Wednesday, January 2, 2013

Top momentet e vitit 2012 1:00 / 2.01.2013

ë përgjithësi - jo vetëm në skenën e shou-bizit vendor - viti 2012 ishte i jashtëzakonshëm. Ngjarjet më të mëdha jo rastësisht koincidojnë me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, por një gjë është e sigurt: sukseset për shqiptarët nuk munguan as në sferën e muzikës. Perfeksioni nuk ekziston, prandaj nuk munguan as lotët..
Viti që po lëmë pas ishte shumë i pasur me skandale, me këngë, deklarata kontroverse dhe ngjarje e koncerte të shumta, të cilat mund të kenë lënë gjurmë në zemrat tuaja. Telegrafi në një përmbledhje të jashtëzakonshme sjell në detaje tri ngjarjet dhe personalitetet kryesore që shënuan vitin 2012 për shqiptarët në muzikë dhe shou-biznes.

Rita Ora

Me të parë titullin e kësaj përmbledhje speciale sigurisht se mendja mund t’iu ketë shkuar te bukuroshja jonë. Është Rita Ora ajo që absolutisht shënon si emër një prej ‘ngjarjeve’ më të rëndësishme të vitit 2012. Pasi nënshkroi me RocNation kur u zbulua nga reperi Jay-Z dhe bashkëshortja e tij Beyonce, ishte Rita Ora ajo që refuzoi të ndalej. Pasi lansoi hitin e madh “R.I.P” me Tinie Tempah, të shkruar nga reperi Drake, Rita filloi të shfaqej në emisionet e para, koncertet e para, ku edhe më shumë përforcoi kredencialet prej superylli.
 erformancat e herë pas hershme në X-Factor, paraqitja nëpër koncerte krahas yjeve si Jay-Z, T.I., Beyonce dhe Rihanna e bënë atë pa dyshim artisten më të mirë të re të vitit. “R.I.P” u bë kësaj radhe sinjal i një fillimi, i lindjes së një ylli të nuk do të shuhet kurrë. Në maj ajo merr pjesë si juriste në X Factorin britanik, teksa në korrik përderisa ishte në turne me bendin britanik Coldplay, bëri të ditur se albumi i saj i ri do të quhej “Ora”.

Më 27 gusht erdhi edhe albumi debutues i Ritës. Menjëherë ajo zuri vendet e para në top listat botërore, duke qenë për disa javë në krye të tyre, sidomos në Britani ku ajo nuk po njihte konkurrencë. “Shine Ya Light”, “How We Do”, “Rock The Life”, “R.I.P” ishin vetëm disa prej hiteve të këtij albumi, i cili po merrte përmasa të mëdha të shitjes në gjithë botën.
Krenaria për ne deri në këtë pikë ishte e papërshkrueshme. Që dikush prej nesh të jetë një superyll botëror, nuk ndodh shpesh, apo thënë më mirë nuk ndodh kurrë. Në shtator Rita përkujdeset që të kujtojë botën se nga i ka rrënjët. Ajo vjen për të xhiruar videoklipin e këngës “Shine Ya Light”, askund tjetër pos në Prishtinë. Skena të shumta, duke filluar nga mbajtja e flamurit shtetëror nga një pamje ku shihej gjithë Prishtina, e deri te skenat me motor nëpër kryeqytet dhe me fëmijët shqiptarë përshkuan xhirimet, por kulmi në fakt ishte diku tjetër. Në një prej mbrëmjeve ajo dhe produksioni i drejtuar nga regjisori Emil Nava shkuan te obelisku i pavarësisë, NewBorni, ku xhiruan një prej skenave kryesore. Mijëra shqiptarë ishin mbledhur si kurrë më parë për të parë nga afër krenarinë tonë, e cila ishte e papërmbajtshme.
“Jam tejet e emocionuar... ju dua shumë”, tha Rita në gjuhën shqipe para të pranishmëve gjatë xhirimeve të klipit, duke bërë me duar shqiponjën dykrenare, që mbetet një prej momenteve më kulmore të vitit 2012. E papërshkrueshme.
Festa u zhvendos më 28 nëntor në Tiranë. Në shesh ishin mbledhur rreth 500 mijë shqiptarë nga të gjitha trojet për koncertin e madh, ku këngëtarët tanë të estradës i la nën hije askush tjetër pos Ritës. E përcjellë nga Sali Berisha, Rita Ora u ngjit në skenë më e bukur se kurrë, në një skenë gjigante e shoqëruar nga bendi i saj. Telegrafi ishte i pranishëm në këtë eveniment madhështor dhe thënë realisht shqiptarët nuk kanë parë ndonjëherë performancë më të mirë ‘live’.

