Friday, December 28, 2012

Sfida e fundit e mjekesise

Për herë të parë, tri kompani farmaceutike janë gati të eksperimentojnë ilaçe të reja që mund të veprojnë kundër një game të gjerë tumoresh: nga ai i gjirit tek ai i prostatës, nga mëlçia te mushkëritë. Ilaçet do të kenë në shënjestër një anomali që lidhet me një gjen përgjegjës për zhvillimin e tumoreve. Ky eksperiment mund të shënojë fillimin e një epoke të re gjenetike në kërkimet kundër kancerit. “Merck”, “Roch” dhe “Sanofi” kanë nisur garën për të nxjerrë një lloj të ri ilaçi që të nxisë mekanizmin që i shtyn qelizat e sëmura të vetëshkatërrohen. Asnjë shoqëri farmaceutike nuk ka ndërmarrë një eksperiment të tillë klinik deri më tani, i testuar edhe te pacientët që vuajnë nga lloje të ndryshme tumorale. Otis Webb Brawely, drejtori mjekësor dhe shkencor i Shoqatës Amerikane për Luftën kundër Kancerit, thotë: “Ky është një hap shumë i rëndësishëm në zhvillimin e ilaçeve antitumorale. Në të ardhmen organi ku është zhvilluar kanceri do të ketë më pak rëndësi, ndërsa terapia molekulare gjithmonë e më shumë”. Në qendër të këtij eksperimenti janë pacientë si Joe Bellino. Shtatë vjet më parë, mjekët i diagnostikuan një liposarkoma, një lloj i rrallë tumori që prek qelizat e indit dhjamor.

Kjo formë tumorale u vendos të jetë eksperimentuese e një ilaçi të “Sanofi”-t, sepse tumoret thuajse gjithmonë paraqesin të njëjtin problem gjenetik: një shkrirje të dy proteinave të mëdha. Nëse ilaçi do të jepte rezultat, “Sanofi” do ta eksperimentonte në lloje të tjera tumoresh që shfaqin të njëjtat karakteristika. Nëse nuk do të japë rezultate, firma do të pranojë humbjen. Ndryshimi gjenetik që kërkon të vërë ilaçi në shënjestër i ka shqetësuar prej vitesh kërkuesit. Qelizat e shëndetshme kanë një mekanizëm natyral që i çon drejt “vdekjes” nëse ADN-ja e tyre është shumë e dëmtuar për t’u riparuar.

Një proteinë, e njohur si p53, që Gary Gilland i “Merck” e cilëson “engjëlli i vdekjes së qelizës”, inicion gjithë procesin. Por qelizat tumorale arrijnë ta çaktivizojnë këtë proteinë drejtpërdrejt përmes një mutacioni, apo në mënyrë të tërthortë duke e bashkuar me një tjetër proteinë qelizore që e ndalon. Kush është i përfshirë në kërkimet kundër kancerit përpiqet të riaktivizojë p53-in në qelizat kancerogjene për të provokuar vetëshkatërrimin. Shpresat në proteinën p53 nisën 20 vjet më parë: entuziazmi arriti deri në atë farë pike sa në vitin 1993 revista “Science” e quajti “molekula e vitit” dhe e vendosi në kopertinë. Kështu, shoqëritë farmaceutike nisën gjuetinë ndaj një substance në gjendje t’i jepte një shtysë funksionimit të p53: provuan terapinë gjenetike, po pa asnjë rezultat. Pastaj vijuan të studionin format tumorale që përdornin një rrugë alternative për të çaktivizuar proteinën p53, duke e bllokuar pasi sulmohej me një proteinë të njohur si MDM2. Po ashtu kërkimet vijuan me një molekulë që mund të futej mes tyre për t’i distancuar.

Në vitin 1996, kërkuesit e “Roche” gjetën një “xhep” të vogël me proteinave, mes të cilave mund të futej një molekulë. Në fund “Roche” gjeti molekulën e duhur që e quajti Nutlin. Por këto nuk kanë funksionuar si ilaçe, sepse nuk përthitheshin nga trupi. Më vonë “Roche”, “Merck” dhe “Sanofi” eksperimentuan me qindra mijëra molekula të tjera.

Tek “Sanofi”, grupi i Debucssche-s bashkë me Schaomeng Wang të Universitetit të Miçiganit dhe një kompani bioteknologjike “Ascenta Therapeutics”, gjeti një përzierje shumë premtuese. Shoqëria farmaceutike e ka eksperimentuar, duke e injektuar çdo ditë në stomakun e disa kavieve të prekura nga sarkoma dhe zbuloi se tumoret ishin zhdukur. “La Roche” ishte e para që eksperimentoi një ilaç me bazë p53 te pacientët. Ashtu siç kërkohet nga protokollet, nisi të kërkojë dozën e nevojshme pa u bërë helmuese. Për këtë u deshën tre vjet. Studimet që do të pasojnë tani, nëse janë pozitive, duhet t’u hapin dritën jeshile disa eksperimenteve klinike në disa lloje tumoresh. Kohët e fundit “Merck” ka thelluar studimet për të kuptuar se cila është doza e duhur dhe po rekruton pacientë të prekur nga leucemia akute.

Doza ideale do të eksperimentohet te 15 pacientë në një kampion prej 30 vjetësh për të studiuar efikasitetin. Edhe “Sanofi” ka nisur testet e veta mbi sigurinë në Europë. Vitin tjetër do të vazhdojë në disa qendra mjekësore të SHBA-së. Ashtu si “Merck”, “Sanofi” do të përqendrohet te pacientët e prekur nga liposarkoma si Bellino që kanë mundësi të mëdha për t’iu përgjigjur pozitivisht ilaçit. Liposarkoma është një tumor shumë i rrallë, prek më pak se 2 mijë raste në botë, saqë asnjë lloj ilaçi nuk është eksperimentuar mbi pacientët e prekur nga ky lloj tumori. Për fat të keq të Bellinos, testi do të vijë shumë vonë. Vdiq një muaj më parë në Nju Jork.

Eksperimenti

Tri shoqëri farmaceutike “Merck”, “Roche”, “Sanofi”, po eksperimentojnë një ilaç për të kuruar lloje të ndryshme tumoresh, në mënyrë të pavarur nga organi i prekur: nga mushkëria te mëlçia

Objektivi

Të gjejnë një dozë jo helmuese që mund të përdoret kundër llojeve të ndryshme të tumoreve

Ilaçi - Ndërhyn duke riaktivizuar proteinën p53, që në qelizat e sëmura ose është e çaktivizuar nga një mutacion gjenetik ose sulmohet dhe bllokohet nga një proteinë tjetër

Riaktivizimi - I kësaj proteine bën që qelizat me ADN të dëmtuar të vetëshkatërrohen dhe bllokon shtimin e qelizave të sëmura

Shifrat

7.8 milionë - Vdekjet si pasojë e tumoreve të ndryshme në botë. E barabartë kjo me 13 për qind të popullsisë

Infeksionet - Një në tre tumore është i lidhur me infeksionet e ndryshme

21.4 milionë - Të sëmurët me kancer brenda viti 2030, sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë

shqiperia.com

No comments:

Post a Comment