Thursday, January 3, 2013

Fytyra jone e bukur

Rita Ora është fytyra jonë me të cilën kemi dashur t’i paraqitemi gjithmonë botës: e bukur, e talentuar, krenare me prejardhjen e saj. Gjatë vitit 2012, theu çdo parashikim dhe arriti të renditet ndër këngëtaret më të mira të globit. Megjithatë, këtu Rita nuk erdhi rastësisht – i rastësishëm është vetëm fakti se ajo është shqiptare dhe kombi ynë mund të krenohet me të.
Filloi të këndonte qysh e vogël, të interpretonte teledrama dhe luajti në një film artistik, por ajo e preku ëndrrën e saj kur nënshkroi një kontratë me një prej njerëzve më të rëndësishëm të muzikës botërore, Jay-Z.
Sot është prej këngëtarëve më të rëndësishme të skenës botërore.
Viti 2012 ishte kulmi i karrierës së deritashme.
Fatmirësisht, ky është veç fillimi – një rrugë e gjatë dhe e ndritshme e pret Rita Orën, londinezen e talentuar, prishtinasen e bukur, shqiptaren më të famshme sot në botë.
Por asgjë nuk është e rastësishme.
I rastësishëm është vetëm fakti se ajo është shqiptare dhe kombi ynë mund të krenohet me të pavarësisht se nuk ka ndonjë meritë për ngjitjen e saj të hovshme në skenën botërore të muzikës.
Rita Ora ka studiuar në shkolla prestigjioze dhe rrjedh nga një familje me traditë arti. Gjyshi i saj, Besim Sahatçiu, ishte një nga intelektualët dhe regjisorët më të mirë të Kosovës. Me insistimin e gjyshit, prindërit Besniku dhe Vera, duke parë talentin e saj, ia mundësuan shkollimin në një prej shkollave më prestigjioze të Londrës për muzikë, film dhe teatër, “Sylvia Joung Theatre School”. Gjatë viteve të shkollimit, Rita interpretoi në BBC në teledramën “The Brief” dhe në filmin artistik “Spivs”.
Më pas gjithçka shkoi në rrjedhën e duhur.
Pasi realizoi videoklipin “Hot R Now”, që preki majat e top-listave botërore, Rita u kthye edhe me disa hite para se të realizonte albumin e saj “Ora”. Ishin hitet, “R.I.P” dhe “How We Do”, që e renditën atë në vendin e parë, këngë që shumë shpejt u bënë hite jo vetëm në Britani dhe SHBA, por edhe në Kosovë.
Albumi “Ora” është shitur me miliona kopje, ndërkaq ajo e mbajti premtimin e dhënë se do të realizonte një videoklip në Kosovë. Ajo erdhi në Prishtinë dhe e xhiroi klipin e këngës “Shine Ya Light”, një këngë që tashmë është bërë hit në krejt globin.
Krejt këtë sukses ajo nuk e mbajti vetëm për vete – atë ajo vazhdon ta ndajë me kombin e saj shqiptar. Pothuajse në secilën paraqitje publike, audiencës ndërkombëtare Rita i tregon për vendlindjen, Prishtinën dhe për prejardhjen e saj shqiptare.
Kjo s’ka dyshim që na bën krenarë të gjithëve.
Ajo është fytyra jonë me të cilën kemi dashur gjithmonë të identifikohemi në botë.
Është fytyra jonë e bukur.
Për të gjitha këto dhe për ato që do t’i bëjë ajo për veten dhe kombin e saj, Bordi Editorial i gazetës Express ka vendosur ta shpallë Rita Orën “Personalitet të Vitit”.
Në një intervistë për Express, ajo tregon rrugën e saj, kujtimet për gjyshin, regjisorin Besim Sahatçiu, shokët dhe shoqet e saj në Prishtinë dhe karrierën muzikore.
Për krejt këto, ajo preferoi të përgjigjet në gjuhën shqipe.
Express: Në cilën moshë jeni paraqitur për herë të parë para publikut?
Rita Ora: Shumë herët, qysh në shkollën fillore kam kënduar në korin e shkollës.
Express: Thuhet se familja juaj festën e Vitit të Ri e ka festuar në Kosovë. A është e vërtetë?
Rita Ora: Po! Kur ishim më të vogla unë dhe motra Elena shpesh kemi shkuar me prindër për Vitin e Ri në Prishtinë – te gjyshi dhe gjyshja.
