“Love” është një fjalë dhe premtim, dhe për Anjezën edhe pse një çmim i
dytë në Festivalin e 51-të të Këngës në RTSH, ku konkurroi me këtë
titull, prapë ndihet e lumtur, sepse kjo fjalë përkon me momentet
speciale që ajo po kalon në jetë. Anjeza nuk e fsheh që është e
dashuruar me një djalë nga Anglia të quajtur Pol, me të cilin njihet
prej dy vitesh, por ende refuzon të flasë për këtë histori. Tashmë që
sapo ka kaluar zhurma e festivalit, ku Anjeza ishte pse jo pretendente
për çmim të parë, me një këngë shumë të bukur dedikuar dashurisë së
vërtetë, ajo po përgatitet të udhëtojë drejt Londrës më 13 janar, për të
qenë pranë tij, djalit që s’ka lidhje me artin dhe që është i angazhuar
me politikë. Ndonëse lidhja nuk është bërë ende zyrtare, këngëtarja veç
ka konfirmuar se po jeton një dashuri të vërtetë me një të huaj. Kjo
është hera e parë që 25-vjeçarja e njohur po përflitet për një histori
dashurie, që duket që është shumë serioze. Ajo preferon ta ruajë ende
sekret deri në zyrtarizimin e lidhjes, por përsëri nuk e fsheh që
udhëtimet e saj të shpeshta drejt Londrës kanë një arsye të fortë dhe
arsyeja është Pol, një diplomat i njohur në Londër. Anjeza e ka njohur
në Tiranë, kur ai ishte i ngarkuar më punë këtu, por tashmë që ai është
rikthyer sërish në Londër u duhet ta përjetojnë këtë lidhje në largësi.
Kështu, pas disa pushimeve të bukura në muajin tetor me të dashurin
atje, Anjeza pasi të mbyllë koncertet për Vitin e Ri në Shqipëri e
Kosovë, do të udhëtojë sërish drejt Londrës në datën 13 janar, për t’u
takuar me të dashurin e saj. Një dyshim për një lidhje të këngëtares
atje lindi qëkur Anjeza postoi në facebook një album fotografish të
realizuar në Londër dhe të titulluar “Lovely Holliday”. Edhe pse kanë dy
vjet bashkë, duket që është një histori dashurie e fortë, përderisa po
funksionon në distancë. Kështu, Anjeza, si një artiste me strategji, jo
pa qëllim e ka titulluar “Love” këngën e saj të fundit, si për të
vulosur në moment të rëndësishëm në jetën e saj. Por jo vetëm në këtë
rast Anjeza i këndon ndjenjës, pasi vitet e fundit i ka kënduar
vazhdimisht dashurisë në konkurrimet e saj në festivale dhe po ashtu në
klipe.
Në klipin me Martin Kilger: “Unë, protagonistja shqiptare me të cilën dashurohet një i huaj” Edhe
pse ka pranuar të bëhet protagoniste e një dashurie të vërtetë të
këngëtarit gjerman me një vajzë nga Tirana, ndoshta aty ka interpretuar
historinë e saj të dashurisë. Një i huaj, që bie kokë e këmbë në dashuri
me një vajzë shqiptare. Kënga në duet titullohet në gjermanisht
“Kastanien” dhe bëhet fjalë për një bashkëpunim të Anjeza Shahinit me
këngëtarin gjerman, Martin Kilger, i cili ka krijuar një këngë dedikuar
Tiranës, ose me saktë një vajze nga Shqipëria me sy gështenjë me të
cilën ai ra në dashuri. Anjeza, e cila këndon pjesën e saj në shqip,
luan në të njëjtën kohë dhe protagonisten e klipit, ndërsa shprehet se
si ndihet pasi ky djalë i huaj i ka shprehur se ka rënë në dashuri, duke
e ftuar të zbulojnë bashkë gjithë botën në lirinë që asaj i pëlqen. “Në
këtë këngë jam protagonistja e ftuar për të bërë vajzën shqiptare.
Është interesante ideja që thyerja e këngës bëhet në shqip nga një
këngëtare shqiptare, që jam unë”, thotë Anjeza. Këngëtari Martin Kilger e
ka këtë këngë pjesë të albumit të tij të katërt dhe një nga videot
promovuese të tij do të jetë pikërisht kjo, sipas saj. Po si lindi ky
bashkëpunim i Anjezës me Martin? “Martin ka qenë disa herë në Shqipëri
për aktivitete të ndryshme, dhe në çdo album të tij ai zgjedh një
kulturë të veçantë, për ta bërë pjesë në këngë. Këtë herë zgjodhi
Shqipërinë, që sipas tij i ka lënë gjithmonë mbresë të veçantë. Me sa
kuptohet, edhe një vajzë sy gështenjë e ka bërë për vete gjatë qëndrimit
të tij këtu”. Më tej, Anjeza duke folur rreth këtij bashkëpunimi, pohon
se: “Me sa e njoh unë, Martin gjithmonë frymëzohet nga jeta e tij
personale. Takimi im i parë me të ka qenë prej shumë kohësh, prej
menaxherit tim austriak kur unë jetoja në Vjenë. Që atëherë nuk i kemi
shkëputur asnjëherë lidhjet për çdo të re në muzikë. Ndërkohë Martin
merret dhe me video produksion dhe, përveçse ka realizuar disa
videoklipe të këngëtarit me famë Xavier Naido, ka qenë edhe në tur
koncertesh me të, ku unë i kam ndjekur ‘live’”, thotë Anjeza.
(m.a/panorama/BalkanWeb)
No comments:
Post a Comment