Shumëkush do të thotë se është bërë mjaft në luftimin e
korrupsionit gjatë vitit 2012. Së paku, ata të cilëve kjo deklaratë u
shkon për shtati. Mirëpo, deklaratat për zero tolerancë ndaj
korrupsionit, si nga Qeveria ashtu edhe nga EULEX-i, nuk u arsyetuan
plotësisht. Pak u bë, mbetet edhe shumë të bëhet.
Ishim dëshmitarë të arrestimeve spektakolare të funksionarëve të
lartë, bastisjeve dhe operacioneve policore. Proceset gjyqësore e
aktakuzat janë duke u përcjellë me vëmendje si nga politika, ashtu edhe
nga qytetarët e Kosovës, edhe pse disa prej tyre janë duke u zvarritur
nëpër kanalet e burokracisë shtetërore. Edhe pse pothuajse secili rast
më sensitiv u ngjyros politikisht, gjatë vitit 2012, u pa një
aktivitetet i shtuar i strukturave të sigurisë në Kosovë. Sidoqoftë, në
2013-n ministra, deputetë, këngëtarë, zyrtarë të lartë të sektorit të
drejtësisë, prokurorë e gjyqtarë do të përballen me drejtësinë. Epilogu
përfundimtar mbetet të shihet.
Iku Xhabiri
Ia “lëshoi mjekër” policisë dhe gjykatës. U dënua me tre vjet për
armëmbajtje pa leje dhe detyrim nga EULEX-i, por Xhabiri këtë nuk e
pranoi. U ankua në të gjitha shkallët. Kërkoi edhe shtyrjen e dënimit,
shkaku i biznesit që e drejton për të mbajtur familjen. E kur i shpenzoi
të gjitha ankesat që kishte bërë në organet e drejtësisë, ish- kryetari
i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, lëshoi Kosovën dhe u lajmërua me
letër nga një vend i panjohur duke akuzuar EULEX-in. Madje edhe
kërcënoi se do të destabilizojë Kosovën. Edhe pse ekziston urdhër-arrest
lëshuar nga Gjykata Komunale për të, Zharku duket se natën e Vitit të
Ri do të presë në rehatinë e vendbanimit të tashëm që e ka. Ai sipas
aktakuzës ka kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil Sumën dhe Azem
Sumën në rast se nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia
Kosovare e Privatizimit (AKP) në valën e 16-të për privatizimin e një
ferme të deleve, në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të
Ferizajt. Rasti i shmangies së tij nga vuajtja e dënimit është i pari që
ka ndodhur në Kosovë që nga përfundimi i luftës.
Nuk ka kush që e ndal Bllacën
Si duket, nuk është i kënaqur që në bazë të dëshmisë së tij pesë
ish-pjesëtarë të ShIK-ut u dënuan së bashku me 54 vjet burg.
Paralajmëroi vazhdimin e akuzave, duke mos harruar edhe t’u tërheqë
vërejtjen deputetëve të Kuvendit të Kosovës se në listë i ka edhe disa
prej tyre që do t’i përmendë. Sa i përket rastit ‘Bllaca 2’, epilogu
ishte si vijon: Shpresim Uka, Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla
dhe Shaban Syla do të vuajnë dënimin me burgim për veprat penale -
vrasje e rëndë dhe tentativë vrasje. I akuzuari kryesor, Shpresim Uka,
është dënuar me 15 vjet burgim për dy akuzat, akuza e parë vrasje e
rëndë ndaj Ibush Kllokoqit, si dhe akuza e dyte tentativë vrasje të Adem
Salihajt; Sadik Abazi dhe Bekim Syla me nga 12 vjet burgim për akuzën -
vrasje e rëndë, Shaban Syla 8 vjet, si dhe Driton Hajdari me 7 vjet
burgim. Tre nga këta të dënuar kanë lakmuar në Xhabir Zharkun, dhe pak
pas shpalljes së verdiktit janë avulluar nga Kosova.
Rekordmeni Kolë Puka
Mbase gjatë tërë karrierës së tij si gjykatës nuk ka gjykuar aq
shumë vepra penale për të cilat akuzohet vetë. Deri tani është dënuar me
15 vjet burg, dhe kjo pritet të rritet edhe më shumë. Në muajin tetor
ish-gjyqtari i Gjykatës Komunale në Klinë, Kolë Puka, është dënuar me 10
vjet burgim nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për mbi 1 milion e 257
mijë euro të përvetësuara. Kolë Puka është shpallur fajtor për hiç më
pak se 8 vepra penale, pastrim parash, shpërdorimi i detyrës zyrtare ose
i autorizimit, nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve, mashtrim dhe
legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, falsifikim i dokumenteve, lidhje e
kontratës së dëmshme, keqpërdorim i besimit dhe dhënia e kundërligjshme
e ndihmës juridike. Në muajin maj është dënuar nga Gjykata e Qarkut në
Pejë me 5 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të
autoritetit. Bashkë me të ishin dënuar edhe avokati Lon Palushaj me 3
vjet burgim dhe mjeku Bedri Bakalli, me 6 muaj për kryerjen e veprës
penale të mashtrimit. Por, të bëmat e Pukës nuk përfundojnë me kaq. Ai
gjatë vitit 2013 pritet të përballet me një aktakuzë të re, nën dyshimin
për shpëlarje parash në vlerë prej 1 milion e 200 mijë euro. Përveç
aktakuzës ndaj tij, do të hapet një lëndë e re që ka të bëjë me
patundshmëritë e tij, të cilat dyshohet t’i ketë përfituar në mënyrë të
jashtëligjshme./kosovasot/
No comments:
Post a Comment