Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka rikthyer idenë e
kahershme për krijimin e një ligë të përbashkët në mes Shqipërisë dhe
Kosovës, njoftojnë mediat shqiptare. Ai gjatë mbledhjes së Qeverisë të
premten riktheu në skenë idenë e krijimit të një Lige Mbarëkombëtare të
Futbollit.Një ide e tillë është hedhur për diskutim më herët
edhe nga klube apo faktorë të ndryshëm të këtij sporti, por që mori në
fakt përgjigje negative nga FIFA. I pari i ekzekutivit të Shqipërisë, ka
kërkuar nga Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumci, që
të ulet e të punojë me homologun e tij kosovar për shkrirjen në një të
ligës së futbollit për të dyja vendet.
“Zoti Ministër i Kulturës, këtë vit duhet të fillojë veprimtarinë
Liga Mbarëkombëtare e Futbollit. Uluni dhe bëjeni projektin bashkë me
ministrin kosovar”, ka thënë Berisha.
“Tifozi i Mitrovicës të vijë të shohë ndeshjen Flamurtari-Mitrovica.
Nëse rregullat përkatëse e lejojnë, të përfshihen të gjitha skuadrat në
një kampionat mbarëkombëtar. Kjo është rruga për të shpalosur të gjithë
potencialet dhe talentet në futboll. Ta nisim me futbollin dhe të
fuqizojmë tregun e futbollit, për të nxjerrë një numër sa më të madh
yjesh”, tha Berisha. /Telegrafi/
No comments:
Post a Comment