Thursday, December 27, 2012

Femijet, stresi u largohet duke folur me nenen

Zëri i nënës largon stresin. Tani e tutje kur një bashkëshort të shohë të shoqen duke folur pafund me të ëmën nuk duhet të shqetësohet, por të lumturohet. Një studim i bërë nga Universiteti Medison i Uiskonsit ka treguar se për t’u ndier më mirë mjafton të dëgjosh zërin e nënës dhe mërzitja largohet si me dorë. Studiuesit vunë re se çdo gjë ka një bazë shkencore: duke dëgjuar zërin e një mike ose atë të nënës, që është gjëja më e shtrenjtë në botë, trupi i njeriut çliron oksitocinën, një hormon që ul nivelin e stresit, largon mendimet negative, rrit qetësinë, vetëvlerësimin dhe besimin në vetvete. Në të njëjtën kohë bie edhe niveli i kortizolit, hormoni që nxit stresin.

Studimi ka dashur të tregojë në veçanti se kjo substancë (oksitocina) nuk çlirohet vetëm me kontaktin fizik, përqafimet dhe puthjet e pafundme të nënës, por edhe thjesht me zë, e më pak me “chat”-in e mesazhet.

Baballarët dhe bashkëshortët nuk duhet të ndihen keq, sepse i njëjti proces ndodh edhe me ta. Zakonisht janë vajzat ato që janë të lidhura më tepër me baballarët. Megjithatë po të vini re edhe mes dy partnerëve të dashuruar ka shumë emocion kur dëgjojnë zërat e njëri-tjetrit. Është pikërisht oksitocina substanca që jep këtë efekt.

Këto efekte të dobishme mund ta zhdukin magjinë sa hap e mbyll sytë kur nëna fillon të ngrejë zërin. Në këtë rast niveli i stresit rritet në mënyrë të ndjeshme njësoj siç debatoni me një fqinj ose arkëtaren e supermarketit. Megjithatë në çdo rast është mirë që ta keni me vete telefonin dhe pasi të keni përjetuar situata stresuese t’i telefononi dikujt që e doni vërtet shumë. Eksperimenti është kryer te 64 vajza nga mosha 7 deri në 12 vjeç, të cilat janë vendosur përballë situatave stresuese: zënkave

ose problemave të vështira të matematikës. Pastaj ato u ndanë në tri grupe. Grupi i parë pati kontakt fizik me mamatë, grupi i dytë kaloi pak kohë në telefon, ndërsa i treti pa një video, por pa pasur kontakt me mamatë. Përfundimi? Te vajzat që bënin pjesë në grupin e parë dhe të dytë u vu re një ulje e konsiderueshme e nivelit të stresit, ndërsa vajzat që panë filmimin vazhdonin të ishin të stresuara. Niveli i kortizolit tek ato ishte i lartë.

Oksitocina është hormoni që nxit kontraktimin e mitrës gjatë lindjes dhe ushqyerjen me gji. Gjithashtu është hormoni që rrit ndjeshmërinë dhe të kuptuarin e gjendjes shpirtërore të të tjerëve, si dhe favorizon marrëdhënien me ta.


No comments:

Post a Comment