Personat që vuajnë nga diabeti mësohen ta kontrollojnë atë me ushqim të
duhur, ushtrime të rregullta dhe ilaçet e nevojshme. Jeta me diabet nuk
ka nevojë të jetë e vështirë nëse e zbuloni me kohë dhe mësoheni ta
kontrolloni si duhet.
Megjithatë, shumë faktorë ndikojnë në
shkallën e sheqerit në gjak. Sëmundja, stresi, konsumimi i alkoolit ose
cikli menstrual mund të ndikojnë pavarësisht të gjithë masave të marra.
Nëse
vuani nga diabeti dhe rregullisht matni nivelin e sheqerti në gjak, nuk
keni shumë arsye për t’u shqetësuar, por ka situata kur është e
nevojshme të kërkohet ndihma profesionale.
Urinimi i shpeshtë, etja ekstreme, uria dhe shikimi i turbullt
Këto
janë simptomat më të shpeshta të diabetit të pakontrolluar. Nëse keni
cilëndo prej këtyre simptomave, duhet ta vizitoni mjekun. Pavarësisht se
sa është niveli i sheqerit në gjak, me siguri mjeku do t’ua kompensojë
mungesën e lëngjeve dhe elektroliteve në trup që niveli i sheqerit në
kthehet nën kontroll.
Nëse nuk reagohet menjëherë, niveli i lartë
i sheqerit mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore. Diabeti i
tipit 1 mund të shkaktojë ketoacidozë diabetike, e cila kërkon ndihmë
urgjente mjekësore.
Te diabeti i tipi 2 mund të vijë deri te
dehidrimi dhe humbja e vetëdijes, çka mund të jetë fatale nëse nuk
ofrohet menjëherë ndihma mjekësore.
Sjellja e çuditshme
Përngjan
me sjelljen nën ndikimin e alkoolit, ndërsa kryesisht është shenjë e
nivelit të ulët të sheqerit. Në këtë rast duhet të konsumoni lëng ose
diçka të ëmbël (mjaltë) çka do të rrisë nivelin e sheqerit. Megjithatë,
diabetikët shpesh nuk e shohin si të çuditshme këtë sjellje, që është
problem serioz sepse niveli i ulët i sheqerit mund të shkaktojë humbjen e
vetëdijes.
Në shumicën e rasteve, diabetikët e kthejnë vetë
nivelin e sheqerit në normale, por ndonjëherë është e nevojshme ndihma
urgjente mjekësore.
Infeksionet, mishi i ënjtur ose i gjakosur i dhëmbëve, dhimbja në shputa
E
gjithë kjo paraqet rrezik të madh. Për diabetikët edhe plagët më të
vogla mund të paraqesin problem pasi që diabeti redukton aftësinë e
trupit për ta shëruar plagën menjëherë.
Të gjithë diabetikët
rregullisht duhet të kontrollojnë këmbët, madje edhe nëse plagët ose
kallot nuk janë të pranishme. Këmbët tuaja rregullisht pastrojini në ujë
të ngrohtë (jo shumë të nxehtë), lyeni me krem hidratues për të
parandaluar tharjen e lëkurës çka mund të shkaktojë çarjet dhe
infeksionet e saj.
Infeksionet te diabetikët paraqesin problem të
madh dhe kërkojnë ndihmë urgjente mjekësore. Infeksionet kërpudhore
shfaqen shpesh te diabetikët, veçanërisht kur niveli i sheqerit për një
kohë të gjatë është i lartë sepse hiperglikemia redukton aftësinë e
qelizave të bardha të gjakut për të penguar përhapjen e infeksionit.
Problemet me sytë
Nëse
keni ndier probleme të papritura në shikim, dhimbje në sy ose
shkreptima apo shndritje në fushën e shikimit, gjithsesi kërkoni ndihmën
e mjekut. Diabetikët kanë rrezik të shtuar nga krijimi i retinopatisë e
cila mund të çojë te humbja e shikimit. Ekspertët të gjithë diabetikëve
u këshillojnë që shëndetin e syve ta kontrollojnë të paktën një herë në
vit.
Simptomat e sëmundjeve të zemrës
Diabetikët
kanë rrezik të lartë nga krijimi i sëmundjeve kardiovaskulare. Nëse
ndjeni çfarëdo simptome të sëmundjeve të zemrës, kërkoni menjëherë
ndihmën e mjekut. Disa sëmundje të zemrës janë të pranishme pa simptoma,
për ç’arsye shëndetin e zemrës duheni ta kontrolloni në mënyrë të
rregullt për të parandaluar krijimin e sulmit në zemër, por edhe atij në
tru. Të dyja, fatkeqësisht janë mjaft të zakonshme tek diabetikët.koha.net
No comments:
Post a Comment