Për herë të parë, tri kompani farmaceutike janë gati të eksperimentojnë
ilaçe të reja që mund të veprojnë kundër një game të gjerë tumoresh: nga
ai i gjirit tek ai i prostatës, nga mëlçia te mushkëritë. Ilaçet do të
kenë në shënjestër një anomali që lidhet me një gjen përgjegjës për
zhvillimin e tumoreve. Ky eksperiment mund të shënojë fillimin e një
epoke të re gjenetike në kërkimet kundër kancerit. “Merck”, “Roch” dhe
“Sanofi” kanë nisur garën për të nxjerrë një lloj të ri ilaçi që të
nxisë mekanizmin që i shtyn qelizat e sëmura të vetëshkatërrohen. Asnjë
shoqëri farmaceutike nuk ka ndërmarrë një eksperiment të tillë klinik
deri më tani, i testuar edhe te pacientët që vuajnë nga lloje të
ndryshme tumorale. Otis Webb Brawely, drejtori mjekësor dhe shkencor i
Shoqatës Amerikane për Luftën kundër Kancerit, thotë: “Ky është një hap
shumë i rëndësishëm në zhvillimin e ilaçeve antitumorale. Në të ardhmen
organi ku është zhvilluar kanceri do të ketë më pak rëndësi, ndërsa
terapia molekulare gjithmonë e më shumë”. Në qendër të këtij
eksperimenti janë pacientë si Joe Bellino. Shtatë vjet më parë, mjekët i
diagnostikuan një liposarkoma, një lloj i rrallë tumori që prek qelizat
e indit dhjamor.
Kjo formë tumorale u vendos të jetë
eksperimentuese e një ilaçi të “Sanofi”-t, sepse tumoret thuajse
gjithmonë paraqesin të njëjtin problem gjenetik: një shkrirje të dy
proteinave të mëdha. Nëse ilaçi do të jepte rezultat, “Sanofi” do ta
eksperimentonte në lloje të tjera tumoresh që shfaqin të njëjtat
karakteristika. Nëse nuk do të japë rezultate, firma do të pranojë
humbjen. Ndryshimi gjenetik që kërkon të vërë ilaçi në shënjestër i ka
shqetësuar prej vitesh kërkuesit. Qelizat e shëndetshme kanë një
mekanizëm natyral që i çon drejt “vdekjes” nëse ADN-ja e tyre është
shumë e dëmtuar për t’u riparuar.
Një proteinë, e njohur si p53,
që Gary Gilland i “Merck” e cilëson “engjëlli i vdekjes së qelizës”,
inicion gjithë procesin. Por qelizat tumorale arrijnë ta çaktivizojnë
këtë proteinë drejtpërdrejt përmes një mutacioni, apo në mënyrë të
tërthortë duke e bashkuar me një tjetër proteinë qelizore që e ndalon.
Kush është i përfshirë në kërkimet kundër kancerit përpiqet të
riaktivizojë p53-in në qelizat kancerogjene për të provokuar
vetëshkatërrimin. Shpresat në proteinën p53 nisën 20 vjet më parë:
entuziazmi arriti deri në atë farë pike sa në vitin 1993 revista
“Science” e quajti “molekula e vitit” dhe e vendosi në kopertinë.
Kështu, shoqëritë farmaceutike nisën gjuetinë ndaj një substance në
gjendje t’i jepte një shtysë funksionimit të p53: provuan terapinë
gjenetike, po pa asnjë rezultat. Pastaj vijuan të studionin format
tumorale që përdornin një rrugë alternative për të çaktivizuar proteinën
p53, duke e bllokuar pasi sulmohej me një proteinë të njohur si MDM2.
Po ashtu kërkimet vijuan me një molekulë që mund të futej mes tyre për
t’i distancuar.
Në vitin 1996, kërkuesit e “Roche” gjetën një
“xhep” të vogël me proteinave, mes të cilave mund të futej një molekulë.
Në fund “Roche” gjeti molekulën e duhur që e quajti Nutlin. Por këto
nuk kanë funksionuar si ilaçe, sepse nuk përthitheshin nga trupi. Më
vonë “Roche”, “Merck” dhe “Sanofi” eksperimentuan me qindra mijëra
molekula të tjera.
Tek “Sanofi”, grupi i Debucssche-s bashkë me
Schaomeng Wang të Universitetit të Miçiganit dhe një kompani
bioteknologjike “Ascenta Therapeutics”, gjeti një përzierje shumë
premtuese. Shoqëria farmaceutike e ka eksperimentuar, duke e injektuar
çdo ditë në stomakun e disa kavieve të prekura nga sarkoma dhe zbuloi se
tumoret ishin zhdukur. “La Roche” ishte e para që eksperimentoi një
ilaç me bazë p53 te pacientët. Ashtu siç kërkohet nga protokollet, nisi
të kërkojë dozën e nevojshme pa u bërë helmuese. Për këtë u deshën tre
vjet. Studimet që do të pasojnë tani, nëse janë pozitive, duhet t’u
hapin dritën jeshile disa eksperimenteve klinike në disa lloje tumoresh.
Kohët e fundit “Merck” ka thelluar studimet për të kuptuar se cila
është doza e duhur dhe po rekruton pacientë të prekur nga leucemia
akute.
Doza ideale do të eksperimentohet te 15 pacientë në një
kampion prej 30 vjetësh për të studiuar efikasitetin. Edhe “Sanofi” ka
nisur testet e veta mbi sigurinë në Europë. Vitin tjetër do të vazhdojë
në disa qendra mjekësore të SHBA-së. Ashtu si “Merck”, “Sanofi” do të
përqendrohet te pacientët e prekur nga liposarkoma si Bellino që kanë
mundësi të mëdha për t’iu përgjigjur pozitivisht ilaçit. Liposarkoma
është një tumor shumë i rrallë, prek më pak se 2 mijë raste në botë,
saqë asnjë lloj ilaçi nuk është eksperimentuar mbi pacientët e prekur
nga ky lloj tumori. Për fat të keq të Bellinos, testi do të vijë shumë
vonë. Vdiq një muaj më parë në Nju Jork.
Eksperimenti
Tri
shoqëri farmaceutike “Merck”, “Roche”, “Sanofi”, po eksperimentojnë një
ilaç për të kuruar lloje të ndryshme tumoresh, në mënyrë të pavarur nga
organi i prekur: nga mushkëria te mëlçia
Objektivi
Të gjejnë një dozë jo helmuese që mund të përdoret kundër llojeve të ndryshme të tumoreve
Ilaçi
- Ndërhyn duke riaktivizuar proteinën p53, që në qelizat e sëmura ose
është e çaktivizuar nga një mutacion gjenetik ose sulmohet dhe bllokohet
nga një proteinë tjetër
Riaktivizimi - I kësaj proteine bën që qelizat me ADN të dëmtuar të vetëshkatërrohen dhe bllokon shtimin e qelizave të sëmura
Shifrat
7.8 milionë - Vdekjet si pasojë e tumoreve të ndryshme në botë. E barabartë kjo me 13 për qind të popullsisë
Infeksionet - Një në tre tumore është i lidhur me infeksionet e ndryshme
21.4 milionë - Të sëmurët me kancer brenda viti 2030, sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë
shqiperia.com
No comments:
Post a Comment