Sunday, December 30, 2012

Kosova Kreka, vajza që shkëlqen në shkencë edhe art

Kosova vjen nga një familje kosovare e ardhur qysh herët në Elbasan. Ajo ka mbaruar studimet për Ekonomi dhe Fizikë në SHBA. E renditur në regjistrin e më të mirëve të universitetin ku studioi, Kosova Kreka nuk e harroi edhe pasionin e saj për pikturën. Mes shkencave të natyrës ku u përqendruan studimet e saj, ajo zgjodhi edhe një kurs pikture, duke mos e harruar dëshirën e madhe për të pikturuar.Kosova ka filluar të merret me pikturë qëkur ka filluar të shkruajë. “Qëkur kam qenë e vogël, mësuese Etleva më thoshte: Bëj një përshkrim dhe vizatoje. Shpenzoja shumë kohë dhe më pëlqente ta shoqëroja çdo gjë me vizatime. Një nxitje e madhe ka qenë babai që më thoshte të vizatoja dhe më pas vetë. Piktura do kohë dhe është gjithmonë kënaqësi e madhe për mua. Shumë prej këtyre punimeve janë në ekspozitë dhe dua të falënderoj prindërit që i kanë mbajtur e vendosur në stenda”.
Kosova ka marrë tashmë një tjetër perceptim për artin e pikturës. Pas kursit të pikturës në universitetin amerikan, tashmë ajo e shikon ndryshe dëshirën e saj të madhe për të pikturuar.
“Piktura është mënyra ime për t’u shprehur. Çdo artist ka një mënyrë për të shprehur vetveten. Unë mendoj se dhe shkenca ka mënyra për të shprehur vetveten, por më mirë kjo bëhet me art. Pas kursit që zhvillova, fillova ta shikoj ndryshe pikturën. Profesoresha ime ishte e re dhe na ka mësuar metoda bashkëkohore të të pikturuarit. Mendoj se ka qenë një ndihmë e madhe, sepse mënyra se si i shikon gjërat kur nuk merresh me art është ndryshe nga profesionistët.
Prindërit e saj, Isai dhe Majlinda, tregojnë se dëshira e Kosovës për pikturën ka vazhduar njëkohësisht me dashurinë për matematikën dhe fizikën. “Si studente shqiptare në Amerikë, Kosova na ka nderuar ne si prindër duke u renditur ndër të parat për rezultatet e saj në universitetin ku studioi. Kështu vendosëm t’i bëjmë një surprizë me këtë ekspozitë.
Para një viti ne ishim në universitetin e saj dhe drejtuesja na tha se vajza ishte në vendet e para të katalogut që ata botonin në përfundim me studentët më të mirë të këtij universiteti”, thonë prindërit. Bardha Nergjoni/gazeta-shqip.com/.

No comments:

Post a Comment