Thursday, January 3, 2013

Akademiku Kosta Barjaba përgënjeshtron se ka vjedhur në një qendër tregtare në SHBA

Pas akuzës në mediat shqiptare, të bazuara në site amerikane, se akademiku shqiptar, Kosta Barjaba është kapur në një qendër tregtare duke vjedhur, gazeta "Shekulli" ka kontaktuar Kosta Barjabën, për të marrë një prononcim prej tij në lidhje me ngjarjen. Barjaba e ka përgënjeshtruar këtë ngjarje. Ai u shpreh se nuk ishte arrestuar nga policia dhe as ai e as të afërmit e tij nuk kishin kryer ndonjë vjedhje. Barjaba aktualisht ndodhet në SHBA me pushime.
Sipas medias amerikane
Siç raporton siti amerikan, Palo Alto Online News, tre shqiptarë janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës teksa po vidhnin një qendër tregtare në Paolo Alto të Kalifornisë. Policia amerikane bën të ditur edhe emrat e shqiptarëve, Kosta dhe Fatbardha Barjaba, 52 vjeç dhe Joniada Barjaba, 23 vjeç, të cilët janë dërguar në institucionin e paraburgimit në San Mateo County's Maguire Correctional Facility. Kosta Bajraba në Shqipëri mban titullin Doktor i Shkencave në Sociologji. Mediet amerikane raportojnë se Barjaba është qytetar dhe rezident në Shqipëri dhe pas arrestimit, bashkë me dy të afërmit e tij, do të përballet me akuzën e vjedhjes së kryer në bashkëpunim.  
Kush është Kosta Barjaba?
Prof. Dr. Kosta Barjaba lindi në vitin 1960, në rrethin e Sarandës. Ka ndjekur studimet e larta për Shkencat Politike, në Universitetin e Tiranës. Në moshën 29-vjeçare, ai mori titullin Doktor i Shkencave në Sociologji. Pas viteve ’90, Kosta Barjaba i thelloi njohuritë e tij, duke kryer specializime të ndryshme në Greqi, Itali dhe SHBA. Në vitin 1999, ai fitoi titullin Profesor. Në vitin 2005 kryen specializimin Master në Universitetin e Harvardit. Pas gjashtë vitesh, në vitin 2011 ai zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kosta Barjaba është një pjesëmarrës aktiv në jetën akademike, shkencore dhe publike të vendit. Veprimtaria e tij shkencore përqendrohet ndër të tjera, në çështjet e emigracionit, të varfërisë dhe problematikat e zhvillimit. Rezultat e kërkimeve të tij shkencore referohen si brenda vendit, ashtu edhe në rrethe akademike ndërkombëtare. Aktualisht është dekan i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Administratës Publike në një prej universiteteve private në vend. Kosta Barjaba është i martuar dhe ka dy fëmijë.

/Shekulli Online/

No comments:

Post a Comment