“Jam jashtëzakonisht e kënaqur me vitin 2012 deri tani. Nuk kam menduar kurrë se suksesi im do të arrijë një nivel të tillë. Unë i jam falënderues të gjithë njerëzve që më kanë ndihmuar, familjes time dhe vendit tim. Me plotë krenari gjithmonë do të them se jam nga Kosova”, kishte thënë Rita për Telegrafin dhe revistën iMedica.
Suksesi i Rita Orës nuk pritet të jetë më i vogël as në vitin në vijim. Ajo do të startojë vitin 2013 me turneun e saj të parë, “Radioactive” që do të jetë në tetë koncerte nëpër Britani nga 18 janari.


Koncerti i Unikkatilit

Shumë vjet pritje u shpaguan më 15 korrik të këtij viti. Rrugët e Prishtinës në këtë ditë ishin përplot fansa të reperit mjaft të pëlqyer shqiptar. Me flamuj në krah dhe portretet e tij në dorë, ata kishin një destinacion të vetëm – Stadiumin e Prishtinës.
Unikkatili u kthye në vendlindje pas një kohe të gjatë, më i fortë se kurrë, për të përmbushur premtimin dhënë shqiptarëve. Me të arritur në Prishtinë, Viktor Paloka u tregua ashtu sikurse në këngët e tij i sypatrembur dhe tejet i drejtpërdrejt, pa dashuri për gazetarët.

Ka mjaftuar një konferencë për shtyp dhe fansat e tij u ndezën edhe më shumë para mbrëmjes së 15 korrikut. Hyrjet e stadiumit ishin përplot dhe PowowEntertainment, organizatorët e koncertit regjistruan rekord shitjesh të biletave – rreth 20 mijë njerëz u pritën për koncertin e madh.

Skenën gjigante e pushtoi në fillim këngëtarja që shpërtheu në vitin 2012, Gjira, e cila elektrizoi deri në maksimum të pranishmit. Më pas skenën e mbizotëruan anëtarët e TBA të udhëhequr nga Barooti, Presioni dhe të tjerët.
Njëzet vite karrierë, tri albume dhe shumë hite ishte koha të shpaloseshin në skenën gjigante të koncertit. Në skenë në mënyrë të jashtëzakonshme hyri Unikkatili, duke përshëndetur shqiptarët nga të gjitha trevat, para se të nxehte të pranishmit me hitet “Krejt Hajvan”, “Veç Fillimi” dhe shumë të tjera që madje ekzaltuan një pjesë të masës që shpërtheu dhe kaloi nga zona ‘General’ në ‘VIP’ dhe ata nuk ka mundur t’i ndalë as sigurimi që atë mbrëmje ishte tejet në nivel.

Një prej momenteve kyçe të këtij koncerti ishte kërcimi në fushë nga protagonisti, që bëri që përsëri fansat të thyejnë barrierë dhe të gjithë ta përqafojnë atë, teksa ai po performonte një prej hiteve të tij. Unikkatili u kthye sërish në skenë, për pjesën e dytë të performancës, ku dhe u shpalos flamuri kuq e zi nën tingujt “Kuq e Zi” të këngës hit të Viktorit. Në fund, koncerti u përmbyll me një ‘përshëndetje’ për rivalët e tij, dhe jo, nuk këndoi ai, fansat e kënduan këngën “Ju Ha Për S’gjalli” dhe kështu, Prishtina jehoi nga tingujt e këngës që dhe mbylli një mbrëmje të mrekullueshme.

Telegrafi ka kontaktuar pas koncertit reperin legjendar dhe përkundër faktit se ai ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve tona, ai kurrë nuk i ka kthyer ato. Kontakti ka ekzistuar dhe është i gjallë, prandaj zbulojmë ekskluzivisht për fansat më poshtë disa prej fjalëve të Unikkatilit rreth koncertit.
“Ani pra, e bëjmë intervistën. Mi dërgo disa pyetje, tani më aktualet se më herët. Tjetër do të kisha pasur dëshirë të demantoj një gjë që kishin thënë televizionet që kinse nuk ka qenë koncerti ‘live’. Ti pasi që ke qenë vet i pranishëm e di se unë secilën repturë e kam performuar 100% ‘live’ dhe çdo njeri që e ka marrë vesh e di atë gjë dhe e ka dëgjuar zërin tim ‘live’. Refrenat kanë qenë pjesët e vetme ku unë është dashur të mbushem frymë”.

