Janë djegur tetëqind mijë euro. Krejt këto para janë harxhuar në
fishekzjarrë dhe në mjetet tjera piroteknike. Dhe krejt këto për një
natë. Atë të Vitit të Ri.
Megjithëse janë bukur do para për qytetarët e varfër të Kosovës,
sivjet ka pas më pak import të këtyre produkteve. Në këtë vit në Kosovë
kanë hyrë rreth 500 mijë kilogramë mjete shpërthyese.
“Në vitin 2012 kemi pasur import prej 497 mijë kilogramësh të mjeteve
si fishekzjarrë, raketa ndriçuese. Kjo kap vlerën prej rreth 800 mijë
eurosh”, tha Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.
Por si duket mjetet që “kërcasin” sivjet janë bërë më pak atraktive
për festa. Kjo pasi sipas statistikave të Doganave të Kosovës vitin që
shkoi kishte më shumë import të këtyre mjeteve. Për vitin 2011 u
importuan më shumë se 560 mijë kilogramë e që vlera e tyre kushtoi një
milion e gjysmë euro.
Për dy vite qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar dy milionë e 280 mijë
euro para këto që shkojnë në xhepat e tregtarëve kinezë, pasi që i tërë
malli i blerë është nga Kina ndërsa edhe paratë shkojnë në Kinë. Në
Kosovë janë katër firma të licencuara nga Ministria e Punëve të
Brendshme që importojnë fishekzjarrë dhe mjete piroteknike.
Driton Gashi, drejtor i Departamentit për Siguri Publike në MPB, ka
thënë se ministria çdo vit aplikon rregullat për kontrollin e importimit
të mjeteve piroteknike, vetëdijesimin e qytetarëve, si dhe kontrollin
dhe shitjen e këtyre mjeteve. Kurse, sa i takon zbatimit të ligjit,
Gashi pranon se ai nuk po zbatohet siç duhet, shkruan Epress.
“Normalisht, ne nuk jemi të kënaqur me shkallën e zbatimit të ligjit
ose të udhëzimit administrativ. Ne kemi thënë edhe në vitet paraprake se
ne kemi zgjedhur një rrugë pak më të vështirë dhe më të gjatë, që është
vetëdijesimi i njerëzve. Pra, njerëzit duhet të njoftohen dhe pastaj
duhet të jenë të përgjegjshëm për zbatimin e ligjit”, tha Gashi.
Ai tha se të gjitha ato kompani, të cilat shesin mjete piroteknike,
duhet ta shesin mallin e tyre me shpjegime shqip se si duhet të përdoren
fishekzjarrët.
“Ajo është e obligueshme, ne e kemi futur si kriter në udhëzimin
administrativ që edhe sqarimi domosdo duhet të jetë në gjuhën shqipe. Në
pika të caktuara ndoshta edhe nuk zbatohet plotësisht, qoftë udhëzimi
apo ligji”, sqaroi Gashi.
Vitin e kaluar, por edhe vitet me parë, nga pakujdesia dhe mungesa e
informacioneve për përdorimin e fishekzjarrëve, dhjetëra qytetarë janë
lënduar, dhe nga plagët e marra kanë kërkuar ndihmën e mjekut. Sivjet
janë raportuar më pak raste të lëndimeve të këso lloji natën e Vitit të
Ri.
Në bazë të raportit të Policisë gjatë natës së festës së Vitit të Ri
janë raportuar dhjetë raste, ku si pasojë e tyre janë lënduar tetë
persona, si dhe një rast incident zjarri ku si pasojë ka humbur jetën
një person. “Ky rast i është duke u hetuar për shkaqet e zjarrit, e që
ende nuk mund të ndërlidhet me rastet e festës së Vitit të Ri”,
deklarojnë zyrtarët e Policisë nga Zyra për Informim.
Nga mos përdorimi adekuat i mjeteve piroteknike janë lënduar gjashtë
persona ndërsa jashtë persona si pasojë e përdorimit jo adekuat të
mjeteve piroteknike, ndërsa dy janë plagosur nga arma e zjarrit, njeri
prej tyre vetëplagosje dhe tjetri nga plumbi nga ajri (plumbi
qorr). /Indeksonline/
No comments:
Post a Comment