Monday, December 31, 2012

Kur kanë nevojë diabetikët për ndihmën e mjekut?

Personat që vuajnë nga diabeti mësohen ta kontrollojnë atë me ushqim të duhur, ushtrime të rregullta dhe ilaçet e nevojshme. Jeta me diabet nuk ka nevojë të jetë e vështirë nëse e zbuloni me kohë dhe mësoheni ta kontrolloni si duhet.

Megjithatë, shumë faktorë ndikojnë në shkallën e sheqerit në gjak. Sëmundja, stresi, konsumimi i alkoolit ose cikli menstrual mund të ndikojnë pavarësisht të gjithë masave të marra.

Nëse vuani nga diabeti dhe rregullisht matni nivelin e sheqerti në gjak, nuk keni shumë arsye për t’u shqetësuar, por ka situata kur është e nevojshme të kërkohet ndihma profesionale.



Urinimi i shpeshtë, etja ekstreme, uria dhe shikimi i turbullt

Këto janë simptomat më të shpeshta të diabetit të pakontrolluar. Nëse keni cilëndo prej këtyre simptomave, duhet ta vizitoni mjekun. Pavarësisht se sa është niveli i sheqerit në gjak, me siguri mjeku do t’ua kompensojë mungesën e lëngjeve dhe elektroliteve në trup që niveli i sheqerit në kthehet nën kontroll.

Nëse nuk reagohet menjëherë, niveli i lartë i sheqerit mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore. Diabeti i tipit 1 mund të shkaktojë ketoacidozë diabetike, e cila kërkon ndihmë urgjente mjekësore.

Te diabeti i tipi 2 mund të vijë deri te dehidrimi dhe humbja e vetëdijes, çka mund të jetë fatale nëse nuk ofrohet menjëherë ndihma mjekësore.



Sjellja e çuditshme

Përngjan me sjelljen nën ndikimin e alkoolit, ndërsa kryesisht është shenjë e nivelit të ulët të sheqerit. Në këtë rast duhet të konsumoni lëng ose diçka të ëmbël (mjaltë) çka do të rrisë nivelin e sheqerit. Megjithatë, diabetikët shpesh nuk e shohin si të çuditshme këtë sjellje, që është problem serioz sepse niveli i ulët i sheqerit mund të shkaktojë humbjen e vetëdijes.

Në shumicën e rasteve, diabetikët e kthejnë vetë nivelin e sheqerit në normale, por ndonjëherë është e nevojshme ndihma urgjente mjekësore.



Infeksionet, mishi i ënjtur ose i gjakosur i dhëmbëve, dhimbja në shputa

E gjithë kjo paraqet rrezik të madh. Për diabetikët edhe plagët më të vogla mund të paraqesin problem pasi që diabeti redukton aftësinë e trupit për ta shëruar plagën menjëherë.

Të gjithë diabetikët rregullisht duhet të kontrollojnë këmbët, madje edhe nëse plagët ose kallot nuk janë të pranishme. Këmbët tuaja rregullisht pastrojini në ujë të ngrohtë (jo shumë të nxehtë), lyeni me krem hidratues për të parandaluar tharjen e lëkurës çka mund të shkaktojë çarjet dhe infeksionet e saj.

Infeksionet te diabetikët paraqesin problem të madh dhe kërkojnë ndihmë urgjente mjekësore. Infeksionet kërpudhore shfaqen shpesh te diabetikët, veçanërisht kur niveli i sheqerit për një kohë të gjatë është i lartë sepse hiperglikemia redukton aftësinë e qelizave të bardha të gjakut për të penguar përhapjen e infeksionit.



Problemet me sytë

Nëse keni ndier probleme të papritura në shikim, dhimbje në sy ose shkreptima apo shndritje në fushën e shikimit, gjithsesi kërkoni ndihmën e mjekut. Diabetikët kanë rrezik të shtuar nga krijimi i retinopatisë e cila mund të çojë te humbja e shikimit. Ekspertët të gjithë diabetikëve u këshillojnë që shëndetin e syve ta kontrollojnë të paktën një herë në vit.



Simptomat e sëmundjeve të zemrës

Diabetikët kanë rrezik të lartë nga krijimi i sëmundjeve kardiovaskulare. Nëse ndjeni çfarëdo simptome të sëmundjeve të zemrës, kërkoni menjëherë ndihmën e mjekut. Disa sëmundje të zemrës janë të pranishme pa simptoma, për ç’arsye shëndetin e zemrës duheni ta kontrolloni në mënyrë të rregullt për të parandaluar krijimin e sulmit në zemër, por edhe atij në tru. Të dyja, fatkeqësisht janë mjaft të zakonshme tek diabetikët.koha.net

No comments:

Post a Comment