Pas akuzës në mediat shqiptare, të
bazuara në site amerikane, se akademiku shqiptar, Kosta Barjaba është
kapur në një qendër tregtare duke vjedhur, gazeta "Shekulli" ka
kontaktuar Kosta Barjabën, për të marrë një prononcim prej tij në lidhje
me ngjarjen. Barjaba e ka përgënjeshtruar këtë ngjarje. Ai u shpreh se
nuk ishte arrestuar nga policia dhe as ai e as të afërmit e tij nuk
kishin kryer ndonjë vjedhje. Barjaba aktualisht ndodhet në SHBA me
pushime.
Sipas medias amerikane
Siç raporton siti amerikan, Palo Alto
Online News, tre shqiptarë janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës teksa po vidhnin një qendër tregtare në Paolo Alto të
Kalifornisë. Policia amerikane bën të ditur edhe emrat e shqiptarëve,
Kosta dhe Fatbardha Barjaba, 52 vjeç dhe Joniada Barjaba, 23 vjeç, të
cilët janë dërguar në institucionin e paraburgimit në San Mateo County's
Maguire Correctional Facility. Kosta Bajraba në Shqipëri mban titullin
Doktor i Shkencave në Sociologji. Mediet amerikane raportojnë se Barjaba
është qytetar dhe rezident në Shqipëri dhe pas arrestimit, bashkë me dy
të afërmit e tij, do të përballet me akuzën e vjedhjes së kryer në
bashkëpunim.
Kush është Kosta Barjaba?
Prof. Dr. Kosta Barjaba lindi në vitin
1960, në rrethin e Sarandës. Ka ndjekur studimet e larta për Shkencat
Politike, në Universitetin e Tiranës. Në moshën 29-vjeçare, ai mori
titullin Doktor i Shkencave në Sociologji. Pas viteve ’90, Kosta Barjaba
i thelloi njohuritë e tij, duke kryer specializime të ndryshme në
Greqi, Itali dhe SHBA. Në vitin 1999, ai fitoi titullin Profesor. Në
vitin 2005 kryen specializimin Master në Universitetin e Harvardit. Pas
gjashtë vitesh, në vitin 2011 ai zgjidhet anëtar i Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë.
Kosta Barjaba është një pjesëmarrës
aktiv në jetën akademike, shkencore dhe publike të vendit. Veprimtaria e
tij shkencore përqendrohet ndër të tjera, në çështjet e emigracionit,
të varfërisë dhe problematikat e zhvillimit. Rezultat e kërkimeve të tij
shkencore referohen si brenda vendit, ashtu edhe në rrethe akademike
ndërkombëtare. Aktualisht është dekan i Fakultetit të Shkencave Politike
dhe Administratës Publike në një prej universiteteve private në vend.
Kosta Barjaba është i martuar dhe ka dy fëmijë.
/Shekulli Online/
No comments:
Post a Comment