Tuesday, January 1, 2013

Kosova aplikon regjimin e vizave për 87 vende

Vizitorëve në Kosovë nga 87 vende të ndryshme të botës do t\'u kërkohet të kenë një vizë hyrëse, duke filluar nga janari i këtij viti (2013).
Autoritetet ne Kosovë thonë se vënia e një regjimi vizash për shtetasit nga 87 vende të botës do të ketë një ndikim pozitiv në sigurinë e vendit dhe udhën e tij drejt futjes në BE.
"Nga aspekti i sigurisë së brendshme, aplikimi i regjimit të vizave është një masë parandaluese sepse nëpërmjet sistemit të vizave mund të identifikohen e të ndalohen elementë të rrezikshëm potencialë," i tha SETimes, Artan Behrami, zëdhënës i MPJ.
Behrami shtoi se sistemi i vizave krijon gjithashtu një bazë për udhëtarët që të informohen për kushtet që t\'u jepet viza hyrëse për në Kosovë.
"Ky regjim pritet të ketë një ndikim pozitiv në reduktimin e mundësive që Republika e Kosovës të përdoret si një vend transit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe si një vend transit për imigracionin e paligjshëm drejt vendeve të BE", tha Behrami.
Ministria e jashtme e Kosovës vuri në dukje se regjimi i vizave është një mjet për të qenë më pranë BE, veçanërisht kur vjen puna te kontrolli kufitar, transiti i të huajve dhe identifikimi dhe neutralizimi i elementëve që përfaqësojnë një kërcënim për sigurinë e Kosovës dhe të vendeve të BE-së.
Burim Ramadani, deputet ne kuvendin e Kosovës, tha se aplikimi i sistemit të vizave është një masë e rëndësishme për të parandaluar kërcënimet ndër-vendore.
"Terrorizmi dhe krimi i organizuar janë kërcënime globale," i tha Ramadani, duke shtuar se qeveria e Kosovës duhet të jetë transparente në këto vendime. Kosova, si një pjesë e udhëkryqeve midis lindjes e perëndimit si dhe Afrikës e Rusisë, është kurdoherë nën kërcënime ndër-vendore dhe globale. Prandaj, ajo duhet të bashkërendojë fort politikat e aj anti-terroriste dhe kundër krimit të organizuar, me vendet kryesore të BE dhe SHBA", tha Ramadani.
Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Paqes të Kosovës, thotë se regjimi i vizave do të ndihmojë përmirësimin e sigurisë, "ndonëse zhvillimet e dekadës së fundit kanë treguar se kufizimet në lirinë e lëvizjes nuk kanë qenë në gjendje të pengojnë planet për sulmet terroriste."
"Siguria në rajon dhe siguria në vend duhet të bazohet në përparimin e vazhdueshëm të organizmave të rendit të ligjit dhe rritjen e bashkëpunimit policor në rajon", tha Iliazi.
Rregullat e reja do të kërkojnë personel shtesë në konsullatat e Kosovës, me gjithë se numri dhe kostoja për të mbushur të tilla pozicione nuk është përcaktuar. Kur plani u njoftua, ministri i brendshëm Bajram Rexhepi tha se ishte e mundur që Kosova mund "të bashkëpunonte me një vend në rajon dhe ata mund të bënin shërbimet për ne."
Ministria e jashtme nuk ka nxjerrë listën e 87 vendeve, por e përditshmja e Kosovës Koha Ditore botoi një listë që përfshinte Rusinë, Kinën, Afganistanin, Irakun, Jemenin, Libinë dhe Sirinë.
Behrami tha se përpilimi i listës u bazua në arsye të sigurisë dhe jo në marrëdhënie politike. Asnjë vend fqinj nuk është në listë dhe aty nuk përfshihen gjithashtu vendet që janë pjesë e BE apo zonës Schengen.
Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk gëzon liberalizimin e vizave nga BE./Telegrafi/

No comments:

Post a Comment