhe Presidentja Jahjaga duhet ta zbatojnë atë. Në marrëveshje dhe Rezolutë nuk thuhet në formë eksplicite se a duhet të rregullohet mandati i tanishëm i presidentes me amendament apo në formë tjetër, por janë dhënë afatet për zgjedhjet e drejtpërdrejta të presidentit dhe zgjedhjet nacionale, të lidhura me reformat përkatëse. Ne nuk do të përkrahim ndryshimet, nëse pakoja nuk respektohet ashtu si e kemi nënshkruar. Nuk u besojmë deklaratave as të Kryeministrit as të Presidencës, kërkojmë që zotimet e tyre t’i japin me shkrim dhe të veprojnë në realizimin e tyre.
Telegrafi: Për fund, çfarë prisni për vitin 2013. A mund të presin qytetarët më shumë rregull, vende të punës, mirëqenie?
Mustafa: Të gjithë ne duhet të angazhohemi që jeta e qytetarëve të bëhet më e lehtë dhe më e mirë. Nuk kam arsye të besoj se me këto sjellje, lidershipi i vendit do të arrij të bëj ndryshime më të mira në vitin që vjen. /Telegrafi/

No comments:

Post a Comment