Saturday, December 29, 2012

Nga Prishtina akuza për De Biazin: Do të largojë kosovarët nga Shqipëria

Olsi Avdiaj 
-Një deklaratë e Xhani De Biazit ka bërë që trajnerët kosovarë të akuzojnë italianin se nuk po llogarit më lojtarët me origjinë nga këto troje. Një e përdishme kosovare në versionin e saj print dhe online i ka hedhur sërish “benzinë zjarrit”, pak muaj pas ndeshjes me Zvicrën. Duke iu referuar një deklarate të De Biazit, ata kanë ngacmuar disa trajnerë vendës që kanë qenë kundër italianit kryekëput. Por menjëherë të gjitha mediet i kanë dhënë jehonë këtij lajmi. “Në ndeshjen e fundit miqësore me Kamerunin ne kemi pasur vetëm 3 kosovarë në kombëtare, ndërsa 8 të tjerë kanë qenë të Shqipërisë. Kjo tregon se tashmë kemi shumë më shumë lojtarë të Shqipërisë në Kombëtare. Unë shpresoj të mos ndodhë largimi i kosovarëve, por ne kemi menduar edhe për zëvendësimin e tyre”, ka thënë Xhani  De Biazi në një dalje mediatike. Ndonëse në plan të parë ai ka prekur dhe aluduar për ndërtimin e një Kombëtareje nëse kosovarët bëjnë ekip më vete duket se kjo gjë është marrë për keq në Prishtinë, dhe vjen pikërisht pas deklaratave të Armend Dallkut që ka lënë të kuptohet se nëse vazhdon si rezervë nuk do të grumbullohet në Kombëtare. Tre nga trajnerët e njohur kanë sulmuar ashpër italianin për deklaratat e tij. Për trajnerin e Dritës, Arbnor Morina, nëse veç nis ky mision do të ishte shumë i dëmshëm dhe shumë i rrezikshëm për kombëtaren tonë. “Ai reduktim është bërë vetëm në një ndeshje miqësore, dhe nuk besoj se tashmë ka nisur reduktimi pasi që në ndeshjet zyrtare Kombëtarja e Shqipërisë në këto momente nuk mundet pa kosovarë. Sido që të jetë, nëse veç nis trajneri De Biazi të heqë dorë nga kosovarët tani, unë them se do të ishte shumë e dëmshme. E para, kosovarët luajnë rol kyç në ekip, e dyta, shumica e tifozëve në stadium janë kosovarë dhe e treta, më kryesorja, shumë lojtarë të kategorive të reja të Kombëtares janë kosovarë, kështu që edhe ata do të duheshin të largoheshin. Kjo në këtë moment do të ishte e dëmshme për kombëtaren”, ka thënë Morina. Edhe për trajnerin e Prishtinës, Afrim Tovërlani, nëse kjo ndodh, dëmi do të ishte i madh për Shqipërinë. “Është e drejtë e tij të vendos, por kjo do të ishte shumë e dëmshme për vetë Kombëtaren. De Biazi nuk ka gjak shqiptari dhe nuk mund të mendojë si ne, por nëse ndodh të mendohet një Kombëtare pa kosovarë, atëherë Shqipëria do të humbë shumë në cilësi si dhe në tifozëri, pasi që ishin kosovarët ata që treguan si bëhet tifozllëk për ngjyrat kuqezi”, tha Tovërlani, i cili edhe ka komentuar faktin se pse asnjë trajner kosovar nuk është ofruar të punojë me të rinjtë e Shqipërisë. “Ata nuk na çmojnë, për këtë arsye nuk na ofrojnë. Unë garantoj që për 2 cikle, Kombëtaren U-19 ose atë U-21 do ta kisha kualifikuar në evropian ose botëror”, përfundoi tekniku bardhekaltër Afrim Tovërlani./shekkulli.com/

No comments:

Post a Comment