Renato Mekolli, kuzhinieri i famshëm shqiptar në Greqi, fitues i disa
çmimeve të rëndësishme në artin e kulinarisë, do të vijë sot në
“Bluetooth” me dy receta shumë interesante për të gjitha amvisat,
lexuese të suplementit. Nuk e keni menduar ende çfarë do të shtroni në
tryezën e ndërrimit të viteve?! Renato ju vjen në ndihmë…
Gjel deti i mbushur
Asortimentet e nevojshme: 1/2
kg mish viçi i grirë, 75 gr arra, 75 gr gështenja, 75 gr stika, 50 gr
stafidhe, 50 gr konjak, 300 gr lëng portokalli, 2 shkopinj kanelle, pak
majdanoz, 1 kokërr qepë e madhe dhe e grirë, 3 rrepë të freskëta, 2
gjethe dafine, 75 gr vaj ulliri, 75 gr gjalpë.
Përgatitja:
Në
një tenxhere skuqim qepët, gështenjat, arrat, stafidhet, stikat, me
gjalpin dhe vajin, (me ngadalë derisa të marrin ngjyrë). Hedhim mishin e
grirë duke e trazuar vazhdimisht për 15 minuta. Më pas vendosim
kanellën, dafinën, majdanozin, kripën, piperin dhe konjakun me lëngun e
portokallit. Vazhdojmë trazojmë masën e përgatitur edhe për 10 minuta të
tjera.
Pasi është ftohur gjella dhe kemi gati gjelin, e
kriposim dhe i hedhim brenda pak lëng portokalli. Fillojmë mbushjen e
gjelit (kujdes mos e ngjishni shumë). Pas mbushjes e qepim mirë në
mënyrë që të mos dalë gjella jashtë. E vendosim gjelin në një tavë, në
të cilën kemi hedhur lëng pule ose lëng perimesh, 2 gota portokalli, vaj
ulliri dhe gjalpë. E mbulojmë mirë tavën me letër alumini dhe e
vendosim në furrë për 3 orë, në temperaturë 190 gradë (kjo varet edhe
nga forca që ka çdo furrë. Duhet të keni parasysh se gjeli piqet me
raportin 1 kile gjel, një orë në furrë). Pasi kanë kaluar 3 orë e hapim,
vendosim rreth gjelit patate të ndara në 4 pjesë dhe rreth tavës
shtojmë kripë, rigon, rozmarinë, limon dhe mustardë. E mbyllim sërish
dhe e lëmë 1 orë akoma në furrë. Ndërsa kalojnë orët dhe shohim se gjeli
është zbutur, e lyejmë me mjaltë dhe i hedhim piper të shtypur trashë. E
vendosim sërish në furrë dhe e lëmë të piqet edhe për 40 minuta.
(Pjekja pas lyerjes me mjaltë duhet bërë patjetër, sepse i jep gjelit
një ngjyrë shumë të bukur dhe lëkura bëhet shumë e shijshme e krokante).
Nëse ka tepruar gjellë e vendosim në tavë përreth gjelit, por në 30
minutat e fundit para se ta heqim nga furra.
Truffles të vogla me gështenja
Asortimentet e nevojshme: 200
gr çokollatë e zezë (jo me qumësht), 250 gr gështenja, 80 gr gjalpë, 40
gr liker sipas llojit që ju pëlqen (jo konjak), kakao dhe 50 gr sheqer
pluhur.
Përgatitja:
Shkrijmë çokollatën dhe e
lëmë mënjanë. Pasi t’i kemi zier gështenjat, i pastrojmë dhe i vendosim
në një tenxhere me shurup. I lëmë të ziejnë derisa të zbuten. Për
përgatitjen e shurupit duhen 200 gr sheqer dhe 100 ml uji. Pasi kanë
zier, i lëmë gështenjat të kullojnë mirë derisa të ftohen. I hedhim
gështenjat në çokollatën e përzier me liker dhe i lëmë të ftohen mirë.
Më pas bëjmë topa të vegjël me çokollatën dhe gështenjat, i kalojmë në
kakao dhe i vendosim në frigorifer për 3 orë që të forcohet çokollata.
Sipas dëshirës mund t’i hedhim sipër arrë kokosi ose sheqer pluhur.
Shënim:
Kur t’i kemi bërë topa të vegjël, i vendosim në akull që të forcohen, i
hedhim kakaon dhe pastaj i lëmë në frigorifer për 3 orë.
Ju bëftë mirë!
Vit të mbarë!
(e.m/Bluetooth/BalkanWeb)
No comments:
Post a Comment