Express: A do të dëshironit që këtë festë ta festonit në Prishtinë?
Rita Ora: Me siguri se po nëse obligimet me lejojnë, por sivjet jam e angazhuar diku tjetër.
Express: Cilat janë kujtimet tuaja më të mira që keni nga Prishtina, sidomos atëherë kur nuk keni qenë shumë e famshme?
Rita Ora: Kujtimet nga Prishtina janë shumë të mira, sepse jemi një grup shoqesh nga Kosova në Londër që jemi rritur së bashku dhe gjithnjë kur ishim në Prishtinë e kalonim kohën se bashku. Gjithashtu kam edhe shumë shoqe të familjes dhe të tjera me të cilat sa herë unë dhe motra ime Elena kemi qenë në Kosovë jemi kënaqur.
Express: Ndërkohë, para se të merreni me muzikë. ju keni qenë edhe aktore, ndërkaq gjyshi juaj ka qenë edhe regjisor? Në cilat filma keni luajtur?
Rita Ora: Po, gjatë shkollimit tim në shkollën e teatrit “Sylvia Young” në Londër pata mundësi të paraqitëm në film – filmin SPIVS me aktorë shumë të njohur anglezë dhe TV serinë –“The Brief” si dhe disa reklama. Po me siguri së do të vazhdoj edhe në film kur të vijë rasti dhe roli që me përshtatet.
Express: Çfarë kujtimesh keni nga gjyshi dhe pasi ai ka qenë artist? A ka arritur që t’ju japë ndonjë këshillë që sot ju hyn në punë?
Rita Ora: Po! Unë jam shumë e lumtur që kam mundësinë të vazhdojë traditën artistike të gjyshit tim, Besim Sahatçiu, të cilin e kam dashur dhe respektuar shumë. E di se ai ishte një nga regjisorët më të mirë që dha Kosova deri tani dhe se veprat e tij janë të çmuara shumë. Unë isha 15 vjeçare kur gjyshi ndërroi jetë, por filmi im dhe drama televizive ishin realizuar sa ishte gjyshi ende gjallë, dhe ai u gëzua pa masë për mua kur i pa këto realizime dhe ma dhuroi një replike të OSCAR (të cilën e ruaj në vitrinën time) dhe me tha të “uroj ta marrësh një ditë një të vërtetë”. Më këshilloi të besoj në veten time dhe të punoj pandërprerë dhe rezultatet do të pasojnë.
Express: Kur jeni bërë pjesë e labelit të Rock Nation?
Rita Ora: Përafërsisht para pesë vjetësh.
Express: Ju keni xhiruar edhe një videoklip në Kosovë me titull “Shine Ya Light”. A ju ka pëlqyer atmosfera në Prishtinë?
Rita Ora: Ishte nga përvojat më të mira dhe me prekëse deri tani në jetën time. Atmosfera ishte fenomenale dhe mund të ndihej në ajër ajo afërsia dhe dashuria e fansave, të cilët i falënderoj shumë. Jam shumë krenare dhe e lumtur që bëra këtë video në qytetin tim të lindjes, Prishtinë, pra në Kosovë.
Express: Keni premtuar një koncert humanitar këtu. Keni caktuar datë apo muaj se kur do ta mbani atë?
Rita Ora: Po, është dëshirë imja. Mendoj një ditë, kur të vijë koha, do të mundohem të organizoj diçka humanitare në Kosovë. Me siguri se do të bëhet në bashkëpunim me organizatat bamirëse dhe Qeverinë e Kosovës.
Express: Në intervistat që jepni ju gjithmonë thoni se e doni shumë Kosovën. Kosovarët ju janë mirënjohës për këtë saqë emrin tuaj e dinë edhe fëmijët dyvjeçar. Ju keni qarë para këtij publiku. Cili është urimi i Ritës për Kosovën në vitin 2013?
Rita Ora: Po, natyrisht se e dua Kosovën. Është vendlindja ime më të cilën më lidhin shumë kujtime të këndshme të fëmijërisë. Po në një moment u preka aq shumë sa filluan të më shkonin lotët gjatë xhirimit të videospotit.
Gjithë Kosovës ia uroj një Vit të Ri të mrekullueshëm, rezultate, suksese, përparime, afirmime, zhvillime ekonomike dhe që sa më shpejt të jetë e integruar në Bashkimin Europian. Ju dua shumë!/gazetaexpress

No comments:

Post a Comment