Alban Skënderaj, një admirues i këngës shqipe, çdo ditë e më shumë po
korr suksese në profesionin e tij të këngës. Çelësi i tërë këtij
suksesi është vetë prezantimi i tij origjinal tek publiku shqiptar.
Albani aktualisht është mjaft i angazhuar me projekte muzikore.
Ndërkaq sa i përket jetës private, tani e disa vjet bashkëjeton me
këngëtaren e njohur Miriam Cani. Por, çdo gjë më shumë rreth dashurisë,
punës dhe planeve për të ardhmen flet Albani për “Zëri”.
Cilat ishin sukseset dhe dështimet e vitit që po e lëmë pas?
Realisht ka qenë një vit shumë i suksesshëm, për të cilin nuk shoh
ndonjë dështim që ka shkuar keq. Ky vit për mua ishte mjaft i suksesshëm
si për nga ana profesionale po ashtu edhe nga jeta private. Suksesin e
lidhi me atë se duke qenë se kam një jetë stabile duke u munduar të
punoj çdo ditë e më shumë në profesionin tim të këngës.
Gjatë këtij viti padyshim se ke pasur ndonjë dëshirë apo thënë më
mirë ndonjë plan për ta realizuar, keni mundur ta përmbushni këtë?
Po, e kam arritur ta përmbush madje dhe me më shumë sukses, sepse nuk
kisha bërë plan që të mbyll me këtë fitore. Pra nuk kam menduar se do
të arrij kaq shumë sa që nuk e prisja tërë këtë sukses.
Konkretisht, për çfarë suksesi e ke fjalën?
Si sukses më i rëndësishëm është pjesëmarrja dhe performanca ime e
parë në festivalin “Kënga Magjike”, ku arrita të vlerësohem mjaft shumë
nga juria dhe tërë kolegët e mi pjesëmarrës. U vlerësua mjaftë mirë
interpretimi im.
Flitet se kënga juaj “refuzoj” me të cilën morët pjesë në këtë festival ishte e vjedhur, cili është komenti yt?
Nuk merrem me këto gjëra, sepse janë gjëra rrugësh. Me vlerësimin e
këngës dhe çështjen e vjedhjes merren profesionistët dhe përderisa ata
nuk thonë se është këngë e vjedhur nuk ka se si të jetë. Kjo është vetëm
një tentativë për të më ulur mua imazhin, dhe në fakt nuk jam as i pari
dhe as i fundit që sulmohem në këtë mënyrë. Dhe çështjen e vjedhjes
duhet ta vlerësojnë profesionistët e jo njerëzit e rrugëve.
Në shumë festivale keni arritur të merrni trofe, cilin prej tyre do ta veçonit më shumë?
Të gjitha performancat e mia nëpër festivale më kanë bërë të ndjehem
mjaftë mirë, por trofeu i rrëmbyer në “Kënga Magjike” është më i freskët
dhe padyshim se për momentin është çmimi im më i dashur.
Cilat janë surprizat e radhës për festat e fundvitit?
Gjatë këtij viti nuk do të jem shumë në xhirime të Vitit të Ri, për
shkak të punës që kam me projektet muzikore. Në fakt më shumë do të jem
në disa mbrëmje festive si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Dua ta cekë
se për festat e fundvitit për herë të parë do të jem në Bujanovc dhe kam
përshtypjen se do të kaloj mirë. Jam i frymëzuar nga rruga ime dhe atje
është një pjesë që tregon se edhe ajo popullatë që jeton atje ka nevojë
për ne, dhe e ndiej si obligim për të qenë më afër tyre.
Jetoni mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku ndieni më mirë pranë të
dashurës e cila jeton në Gjermani apo ju pëlqen të jetoni më shumë në
Shqipëri?
Natyrisht se Shqipëria është vendi im dhe më pëlqen më shumë, por
duke qenë se tani e pesë vjet jam i lidhur me Miriamin edhe jeta në
Gjermani më pëlqen mjaftë shumë. Në realitet jeta atje është më ndryshe,
ka më shumë rregull, dhe ka më shumë përparësi, por sido që të jetë për
mua nuk ka problem se a jetoj në Shqipëri apo në Gjermani.
U bë kohë që bashkëjetoni, keni vendosur akoma datën e martesës?
Dua t’i bëjë gjërat me radhë dhe është një vendim i përbashkët për të
cilin ende nuk kemi vendosur. Por besoj se edhe martesa do të bëhet në
një të ardhme të afërt.
Duke qenë se bashkëjetoni, keni menduar se mund të ju ndodhë rastësisht të bëheni baba?
(Qesh) çdo gjë është e mundur, por ende nuk kemi bërë plane, por siç që të jetë çdo gjë është e mirëseardhur.
Udhëtimet e juaj janë të shpeshta, i frikësoheni udhëtimit me aeroplan?
Në përgjithësi mund të them se nuk frikësohem dhe nuk më ka ndodhur
deri më tani kjo, mirëpo edhe vet udhëtimi me aeroplan i ka ato
emocionet e veta të frikës ndër vete.
Padyshim se gjatë këtij viti keni pasur mjaftë koncerte, mbase
edhe fitime materiale je i kënaqur më këto apo ke pritur dhe më shumë?
Nuk jam i kënaqur 100 % nga fitimet materiale sepse duke ditur se
artisti ka shumë investime dhe stadi për një treg të vogël nuk është i
konsoliduar. Megjithatë jam mirënjohës gjithsesi faktit dhe punës time.
Mund të jepni një mesazh për lexuesit?
Një përshëndetje e ngrohtë për të gjithë lexuesit e gazetës “Zëri”
dhe adhuruesit e këngës sime. Uroj Vitin e Ri /zeri.info/
No comments:
Post a Comment