Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, është shtruar me
urgjencë në Presbiterian Hospital të New York-ut, pasi dyshohet për
trombozë. Në vijim të disa ekzaminimeve, në fakt, mjekët kanë zbuluar
një mpiksje gjaku për shkak të hemoragjisë cerebrale, që ish- first lady
pati kur u rrëzua 15 dhjetorin e kaluar.
Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, Clinton – siç ka shpjeguar zëdhënësi
i saj, Philppe Reines – i është nënshtruar menjëherë një terapie
antimpiksjes së gjakut dhe është mbajtur nën kontroll për 48 orë.
"Mjekët
janë duke monitoruar situatën dhe do të vendosin nëse do të jetë e
nevojshme të ndërhyjnë më tej”, ka informuar Reines. Ka që nga ditët e
para të dhjetorit që sekretarja e Shtetit nuk shfaqet në publik, duke
ushqyer dyshimet mbi gjendjen e saj shëndetësore. Problemet e Clinton,
65 vjeç, kanë nisur në 10 dhjetor, kur një virus gastrointestinale e
shtrëngoi të anulonte udhëtimin e saj në Marok për të marrë pjesë mes të
tjerave në mbledhjen e grupit të Vendeve Mike të Sirisë, që mbahej në
Marrakesh.
Në 15 dhjetor, dhimbje mesi: një rrëzim në shtëpi për
shkak të një marrje mendsh prej dehidratimit, i shkaktoi një hemoragji
cerebrale. Një traumë nga e cila ka ardhur dhe mpiksja e gjakut, që
tashmë sjell shqetësim dhe për të cilën është shtruar me urgjencë në
spital. Rrethi i familjes Clinton ka vijuar të sigurojë se ditët e
fundit shëndeti i Clinton është i mirë dhe në përmirësim, ndërkohë që
programohej që së shpejti ajo të përfundonte impenjimet e fundit, për
t’i dorëzuar detyrën John Kerry-t. Mes impenjimeve të shpejta, dëshmia e
saj në Kongres mbi “çështjen Bengasi”, sulmin në konsullatën amerikane
në Libi, që u kushtoi jetën katër amerikanëve, edhe ambasadorit Chris
Stevens.
Por rreth gjendjes së shëndetit të Sekretares së
Shtetit kanë vijuar në javët e fundit zërat më dëshpërues, atë të një
tumori në tru – kundër të cilit Clinton po lufton prej muajsh – lajm i
botuar nga një gazetë skandalesh, The National Enquire. Kjo hipotezë, e
përgënjeshtruar prerë nga i njëjti zëdhënës i Hillary-t. Gruaja më
popullore e Amerikës sipas sondazheve – edhe më tepër se first lady
aktuale Michelle Obama – ka shumë që e shohin si kandidate për Shtëpinë e
Bardhë në 2016-n, në fund të mandatit të Barack Obama-s. Edhe pse ajo
nuk është çekuilibruar kurrë në këtë kuptim.
/Shekulli Online/M.A./
No comments:
Post a Comment