“E kam edhe një konflikt rreth pyetjes së parë, nuk më duket korrekte(pyetja jonë e parë fliste për ndjenjën që Unikkatili ka pasur para 20 mijë personave.) Nuk e di sa e di ti, por unë e kam të konfirmuar se kanë qenë rreth 25 mijë persona. Dhe nëse e marrim parasysh çmimet që ishin 15, 20, 30 dhe 116 euro e jo 5 euro, atëherë ky koncert ka qenë më i madhi i ndonjë artisti, pa marrë parasysh nacionalitetin dhe racën”.
“Sa i përket pyetjes së dytë (pyetja mbi kritikat e mediave tona pas koncertit) nuk besoj se ato kanë vënë në dyshim diçka, pasi ato kanë reaguar nga inati dhe për shkak se një kameraman pësoi dy-tri goditje, por në përgjithësi njerëzit e dinë të gjithë që koncerti ka qenë ‘live’ dhe në YouTube kjo vërehet më së miri”, ishin këto disa prej fjalëve të Unikkatilit, të cilat i shoqërojmë si dëshmi edhe me fotografi.

Përgjigjet e intervistës Viktori nuk i kishte kthyer kurrë, por së paku këtë përmbledhje të koncertit të tij si ngjarjen më të madhe të vitit e pasuruam me një prononcim të tij ekskluziv.
Një gjë është e sigurt – koncerti i Unikkatilit pa marrë parasysh polemikat ndaj organizatorit dhe vet artistit, do të mbetet gjithmonë në zemrat e fansave, të cilët realizuan ndoshta një prej ëndrrave të tyre më të mëdha, që të shohin të gjallë në interpretim njeriun nga i cili inspirohen edhe sot e kësaj dite.


Largimi i Ledrit nga muzika

Pasi shtjelluam triumfin për shkëlqimin e Rita Orës në skenën ndërkombëtare dhe koncertit historik të Unikkatilit në Prishtinë, një gjë tjetër që mund të konsiderohet prej ngjarjeve më të rëndësishme të këtij viti në skenën tonë ishte largimi i Ledri Vulës nga muzika.
Pas shkëlqimit me albumin “Rap, Sex and Money”, Ledri së bashku me Visarin vendosën të kalonin në rep labelin Babastars, që riorganizoi dhe bashkoi forcat me Tingullin e 3nt dhe disa prej reperëve tjerë, për të bërë diçka më mirë.

Sidoqoftë, pas incidenteve me rivalin Noizyn në aeroportin e Cyrihut në Zvicër, Ledri për një moment ndryshoi qasjen e tij dhe prej një hip-hop artisti, u zhvendos në një reper që drejtonte ‘diss’-a, gjë që nuk e kishte bërë më parë. Dhe, më pas u shfaqën dhe probleme tjera në jetën e tij private, që e sollën karrierën e tij në pikën më të ulët të mundshme.
Si një njeri që vjen nga një familje e shkolluar dhe tipike shqiptare, Ledri vendosi që për një moment të fokusohej në fakultet dhe në jetën e tij, duke bërë të ditur kështu se do të largohej përgjithmonë nga muzika.

Ishte kjo goditja më e rëndë për muzikën shqiptare ndoshta në dhjetë vitet e fundit, pasi humbi një prej ogureve të saj më të mirë. Ai e la të vetmuar Visarin, me të cilin kishin dhjetëra koncerte të aranzhuara, e të cilat u anuluan.
“Mbi 60 këngë i kemi të gatshme të cilat do t’i lansojmë kohë pas kohe. Jemi të gatshëm për të pushtuar skenën e hip-hopit në dekadën e ardhshme”, kishte deklaruar Ledri për Telegrafin në mars të vitit 2011, duke paralajmëruar vite të arta para tij.

Por, siç e thamë më lart, largimi i tij nga muzika mund ta ketë dëmtuar skenën tonë të hip-hopit dhe të muzikës në përgjithësi, por sigurisht se i ka ndihmuar vet Ledrit, i cili nuk ka dhënë asnjë të vetëm prononcim për mediat shqiptare. Ledrizlla ka diplomuar në regji të filmit dhe pritet që në të ardhmen të lansojë projektet e tij filmike, të cilat ashtu si karriera muzikore pritet të jenë ikonike.

Një gjë dihet – Ledri Vula do të mbetet një prej ikonave më të mëdha të hip-hopit shqip të epokës së re. Nuk dihet nëse ai do të kthehet ndonjëherë përsëri, por hitet si “Bone Veç për Mu”, “Nuk Jom Vet”, “V.I.P”, “N’club”, “Si Manekene”, “Tonight” dhe shumë të tjera do të mbesin përherë në kujtimet e fansave të tij besnikë, të cilët janë të shumtë në numër dhe ndoshta ëndërrojnë për një rikthim të tij sensacional.
/Telegrafi/
Rita Ora në Prishtinë duke bërë me duar shqiponjën dykrenare, Foto: Telegrafi
Rita Ora në Prishtinë duke bërë me duar shqiponjën dykrenare, Foto: Telegrafi

No comments:

Post a Comment