Monday, December 31, 2012

I kapën disa peshq pothuajse të mëdhenj

Shumëkush do të thotë se është bërë mjaft në luftimin e korrupsionit gjatë vitit 2012. Së paku, ata të cilëve kjo deklaratë u shkon për shtati. Mirëpo, deklaratat për zero tolerancë ndaj korrupsionit, si nga Qeveria ashtu edhe nga EULEX-i, nuk u arsyetuan plotësisht. Pak u bë, mbetet edhe shumë të bëhet.
Ishim dëshmitarë të arrestimeve spektakolare të funksionarëve të lartë, bastisjeve dhe operacioneve policore. Proceset gjyqësore e aktakuzat janë duke u përcjellë me vëmendje si nga politika, ashtu edhe nga qytetarët e Kosovës, edhe pse disa prej tyre janë duke u zvarritur nëpër kanalet e burokracisë shtetërore. Edhe pse pothuajse secili rast më sensitiv u ngjyros politikisht, gjatë vitit 2012, u pa një aktivitetet i shtuar i strukturave të sigurisë në Kosovë. Sidoqoftë, në 2013-n ministra, deputetë, këngëtarë, zyrtarë të lartë të sektorit të drejtësisë, prokurorë e gjyqtarë do të përballen me drejtësinë. Epilogu përfundimtar mbetet të shihet.
Iku Xhabiri
Ia “lëshoi mjekër” policisë dhe gjykatës. U dënua me tre vjet për armëmbajtje pa leje dhe detyrim nga EULEX-i, por Xhabiri këtë nuk e pranoi. U ankua në të gjitha shkallët. Kërkoi edhe shtyrjen e dënimit, shkaku i biznesit që e drejton për të mbajtur familjen. E kur i shpenzoi të gjitha ankesat që kishte bërë në organet e drejtësisë, ish- kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, lëshoi Kosovën dhe u lajmërua me letër nga një vend i panjohur duke akuzuar EULEX-in. Madje edhe kërcënoi se do të destabilizojë Kosovën. Edhe pse ekziston urdhër-arrest lëshuar nga Gjykata Komunale për të, Zharku duket se natën e Vitit të Ri do të presë në rehatinë e vendbanimit të tashëm që e ka. Ai sipas aktakuzës ka kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil Sumën dhe Azem Sumën në rast se nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në valën e 16-të për privatizimin e një ferme të deleve, në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të Ferizajt. Rasti i shmangies së tij nga vuajtja e dënimit është i pari që ka ndodhur në Kosovë që nga përfundimi i luftës.
Nuk ka kush që e ndal Bllacën
Si duket, nuk është i kënaqur që në bazë të dëshmisë së tij pesë ish-pjesëtarë të ShIK-ut u dënuan së bashku me 54 vjet burg. Paralajmëroi vazhdimin e akuzave, duke mos harruar edhe t’u tërheqë vërejtjen deputetëve të Kuvendit të Kosovës se në listë i ka edhe disa prej tyre që do t’i përmendë. Sa i përket rastit ‘Bllaca 2’, epilogu ishte si vijon: Shpresim Uka, Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla dhe Shaban Syla do të vuajnë dënimin me burgim për veprat penale - vrasje e rëndë dhe tentativë vrasje. I akuzuari kryesor, Shpresim Uka, është dënuar me 15 vjet burgim për dy akuzat, akuza e parë vrasje e rëndë ndaj Ibush Kllokoqit, si dhe akuza e dyte tentativë vrasje të Adem Salihajt; Sadik Abazi dhe Bekim Syla me nga 12 vjet burgim për akuzën - vrasje e rëndë, Shaban Syla 8 vjet, si dhe Driton Hajdari me 7 vjet burgim. Tre nga këta të dënuar kanë lakmuar në Xhabir Zharkun, dhe pak pas shpalljes së verdiktit janë avulluar nga Kosova.
Rekordmeni Kolë Puka
Mbase gjatë tërë karrierës së tij si gjykatës nuk ka gjykuar aq shumë vepra penale për të cilat akuzohet vetë. Deri tani është dënuar me 15 vjet burg, dhe kjo pritet të rritet edhe më shumë. Në muajin tetor ish-gjyqtari i Gjykatës Komunale në Klinë, Kolë Puka, është dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për mbi 1 milion e 257 mijë euro të përvetësuara. Kolë Puka është shpallur fajtor për hiç më pak se 8 vepra penale, pastrim parash, shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit, nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve, mashtrim dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, falsifikim i dokumenteve, lidhje e kontratës së dëmshme, keqpërdorim i besimit dhe dhënia e kundërligjshme e ndihmës juridike. Në muajin maj është dënuar nga Gjykata e Qarkut në Pejë me 5 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autoritetit. Bashkë me të ishin dënuar edhe avokati Lon Palushaj me 3 vjet burgim dhe mjeku Bedri Bakalli, me 6 muaj për kryerjen e veprës penale të mashtrimit. Por, të bëmat e Pukës nuk përfundojnë me kaq. Ai gjatë vitit 2013 pritet të përballet me një aktakuzë të re, nën dyshimin për shpëlarje parash në vlerë prej 1 milion e 200 mijë euro. Përveç aktakuzës ndaj tij, do të hapet një lëndë e re që ka të bëjë me patundshmëritë e tij, të cilat dyshohet t’i ketë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme./kosovasot/

No comments:

Post a Comment