Thursday, December 27, 2012

Si t’i mbroni veshet

Kohët e fundit, përhapja e “Smartphone” dhe lexuesve mp3 ka sjellë një tendencë të re: dëgjimin e muzikës me kufje, praktikë e cila mund të dëmtojë dëgjimin. Lexoni mënyrat e shmangies së rreziqeve

Që prej 1979-s, kur u prezantuan në Japoni kasetofonët e parë, dëgjimi i muzikës me kufje u bë zakon për miliona persona. Sot pushtimi i tregut nga “iPod”-ët, “iPhone”-t dhe pajisje të tjera të sofistikuara, ka bërë që të rritet edhe më shumë numri i personave që e kalojnë kohën me kufje në vesh. Kjo është një sjellje që ka ngjallur shqetësimin e mjekëve otolaringologë për dëmtimet e mundshme në sistemin e dëgjimit.

Muzika e lartë në kufje ndikon në humbjen e dëgjimit

Studiuesit e Universitetit Gand në Belgjikë kanë publikuar një studim në “Archives of Otolaryngology”, sipas të cilit thuhet: në qoftë se dëgjoni një orë muzikë me kufje në veshë mund të pakësoni aftësinë e dëgjimit. Problemi është aq i njohur, aq sa sipas BE-së 30% e të rinjve mund të kenë nevojë për aparat dëgjimi gjatë viteve në vazhdim, për shkak të dëgjimit të muzikës me kufje. Ndërkohë po përgatitet edhe një direktivë për të kufizuar fuqinë e lexuesve deri në 85 decibel.

Për të mbrojtur veshin duhet prodhuar dyllë

Veshi ynë është i pajisur me një sistem të caktuar që kap (përmes dyllit) praninë e grimcave të huaja dhe mban konstante karakteristikat e membranës së daulles së veshit. Dylli është një substancë që ka funksion mbrojtës. Sa herë që sistemi i dëgjimit është në rrezik, pra edhe atëherë kur përdorim shumë kufjet, sepse konsiderohen trup i huaj, sasia e dyllit rritet dhe kjo mund të sjellë një sërë problemesh, mes të cilave edhe të ashtuquajturën “taposje”. Për këtë arsye, veshi kërkon një kujdes të vazhdueshëm dhe pastrim korrekt, në mënyrë që të shmangen shqetësimet e mundshme, të cilat lidhen me grumbullimin e tepërt të dyllit.

Pastrimi

Për të ruajtur mirëqenien e veshit është mirë që të njohim dhe të përdorin mjetet e duhura. Më tradicionalet dhe të zakonshmet janë kunjat e veshëve me pambuk nga të dyja anët, por që nuk bëjnë për të pastruar veshin në brendësi. Prandaj është mirë që të përdoren metodat e posaçme, jo invazive dhe natyrore, siç janë konët, pikat për vesh ose sprucimet aurikulare, për të pasur një higjienë vërtet efikase.

Jo vetëm personat që mbajnë kufje në vesh janë të rrezikuar

Zakonisht disa kategori njerëzish janë më të ndjeshëm ndaj problemeve të grumbullimit të dyllit në vesh dhe këtu bëjnë pjesë:

- Fëmijët, të cilët kanë gjëndra dylli që janë tepër aktive;

- Të moshuarit, të cilët mund të kenë gjëndra që prodhojnë dyllë më të thatë. Si pasojë dylli rrëshqet me vështirësi drejt kanalit të daljes dhe për këtë arsye është i prirur të grumbullohet në kanalin e dëgjimit;

- Mbajtësit e protezave të dëgjimit, që për pasojë e kanë të vështirë të mbajnë pastër kanalin e veshit;

- Kush praktikon sporte ujore, sepse uji i ftohtë mund ta forcojë dyllin;

- Personat që udhëtojnë me avion ose që bëjnë alpinizëm në male. Ndryshimi i presionit të ajrit mund të shkaktojë shqetësime në prani të grumbullimit të dyllit.


shqiperia.com

No comments:

Post a Comment