Një sërë rastesh me rrjedhje të informatave sekrete, e kanë
shoqëruar Republikën e Kosovës përgjatë këtij viti, e të cilat rastet
kanë dështuar qysh gjatë fazës së hetimeve. Çka është më e keqja se ndaj
askujt deri më tani nuk është shqiptuar ndonjë masë për veprime të
tilla. I tërë faji në këto raste bie mbi prokurorinë dhe prokurorët, të
cilët e kanë pasur mundësinë ligjore që t’i mbyllin hetimet dhe t’i
paralajmërojnë avokatët se çdo publikim i informatës përbën vepër
penale.Koordinatorja e Task-forcës Anti-korrupsion në
Prokurorinë e Shtetit dhe prokurore në Prokurorinë Themelore të
Prishtinës (me reformën në sistemin prokurorial – 2013), Drita Hajdari,
ka thënë se hetimet edhe nga natyra janë konfidenciale dhe duhet të
mbrohen, sepse publikimi i tyre e dëmton procesin e hetimeve.
“Hetimet nga natyra janë koefidenciale, mu për arsye që të mbrohet
hetimi, rrjedhja e dëshmive, e provave dhe të gjitha këto janë për arsye
që të mos pengohen hetime. Mirëpo, keni vërejtur me siguri se ne
prokurorët zakonisht gjatë ndonjë lënde hetimore të heshtim, nuk japim
informata, sepse vetë informatat që dikush është në pyetje të hetohet
mund t’i dëmtojë hetimet, sepse ai person alarmohet, ai e di që është
nën hetim dhe i jepet mundësia me i fshehë provat, të ndikojë në
dëshmitarë apo për ndonjë shkak tjetër”, ka thënë prokurorja Hajdari,
për Kosovapress.
Ajo ka shtuar se përderisa gjatë fazës së hetimeve prokurorët kanë
heshtur, këtë situatë e kanë shfrytëzuar avokatët dhe, në këtë rast
prokurorja Hajdari i fajëson prokurorët, të cilët e kanë pasur mundësinë
që më anën e ligjit t’i mbrojnë hetimet, por që nuk e kanë bërë.
Sipas saj, ligji ia mundëson një prokurori të rastit që t’i mbyllë
hetimet dhe t’i lajmërojë avokatët se rrjedhja e çdo informate nga
hetimet e këtij rasti përbën vepër penale për zbulim të informatës
sekrete.
“Në anën tjetër, derisa ne kemi heshtur për aktivitetet tona
hetimore, kanë folur avokatët dhe ata kanë zbuluar informatat të cilat i
kanë dëmtuar hetimet. Kështu që, unë këtu po i fajësojë prokurorët që
kanë lejuar avokatët t’i zbulojnë provat, sepse ne kemi mundësi ligjore
t’i mbyllim hetimet dhe ta njoftojmë avokatin se çdo zbulim i rrethanave
dhe fakteve të rastit paraqet vepër penale të zbulimit të fshehtësisë,
të informatës zyrtare, sepse ato janë informata zyrtare të cilat hetohen
gjatë procedurës”, ka thënë ajo.
Sipas Hajdarit, më e keqja që po ndodh sot është që një rast të
procedohet nën presion publik, gjë që nuk është e lejueshme as në botën
bashkëkohore.
Ajo ka thënë se kanë pasur raste kur janë ballafaquar edhe me
dezinformata që avokati qëllimisht ka dezinformuar opinionin, në mënyrë
që klienti i tij të paraqitet si lloje viktime, duke e orientuar
opinionin publik kah atij i ka konvenuar.
Ndonëse ka pasur raste që janë bërë publikime të informatave sekrete,
ajo ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë masash, pasi që prokurorët e
rastit nuk kanë marrë masa parandaluese ndaj avokatëve për mbylljen e
hetimeve dhe çdo publikim në atë rast, sipas saj, do të përbënte vepër
penale për ta.
Edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, konsideron
se publikimi i informatave sekrete gjatë fazës së hetimit të një rasti e
pengon procesin dhe vërtetimin e gjendjes faktike.
“Mund të them se nuk është në rregull dhe paraqet një shqetësim sa i
përket fazës së hetimit, që mund ta pengojë në vërtetimin e gjendjes
faktike të mëtutjeshme”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se sipas Kodit të Procedurës Penale, deri në momentin
kur ngrihet aktakuza organi i ndjekjes, në këtë rast prokuroria, është e
obliguar që palëve t’jua japë të gjitha provat dhe materialet që u
shërbejnë në kuptimin e përgatitjes së mbrojtjes për fazat e mëtutjeshme
të procedurës penale.
Por nga ana tjetër, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi
(IKD), thotë se rrjedhja e informatave sekrete gjatë fazës së hetimit
të një rasti tregon për brishtësinë e këtyre institucioneve.
“Rrjedhja e informatave nga këto institucione të drejtësisë flet për
brishtësinë e këtyre institucioneve dhe mungesën e përgjegjësisë nga ana
e zyrtarëve, të cilët do të duhej ta kontrollonin çdo informacion dhe
çdo sekret i cili duhet të qëndrojë përbrenda këtyre institucioneve.
Është e pashpjegueshme se si në rastet e caktuara, ende pa filluar një
procedurë hetimore, në procedurë paraprake merren deklaratat e ndryshme,
të cilat do të duhej të shërbenin si burim dhe si prova kruciale në një
proces gjyqësor, të dalin ato në media ende pa i parë palët, pa i parë
mirë ndoshta as vetë prokurori i rastit, dhe krejt kjo pra ndikon që
proceset e ndryshme gjyqësore, të cilat ende nuk fillojnë, në start të
shkatërrohen. Është dëm i madh që u bëhet këtyre institucioneve të
drejtësisë, por në fakt, me vetë fajin e këtyre institucioneve, të cilat
lejojnë rrjedhjen e informatave të cilat janë shumë të rëndësishme për
të gjitha proceset gjyqësore”, ka thënë ai.
Ai ka marrë si shembull rastin e Hotel Grandit në Prishtinë, ku
Behgjet Pacolli ka ofruar dëshmi dhe dëshmitë e tij kanë dalë në publik,
e të cilat kanë mundur t’i krijojnë hapësirë të gjithë atyre që
potencialisht kanë mundur të jenë të inkriminuar në këtë rast, pasi që,
kur ata e dinë se çka ka dëshmuar Pacolli apo ndokush tjetër ndaj tyre,
ata pastaj dinë se si të mbrohen.
Sipas Musliut, kjo mund të rregullohet që mekanizmat e kontrollit të
punës në polici, në prokurori dhe në gjykata, të cilët duhet ta shtojnë
efikasitetin në mënyrë që secili zyrtar mund të inkriminohet në
institucionin e vet duke lëshuar informata pa pasur miratim zyrtar nga
ana e atyre që janë thirrur për këtë, duhet të ndëshkohen të gjithë këta
zyrtarë, pasi që vetëm atëherë do të arrihet që të ngitet niveli i
përgjegjësisë dhe niveli profesional i këtyre institucioneve.
/Telegrafi/
No comments:
Post a Comment