Fundviti nuk sjell ndonjë ndryshim për ata pak banorë shqiptarë që
kanë mbetur në fshatrat shqiptare Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë të
komunës së Leposaviqit. Festat ashtu si edhe përditshmëria e tyre janë
gati të izoluara dhe aspak të lehta. Banorët shqiptarë të fshatrave më
veriore të Kosovës, Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë, duket sikur me thonj
janë kapur pas mundësisë së vogël për të qëndruar në këtë vend tërësisht
të izoluar, ku shteti duket se ka harruar të kthej sytë, le më të zgjas
duart dhe ofrojë kujdesin.
Këto fshatra malore janë të vetmet që përbëjnë pjesën etnike shqiptare
të komunës më veriore të Kosovës, Leposaviqit, që në këtë dimër shfaqin
qartë imazhin e mjegulluar të ndjenjës së harresës.
Përditshmëria e kësaj zone që mezi frymon në ftohtin dimëror mes
vështirësive është një rrëfim i një jete të rëndë pa mbështetje, pa
vëmendje me shumë fjalë pa aspak fryte.
Të tria fshatrat që mezi mbajnë nga 20 familje kanë vetëm nga një të
punësuar, të punësuarit e tjerë janë të ardhur që bëjnë pak orë këtu dhe
ikin pa bërë ndonjë ndryshim në jetën e këtyre njerëzve.
Të gjitha familjet e tjera mbesin të kapluara në agoninë e pritjes së
një ndihme sociale që nuk vjen më shumë se nga 40 euro në muaj e në
disa prej familjeve fare.
Përveç disa shtëpive me tulla të kuqe që banorët i rindërtuan me
shumë këmbëngulje për të mbetur këtu, pas luftës, nuk ka ndërruar
pothuajse asgjë në fotografinë e këtyre fshatrave. E njëjta mund të jetë
nxjerrë që nga vitet 60 të shekullit të kaluar e këtej. Tani mund të
ketë vetëm një ndryshim sepse kasollet e vogla nga pamundësia për të
jetuar po braktisen e rrëzohen përditë.
Lulëzim Hetemi një nga banorët e papunë të fshatit Bistricë rrëfen për jetën e rëndë në këtë vend.
“Kushtet siç po i shihni edhe ju vet, së pari rrugët, infrastrukturë
nuk ka, këtu rruga është e pakalueshme, unë jetoj më një asistencë
sociale, jemi gjashtë anëtarë të familjes, udhëtimin e bëjmë me mjete,
dikush kush ka mjete të veta, edhe kambë malit, mjek nuk ka qe 1 vjet”,
thotë Lulzimi për Radio Kosovën.
Gra me foshnja në duar tek ecin me dhjetëra kilometra maleve nëpër
borë për të zbritur në Mitrovicë mund të takosh shpesh në këtë pjesë.
Këto fshatra sidomos nga viti i kaluar janë mbështjellë në lëvozhgën e
ankthit dhe pasigurisë.
Rruga që lidh Mitrovicën, Zveçanin dhe Leposaviqin bllokohet shpesh
nga barrikadat e banorëve serbë që nuk duan të pranojnë shtetin e
Kosovës dhe në ditë të tilla të gjithë banorët mbesin të izoluar.
Në këto ditë mbase askush nuk duhet të lëviz e ndoshta nuk guxon të ketë as lindje as sëmurje e as vdekje.
Florije Musa në fshatin Cerajë, tregon për ankthin e saj derisa
fëmijët t’i kthehen nga shkolla ngase ata duhet të kalojnë kilometra të
tërë maleve në mot të mirë e të keq, mes pasigurisë dhe mundësisë për
t’u sulmuar, jo vetëm nga egërsirat.
“Shumë rëndë është. Shpesh rri përjashta derisa fëmija të kthehen nga
shkolla sepse u duhet nganjëherë të shkojnë këmbë nëpër mal”, rrëfen
Florija.
Në këtë oazë mungesash të mëdha është e pamundur të kërkosh dyqan, postë, valë telefonike e madje edhe frekuenca televizive.
Në një ditë të ftohtë fund-dhjetori në këto fshatra mund të ndihet
vetëm mërzia dhe vuajtja e këtyre njerëzve. Fëmijë që shikojnë përtej
mureve të plasaritura dhe dritareve të vjetra, të rrjepura nga koha dhe
skamja mos dikush po kujtohet për ta.
Në fytyrat e zymta të këtyre njerëzve nga përpëlitja midis halleve të
bollshme nuk është e vështirë të pikasësh zemërimin ndaj shtetit. Në
këtë puls dëshpërimi është krejt e rëndomtë të dëgjosh një përgjigje jo
shpresëdhënëse, atë të braktisjes së kësaj jete të vështirë këtu dhe
ikjes diku në një vend po aq të pashpresë.
Këtë e tregon Heset Idrizi nga Koshtova që ka vendosur të braktisë shtëpinë.
“Me duhet përshembull, krejt këtë pasuni, plotë stallën lopë, krejt
këtë pasuri me lanë, po s’ki qare se nuk kem zgjidhe tjetër na, ose a me
i lanë fëmijët pa shkollë”, ankohet Heseti.
Hallet dhe ankesat e këtyre pak banorëve janë të pafund. Rrahim
Idrizi 26 vjeçar rrëfen se sa e pashpresë është jeta e një të riu në
këtë vend.
“Nuk ka punë nuk ka asnjë shpresë të jetosh këtu. Vetëm vitet po
ndërrojnë nuk po ndryshon asgjë këtu. Shpresa për ne është e zymtë”,
thotë Rrahimi.
Shitja e bagëtive dhe produktet e qumështit janë të vetmet me të
cilat ata do të kishin mundur të jetonin. Por, nuk kanë ku t’i shesin.
Jeta e banorëve të këtyre tri fshatrave tregon se ky vend i vetmi ku
flitet shqip brenda nju perimetri domethënës për shtetin e ri, të krijon
përshtypjen se po zbehet nga orbita e interesimit të tij që edhe ashtu
duket se nuk ka ekzistuar kurrë aq seriozisht. Janë vetëm 80 banorë, por
që kanë çka të ruajnë aty ku jetojnë./Indeksonline/
No comments:
Post a Comment